SARANDË ,18 gusht 2026/Albania Express News/-Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka inspektuar në Vrinë përfundimin e fazës së parë të rehabilitimit të argjinaturës së kanalit K-17, një ndërhyrje që synon të rrisë mbrojtjen e tokave bujqësore të zonës nga përmbytjet, erozioni dhe depërtimi i ujërave të kripura.
Salla shoqërohej nga kryetari i Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, dhe kryetari i Bashkisë Konispol, Ergest Dule. Gjatë inspektimit u bë e ditur se në fazën e parë janë përforcuar rreth 1.3 kilometra argjinaturë, ndërsa puna do të vijojë me fazën e dytë, e cila synon rehabilitimin e plotë të saj.
Ndërhyrja konsiderohet me rëndësi për mbrojtjen e më shumë se 2 mijë hektarëve tokë bujqësore në zonën e Vrinës. Përforcimi i argjinaturës pritet të reduktojë rrezikun e përmbytjeve dhe erozionit, por edhe depërtimin e ujërave të kripura nga Kanali i Vivarit, një problematikë që ndër vite ka ndikuar në cilësinë e tokave bujqësore të kësaj fushe.

“Faza e parë ka përfunduar dhe do të vijojmë me ndërhyrjet e tjera, në mënyrë që investimi të kompletohet si një cikël i plotë për të gjithë zonën. Me mbrojtjen e argjinaturës dhe funksionimin e hidrovorit mbrojmë mbi 2,000 hektarë tokë bujqësore”, deklaroi ministri Salla.
Sipas tij, investimet e parashikuara për zonën kapin vlerën e rreth 20 milionë eurove dhe përfshijnë një paketë të integruar ndërhyrjesh në infrastrukturën bujqësore, me fokus mbrojtjen e tokave, ujitjen dhe kullimin.
“E gjithë kjo paketë investimesh shkon diku te 20 milionë euro për këtë zonë bujqësore, për të mbrojtur tokat, për t’u shërbyer me vaditje dhe për të garantuar kullimin e tyre”, tha Salla.

Ministri u ndal edhe te ndikimi i ndryshimeve klimatike dhe intensifikimi i reshjeve, duke theksuar se investimet në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit duhet të kryhen në mënyrë parandaluese dhe përpara periudhave me risk të lartë.
“Klima ka ndryshuar. Nëse reshjet që më parë shpërndaheshin në tre muaj, tani mund të bien në dy javë, kjo krijon përmbytje dhe problematika të tjera. Prandaj duhet të marrim masa dhe të investojmë në kohë. Po përgatisim një paketë projektesh për zonat ku kemi nevojë të ndërhyjmë në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh ai.
Në paketën e ndërhyrjeve për zonën e Butrintit përfshihet edhe puna në hidrovor, i cili ka një rol të rëndësishëm në kullimin e fushës së Vrinës. Paralelisht, parashikohet modernizimi i sistemeve të ujitjes dhe kullimit, me synim garantimin e mbrojtjes afatgjatë të tokave dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e prodhimit bujqësor.

Një tjetër zhvillim i njoftuar gjatë vizitës në Sarandë lidhet me sektorin e peshkimit. Ministri Salla bëri të ditur se, pas 17 vitesh, pritet të hapen kuotat për midhjet.
“Pas 17 vitesh do të hapim edhe kuotat për midhjet, që është një lajm shumë i mirë për Sarandën, Konispolin dhe gjithë Shqipërinë. Kjo do të ndihmojë ekonominë vendase dhe sektorin e peshkimit, ndërsa konsumatori do të ketë një produkt cilësor dhe me standardet e kërkuara”, deklaroi ministri.
Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, vlerësoi rëndësinë e investimeve për zonën e Vrinës, duke theksuar se ato kanë ndikim jo vetëm në prodhimin bujqësor dhe ekonominë lokale, por edhe në zhvillimin e turizmit.
Sipas tij, përmirësimi i infrastrukturës bujqësore dhe mbrojtja e territorit krijojnë një efekt zinxhir në aktivitetin ekonomik të zonës, duke mbështetur fermerët dhe duke rritur potencialin për zhvillim të qëndrueshëm.
Faza e dytë e rehabilitimit të argjinaturës K-17, së bashku me ndërhyrjet në hidrovor dhe sistemet e ujitjes e kullimit, synon të krijojë një sistem më të integruar mbrojtjeje për tokat bujqësore të Vrinës dhe të rrisë qëndrueshmërinë e zonës përballë përmbytjeve dhe fenomeneve të tjera natyrore.

