Ish-zëvendëskryeministrja Ermelinda Meksi: Kur vendi është në krizë, urtësia duhet të marrë fjalën!

Ish-zëvendëskryeministrja dhe ish-ministrja e Integrimit Evropian bën thirrje për përgjegjësi politike, dialog dhe një zgjidhje që i shërben vendit. “Dhuna nuk është zgjidhje, por as shpërfillja e shkaqeve të zemërimit nuk sjell paqe”, thekson ajo.

TIRANË, 16 tetor 2026 /Albania Express News/-Ermelinda Meksi, ish-zëvendëskryeministre dhe ish-ministre e Integrimit Evropian, ka reaguar për situatën politike në vend, duke bërë thirrje për urtësi, përgjegjësi dhe dialog, në një moment që e cilëson të vështirë për Shqipërinë.

Në një reagim të publikuar më 16 tetor 2026, Meksi thekson se krizat nuk zgjidhen duke mohuar problemet, duke shpërfillur pakënaqësinë qytetare apo duke vendosur interesat e ngushta mbi interesin kombëtar.

Duke iu referuar përvojës së saj shumëvjeçare në politikë dhe angazhimit në OSBE, ajo nënvizon se stabiliteti i qëndrueshëm nuk mund të garantohet duke heshtur pakënaqësinë, por duke adresuar shkaqet që e krijojnë atë.

Sipas Meksit, kur besimi te qeverisja është tronditur dhe pakënaqësia qytetare është bërë e dukshme, deklaratat e zakonshme nuk janë të mjaftueshme. Në këto kushte, ajo vlerëson se nevojitet guxim politik për t’u përballur me realitetin dhe për të gjetur një rrugëdalje që i shërben vendit.

Një pjesë të rëndësishme të reagimit të saj, Meksi ia kushton përgjegjësisë së forumeve politike dhe nevojës për debat të hapur, reflektim dhe vendimmarrje kolektive. Ajo thekson se drejtuesit politikë duhet të dëgjojnë edhe zërat kritikë dhe ta vendosin interesin e vendit mbi çdo konsideratë tjetër.

“Kërkesa për largimin e Kryeministrit nuk mund të shpërfillet dhe as të bëhet shkak për përplasje të mëtejshme”, shprehet Meksi, duke kërkuar që kjo kërkesë të trajtohet me përgjegjësi politike, në respekt të vullnetit qytetar dhe procedurave demokratike.

Në këtë kuadër, ajo u bën thirrje drejtuesve politikë, deputetëve, forumeve politike, intelektualëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile që të marrin përgjegjësitë që kërkon momenti.

Meksi kërkon hapjen e një procesi të vërtetë konsultimi dhe dialogu, ku të dëgjohen shqetësimet e qytetarëve, veçanërisht të studentëve, dhe të shqyrtohen me seriozitet mundësitë për kapërcimin e krizës.

Duke u ndalur te protestat, ajo nënvizon se dhuna nuk mund të jetë zgjidhje, por as shpërfillja e shkaqeve të zemërimit qytetar nuk mund të sjellë paqe. Sipas saj, është e rëndësishme të shmangen provokimet, të mbrohen protestat paqësore dhe të parandalohet thellimi i përçarjeve shoqërore.

Në përfundim të reagimit të saj, Ermelinda Meksi thekson se interesi i Shqipërisë duhet të qëndrojë mbi çdo individ, post apo parti politike.

“Është koha që politika të tregojë urtësi, jo duke fituar kohë, por duke gjetur zgjidhje”, përfundon ajo, duke bërë thirrje për përgjegjësi politike dhe veprim në interes të vendit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

FRANCË – Pas trazirave, kryeministri Lecornu njofton vendosjen e shtetrrethimeve lokale

TIRANË, 19 tetor 2026 /Albania Express News/-Kryeministri francez, Sébastien...

Gonxhja në Balkan Sea Fair: Turizmi dyfishoi të ardhurat në 3 vjet

TIRANË, 19 tetor 2026 /Albania Express News/-Ministri i Turizmit,...

Humbje e madhe për futbollin e Librazhdit, ndahet nga jeta Ilirjan Lavdari, kapiteni legjendar i Sopotit

Mesfushori me teknikë dhe vizion të spikatur, lideri i...