“Jam kërcënuar, por nuk kam frikë”, Dashnor Sula: Rama më riktheu dinjitetin

TIRANË, 17 shtator 2026 /Albania Express News/ – Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka deklaruar se gjatë ushtrimit të detyrës ka përballuar presione dhe kërcënime, duke bërë të ditur se për këtë çështje ka depozituar edhe një denoncim në Policinë e Elbasanit.

I ftuar në emisionin “Puls” të A2 CNN, Sula tha se një prej sfidave kryesore në detyrën e tij është garantimi i bizneseve se inspektorët nuk do të kërkojnë më përfitime të paligjshme, duke iu referuar praktikës së njohur me shprehjen “për shefin”.

“Ju garantoj që nuk do të shpëtojë asnjë inspektor. Pavarësisht presioneve që kam, po them që kam pasur presione. Para dy ditësh kam shkuar në Policinë e Elbasanit, kam bërë denoncim, pikërisht sepse më vijnë mesazhe kërcënuese, më kanë marrë në telefon me kërcënime”, deklaroi ai.

Sula theksoi se kërcënimet nuk do ta tërheqin pas nga puna e tij.

“Kam marrë dhe nuk kam frikë. Nuk kam frikë, se nuk i kam borxh njeriu”, u shpreh Inspektori i Përgjithshëm.

Ai iu drejtua publikisht qytetarëve dhe bizneseve, duke kërkuar që çdo rast ku emri i tij përdoret për të justifikuar kërkesa të paligjshme të denoncohet.

“Nëse do të përdoret emri i Inspektorit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, nga një inspektor, nga një trupë inspektimi, nga një drejtues i inspektoratit rajonal, nga një drejtues i inspektoratit qendror, që flet, sepse, në teori, ka qenë që ‘duhen për shefin’, unë i kam bërë të gjitha të qarta. Nuk ka më ‘për shefin’, të paktën për mua, këtu lart”, deklaroi Sula.

“Rama më riktheu dinjitetin”

Gjatë intervistës, Dashnor Sula foli edhe për marrëdhënien e tij me kryeministrin Edi Rama dhe emërimin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm.

Sula tha se ky emërim i ka dhënë mundësinë të dëshmojë vlerat e tij profesionale dhe morale.

“Dua të jem 1000 herë faqebardhë para shqiptarëve, 100 herë me Edi Ramën, sepse ai burrë më riktheu dinjitetin”, u shpreh ai.

Sipas Sulës, rikthimi i dinjitetit lidhet me mundësinë për të treguar se kush është dhe cilat janë vlerat e tij.

“Më ka rikthyer dinjitetin, në kuptimin jo se do isha harruar unë, por më dha mundësinë që unë të tregoj vlerat e mia morale, profesionale, kush jam. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua”, tha ai.

Në përfundim, Inspektori i Përgjithshëm e lidhi angazhimin e tij edhe me mënyrën se si dëshiron të kujtohet pas përfundimit të karrierës dhe jetës.

“Nuk do të rrojmë as 500 vjet, as 1000 vjet. Ka shumë vlerë të kujtohesh për mirë. Mirë është edhe të lëmë emrin e mirë familjes, fëmijëve, nipërve, mbesave, stërnipërve, kur të ikim nga kjo botë”, deklaroi Dashnor Sula.

Screenshot

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME