AF Elbasani është vetëm 90 minuta larg një momenti që mund të hyjë në historinë e klubit më të ri dhe më të suksesshëm në historinë e futbollit shqiptar. “Verdheblutë” do të zbresin nesër mbrëmje në fushën e stadiumit “Elbasan Arena”, aty ku do të përballen me KF Egnatia në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Shqipërisë, me synimin e madh për të siguruar një vend në finale dhe për t’iu afruar një trofeu që i mungon këtij qyteti prej dekadash.
Ndeshja e parë mes dy skuadrave është mbyllur në barazim 1-1, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën vendimtare. Ky rezultat e kthen përballjen e kthimit në një “finale të parakohshme”, ku çdo detaj mund të bëjë diferencën.
Në daljen përpara mediave, trajneri i AF Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, u shpreh realist dhe i kujdesshëm, duke theksuar se përballë do të kenë një kundërshtar të fortë dhe të organizuar. Ai vlerësoi maksimalisht Egnatian, duke nënvizuar se ekipi i tij duhet të jetë i përqendruar në çdo moment të lojës për të arritur objektivin.
Tekniku serb pranoi se ndeshja mund të jetë e gjatë dhe e lodhshme, duke mos përjashtuar as mundësinë e shtesave apo edhe goditjeve të penalltive. Për këtë arsye, ai theksoi se skuadra është përgatitur për çdo skenar, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë psikologjik.
Një rol kyç në këtë sfidë pritet të luajnë edhe tifozët elbasanas. Gvozdenoviç bëri thirrje për një mbështetje sa më të madhe nga shkallët e stadiumit, duke e konsideruar publikun si një “lojtar të 12-të” që mund të shtyjë skuadrën drejt finales së shumëpritur.
Ndërkohë, klubi ka nxjerrë në shitje biletat për këtë përballje vendimtare, me çmime që variojnë nga 200 deri në 2000 lekë të rinj, duke synuar një prani masive në stadium. Interesi pritet të jetë i lartë, pasi bëhet fjalë për një ndeshje me peshë të madhe sportive dhe emocionale për qytetin.
Sfida do të luhet të mërkurën në orën 19:00 dhe pritet të jetë një nga përballjet më të forta të sezonit, ku Elbasani kërkon të shkruajë historinë dhe të rikthehet në elitën e trofeve të futbollit shqiptar.


