Ish-këshilltari i Clinton: Investimi në Sazan do të sjellë miliarda dollarë dhe do të transformojë Shqipërinë

SHBA ,29 qershor 2026/Albania Express News/-Ish-këshilltari i presidentit amerikan Bill Clinton, Christopher Hyland, e ka cilësuar projektin për zhvillimin e ishullit të Sazanit, të propozuar nga Jared Kushner, si një mundësi të jashtëzakonshme ekonomike për Shqipërinë dhe një investim me ndikim ndërkombëtar.

Në një intervistë për Euronews Albania, Hyland u shpreh se Shqipëria duhet të mbetet e hapur ndaj investimeve strategjike, duke theksuar se projekti për Sazanin mbështetet nga investitorë të fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite dhe vende të tjera të botës.

Sipas tij, ishulli i Sazanit ndodhet aktualisht në një gjendje të degraduar dhe ka nevojë për investime të mëdha që do ta transformonin plotësisht atë. Ai vlerësoi se në këtë projekt pritet të investohen miliarda dollarë, të cilat do t’i japin Shqipërisë një dimension të ri ekonomik dhe turistik.

“Shqipëria duhet të jetë e hapur për investimet. Projekti i Kushner-it është një projekt shumëkombësh nga SHBA, Arabia Saudite dhe investitorë nga e gjithë bota. Ishulli ku do të investohet është në një farë mënyre i rrënuar dhe investitorët do të derdhin miliarda dollarë për ta ndryshuar. Në një farë forme, kjo është një dhuratë për Shqipërinë”, deklaroi Hyland.

Gjatë intervistës, ai kujtoi edhe marrëdhëniet historike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, duke përmendur rolin e presidentit Woodrow Wilson në mbrojtjen e integritetit territorial të vendit pas Luftës së Parë Botërore. Sipas tij, mbështetja amerikane ndaj Shqipërisë ka qenë e vazhdueshme ndër vite.

Hyland theksoi gjithashtu se mbrojtja e mjedisit duhet të mbetet një prioritet, duke u shprehur se është një nga mbështetësit më të fortë të ruajtjes së zonave të mbrojtura. Megjithatë, ai argumentoi se zhvillimi i Sazanit mund të realizohet duke respektuar natyrën dhe duke krijuar një destinacion modern turistik.

Duke sjellë në vëmendje përvojën e tij nga vizitat në parqet kombëtare shqiptare, ai vlerësoi se investimet në infrastrukturë turistike, hotele dhe resorte mund të bashkëjetojnë me mbrojtjen e mjedisit, ndërsa nënvizoi se këto projekte duhet të jenë të aksesueshme edhe për qytetarët shqiptarë, në mënyrë që ata të përfitojnë drejtpërdrejt nga zhvillimi ekonomik dhe turistik i vendit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME