DURRËS ,13 gusht 2026 /Albania Express News/-Një instalacion i pazakontë arti urban është shfaqur sot përpara Bashkisë së Durrësit, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e qytetarëve dhe kalimtarëve.
Vepra, e realizuar në stilin pop-art, paraqet një karamele gjigante me sipërfaqe metalike në ngjyrë të kaltër, të vendosur mbi një bazament graniti. Në pjesën qendrore të instalacionit është vendosur stema zyrtare e Bashkisë së Durrësit, një element që ka shtuar edhe më shumë kureshtjen për qëllimin dhe mesazhin e kësaj vepre.
Instalacioni është vendosur në një hapësirë mjaft të frekuentuar të qytetit, përpara godinës së bashkisë, duke bërë që ai të mos kalojë pa u vënë re. Qytetarë të shumtë janë ndalur për ta parë, ndërsa disa prej tyre kanë fotografuar dhe filmuar veprën.
Sipas përshtypjeve të para, simbolika e “karameles” gjigante duket se është menduar për të krijuar një kontrast mes estetikës së ëmbël dhe problematikave të përditshme me të cilat përballet qyteti. Pikërisht kjo ka nxitur edhe diskutime e interpretime të ndryshme mes qytetarëve.
Disa prej tyre e kanë parë instalacionin si një element artistik që i jep një tjetër dimension hapësirës publike, ndërsa të tjerë kanë ngritur pikëpyetje mbi arsyen e përzgjedhjes së kësaj forme dhe mbi mesazhin që synon të përcjellë.
Madje, me humor dhe ironi, qytetarë kanë sugjeruar edhe instalacione të tjera që mund të vendosen në qytet, të lidhura me problematika konkrete të Durrësit, duke e kthyer “karamelen” në objekt diskutimi publik.
Për momentin, Bashkia e Durrësit nuk ka bërë një njoftim zyrtar lidhur me autorësinë e instalacionit, projektin në kuadër të të cilit është vendosur apo mesazhin që qëndron pas tij.
Mbetet për t’u parë nëse bëhet fjalë për një instalacion të përkohshëm artistik apo për një vepër që do të qëndrojë në hapësirën publike të qytetit.
Një gjë është e sigurt: “karamelja” gjigante blu, me stemën e Bashkisë së Durrësit në qendër, ka arritur të tërheqë vëmendjen e qytetarëve dhe të kthehet brenda pak orësh në një nga objektet më të komentuar në qendër të qytetit.

