GRAMSH ,31 korrik 2026/Albania Express News/- Këshilli Bashkiak i Gramshit zhvilloi këtë të premte, më 31 korrik 2026, mbledhjen e radhës në sallën e Nënprefekturës së Gramshit, ku u shqyrtuan dhe u miratuan gjashtë pika të rëndësishme të rendit të ditës, që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Në fokus të diskutimeve ishin ndihma ekonomike, emërtimi i një institucioni arsimor, strehimi i familjeve në nevojë, bonusi i qirasë, fondet për emergjencat civile, si edhe disa problematika të ngritura nga banorët.
Një nga vendimet e para të miratuara ishte dhënia e ndihmës ekonomike për muajin qershor 2026 nga fondi 6%, ku përfituan 38 familje dhe individë në nevojë. Këshilli miratoi propozimin, duke vijuar mbështetjen sociale për kategoritë më vulnerabël të komunitetit.

Një tjetër pikë me rëndësi ishte ndryshimi i emrit të shkollës 9-vjeçare “35-Vjetori i Çlirimit”, e cila tashmë do të mbajë emrin “Xhevit Dermyshi”. Gjatë diskutimeve u ngritën disa çështje procedurale, që lidhen me domosdoshmërinë e miratimit paraprak nga Ministria e Arsimit dhe Rinisë, si edhe me zbatimin e udhëzuesit për dhënien e titujve vendorë të nderit. Megjithatë, pas debatit, shumica e këshilltarëve votuan pro ndryshimit të emërtimit.
Në mbështetje të familjeve të pastreha, Këshilli Bashkiak miratoi gjithashtu shpërndarjen e një fondi shtesë prej 1,118,586 lekësh, i cili do të përdoret për bonusin e qirasë. Edhe për këtë pikë u kërkua respektimi i procedurave të parashikuara në Rregulloren e Funksionimit të Këshillit Bashkiak, përfshirë shqyrtimin paraprak nga Komisioni i Financave, por në fund fondi mori miratimin e këshillit.

Pjesa më e madhe e fondeve të miratuara gjatë mbledhjes i përket emergjencave civile. Këshilli miratoi një fond të kushtëzuar prej 9,342,128 lekësh, i cili do të financojë një sërë ndërhyrjesh infrastrukturore në territorin e bashkisë.
Sipas relacionit, fondet do të shpërndahen për:
- 4 milionë lekë për mbrojtjen lumore në luginën e Gribës;
- 1.2 milionë lekë për vendosjen e tombinave në përroin e Shelcanit dhe atë të Frashërit;
- 1.1 milionë lekë për rikonstruksionin e urës në segmentin Dufshan–Sult;
- 1.2 milionë lekë për rikonstruksionin e urës në fshatin Galigat;
- 1.2 milionë lekë për rikonstruksionin e urës në Dumberas;
- 600 mijë lekë për rikonstruksionin e dy urave të këmbësorëve në fshatin Kukur.

Edhe për këtë fond u evidentuan vërejtje procedurale në lidhje me shqyrtimin financiar, por projekti u miratua nga Këshilli Bashkiak.
Një tjetër vendim lidhet me procesin e strehimit dhe privatizimit të banesave. Këshilli miratoi kalimin në fond banese të objektit “Ish-Ndërmarrja e Shqopave”, pasuria nr. 7/97, Zona Kadastrale 1842, në pronësi të Bashkisë Gramsh. Vendimi hap rrugën për privatizimin e ambienteve ku janë të strehuara disa familje.
Përfituesit e këtij procesi janë:
- Valentina Dervishi – 29.8 m²;
- Burbuqe Latifi – 44.6 m²;
- Besim Taragjini – 95 m²;
- Muke Tafa – 81.7 m²;
- Nefail Tafa – 82.2 m²;
- Xhile Veliu – 42.6 m².
Në përmbyllje të mbledhjes, u diskutuan edhe disa kërkesa të ardhura nga qytetarët. Banorët e lagjes “Koçaj” kërkuan ndërhyrje për përmirësimin e rrugës, duke theksuar se më shumë se 15 familje hasin vështirësi në lëvizje për shkak të mungesës së një aksesi normal.
Ndërkohë, banorët e lagjes “Dëllinja” kërkuan ndërhyrje nga Drejtoria e Shërbimeve Publike për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, kanaleve anësore, kontenierëve të mbetjeve urbane dhe hapësirave publike përreth.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Gramshit u zhvillua në kuadër të transparencës dhe informimit publik, ndërsa vendimet e miratuara synojnë përmirësimin e shërbimeve, mbështetjen sociale dhe realizimin e ndërhyrjeve infrastrukturore në zona të ndryshme të bashkisë.

