Kapetanovic: krimi nuk njeh kufij, siguria nuk mund të mbetet peng i tyre, RCC mbledh në Tiranë mbi 150 ekspertë

TIRANË, 10 nëntor 2026 / Albania Express News –Nga krimi i organizuar te sulmet kibernetike, nga përdorimi i dronëve te kërcënimet hibride, sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor kërkojnë më shumë bashkëpunim dhe më pak deklarata. Ky ishte mesazhi kryesor i Konferencës Rajonale të Sigurisë JUMBO 2026, që nisi sot në Tiranë.

Më shumë se 150 zyrtarë të lartë, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve të sigurisë nga rajoni, Bashkimi Evropian dhe organizatat ndërkombëtare janë mbledhur në Tiranë për të diskutuar përgjigjet e përbashkëta ndaj kërcënimeve gjithnjë e më komplekse të sigurisë.

Në hapje të konferencës dyditore JUMBO 2026, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanović, kërkoi që bashkëpunimi rajonal të matet me rezultate konkrete dhe jo vetëm me takime e deklarata.

“Deri në konferencën e ardhshme JUMBO, duhet të jemi në gjendje të tregojmë përmirësime konkrete: një procedurë që funksionon më mirë, një kontakt që mundëson një përgjigje në kohë, apo një mangësi në gatishmëri që është adresuar. Qytetarët tanë duhet të mund të përfitojnë nga bashkëpunimi për të cilin diskutojmë këtu”, deklaroi Kapetanović.

Mesazhi është i qartë: krimi i organizuar po bashkëpunon përtej kufijve, ndërsa institucionet e sigurisë duhet të jenë të afta të bashkëpunojnë të paktën po aq shpejt.

Kapetanović paralajmëroi se rrjetet kriminale veprojnë gjithnjë e më shumë në disa shtete njëkohësisht, duke e bërë të domosdoshëm shkëmbimin në kohë të informacionit, koordinimin e hetimeve dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve.

Ai theksoi se bashkëpunimi profesional në fushën e sigurisë mund të ndihmojë në ruajtjen e besimit dhe stabilitetit rajonal edhe në periudhat kur marrëdhëniet politike ndërmjet vendeve janë të tensionuara.

Në qendër të diskutimeve janë trafikimi i armëve, kontrabandimi i migrantëve, korrupsioni, përdorimi i teknologjive të reja nga grupet kriminale, sulmet kibernetike dhe kërcënimet hibride. Një vëmendje e veçantë u kushtohet edhe rreziqeve të sigurisë që lidhen me ndryshimet klimatike.

Konferenca do të shqyrtojë gjithashtu gjetjet paraprake të anketës rajonale SecuriMeter 2026, e cila mat perceptimet dhe shqetësimet e qytetarëve për sigurinë. Rezultatet e plota do të prezantohen javën e ardhshme në Konferencën e Sigurisë në Beograd.

Në hapjen e JUMBO 2026 morën pjesë ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Demo, përfaqësues të Ministrisë së Brendshme dhe diplomacisë italiane, si dhe të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Konferenca organizohet nga RCC, me mbështetjen e Italisë dhe Bashkimit Evropian, në partneritet me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë.

Në ditën e dytë, pjesëmarrësit do të punojnë në katër grupe tematike për të identifikuar rekomandime dhe masa praktike që përmirësojnë koordinimin dhe gatishmërinë rajonale.

Sfida e JUMBO 2026 është që, deri në takimin e ardhshëm, institucionet të mos raportojnë vetëm sa herë janë mbledhur, por çfarë kanë arritur të parandalojnë dhe të zgjidhin së bashku.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Rama së bashku me bashkëshorten në Pallatin Elize, Macron i pret në mbrëmjen presidenciale në Paris

TIRANË , 10 nëntor 2026/Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama...

Librazhdi përkujton 82-vjetorin e çlirimit, nderim dhe homazhe për dëshmorët e atdheut

LIBRAZHD, 10 nëntor 2026 / Albania Express News –...

Elbasan, miratohet bonusi i qirasë për 15 familjet e prekura nga dëmtimi i pallatit në lagjen “Qemal Stafa”

Këshilli Bashkiak akordon 1 milion lekë për subvencionimin e...

Agron Shehaj kundër takimit mes PS dhe PD për Reformën Zgjedhore: Ndryshimin nuk e ndalin dot

TIRANË , 10 nëntor 2026/Albania Express News/-Kryetari i Partisë...