Historia e panjohur e Dhaskal Todhrit: Alfabeti, lidhjet me Kishën dhe miti i vrasjes

Nga Bjorn Runa

TIRANË ,14 shtator 2026 /Albania Express News/-Priremi që figurat historike t’i nderojmë duke jua ‘fshirë’ një pjesë të konsiderueshme të jetës dhe rrethanave që i bënë ata që ishin. Arritjet e tyre mbijetojnë gjithmonë, por puna, besimet dhe shqetësimet e tyre të zakonshme kthehen në detaje të parëndësishme. Figura e Dhaskal Todhrit është e njohur për shumicën e shqiptarëve si ajo e mësuesit elebasanas, i cili krijoi një alfabet origjinal për shkrimin e shqipes, por dimë shumë pak rreth botës në të cilën një akt i tillë ishte i nevojshëm.

Në librin e tij “Bota e Todhrit. Elbasanasit që shkruanin ndryshe,” studiuesi Yll Rugova e rindërton këtë botë përmes kodikëve të kishave, regjistrave të esnafeve dhe dorëshkrimeve familjare. Teksa bisedoja me të në Apostrof, doja të kuptoja si kanë jetuar njerëzit brenda institucioneve dhe sistemeve të besimit që sot mund të duken të largëta, por që përbalël sfidave dhe vështirësive duket se shfaqnin sjellje jo shumë të ndryshme nga tonat.

“Bota e Todhrit ishte shumë e ndryshme, por në të njëjtën kohë shumë e ngjashme me botën tonë sot,” thotë Rugova, ndërsa përshkruan një shoqëri ku një numër i vogël njerëzish dinin të shkruanin dhe të lexonin dhe autoriteti perandorak nuk vihej në dyshim thuajse nga askush. Pjesa më e madhe e jetës së përditshme organizohej nga kisha, esnafet dhe familja dhe për ata që gëzonin sigurinë e ofruar nga këto institucione, kufijtë e përgjegjësive ishin relativisht të qarta.

Një shembull tipik i kësaj është ai gjyshit të Todhrit, Jançe Hila, për të cilin Rugova shkruan se punonte në dyqanin e tij dhe shkonte në kishë kur duhej dhe çdo gjë tjetër “ishte problem i Stambollit.” Ndërsa i përmenda ngjashmërinë që një distancë e tillë nga pushteti ka me shqiptarët sot, ku shumica ndihen se vendimet që qeverisin jetët e tyre merren diku larg dhe është e vështirë e thuajse e pamundur të ndikohen, Rugova thotë se duhet bërë kujdes me paralele të tilla. “Perandoria Osmane shihej si një autoritet i pandryshueshëm,” thotë ai. Tërheqja jonë nga jeta publike, nga ana tjetër, ndodh brenda institucioneve ndaj të cilave supozohet se jemi në gjendje t’i influencojmë. Për Jançen distanca nga autoriteti perandorak mund të shihej si diçka normale, ndërsa ajo që ne sot përjetojmë si zhgënjim politik mund të jetë një problem që për të nuk ekzistonte.

Nga ana tjetër, vetë Todhri sfidon idetë tona rreth progresit historik. I përfshirë thellësisht në jetën e Kishës, ai ndihmoi në zgjerimin e mundësive për shkrimin e shqipes. Rugova sugjeron se ka qenë pikërisht dëshira dhe interesi për përhapjen e krishtërimit dhe parandalimin e konvertimeve në islam, ato që me gjasë e kanë motivuar Todhrin për krijimin e një alfabeti origjinal dhe jo ndonjë ambicie nacionaliste, siç i janë atribuuar më vonë. “Ai thjesht po ju mësontë fëmijëve të shkruanin e të lexonin,” thotë Rugova, ndërsa thekson se kjo mbetet një hipotezë.

Por edhe vdekja e Todhrit është përdorur në njëfarë mënyre për të treguar histori që i kanë shërbyer më pas nacionalizmit shqiptar. Historia më e përhapur për vdekjen e tij është se ai u vra në vitin 1805, por dokumentet tregojnë shkrime të tijat që vazhdojnë deri në vitin 1818, kur ka qenë rreth të 90-tave. Vdekja e tij, megjithatë, mbetet e paregjistruar.

Libri e sjell Todhrin më të afërt si figurë duke zbuluar ndërlikimet dhe nuancat e historisë dhe jetës së tij. Besimet dhe idetë e tij mund të na tingëllojnë të largëta sot, por dëshira e botës rreth tij për stabilitet, jo edhe aq. Nuk na duhet ta imagjinojmë veten në shekullin e 18-të për të kuptuar vështirësinë e të pranuarit se bota që kemi trashëguar mund të mos vazhdojë të ekzistojë ashtu siç kemi pritur.

Transkripti i episodit të plotë

Bjorn Runa: Yll Rugova, mirë se vjen në Apostrof.

Yll Rugova: Faleminderit shumë për ftesën. Është kënaqësi të bisedoj me ju.

Do të flasim për librin tuaj më të fundit, “Bota e Todhrit. Elbasanasit që shkruanin ndryshe”. Është një libër që flet për jetën e Theodhor Haxhifilipit, ose siç e njohim më gjerësisht, Dhaskal Todhri, dhe hap gradualisht një dritare drejt të gjithë mjedisit që e rrethon këtë personazh historik, siç janë familja dhe qyteti i Elbasanit. Por, para se të hyjmë te bota e Todhrit, jam kurioz të di për mënyrën se si keni zgjedhur ta tregoni këtë histori. Libri është një mikrohistori dhe dua t’ju pyes së pari: çfarë është mikrohistoria dhe përse ndjetë të nevojshme ta rrëfenit historinë e Todhrit në këtë formë?

Mikrohistoria, ndoshta si term, por edhe si format, nuk njihet shumë, sidomos në mesin tonë. Por edhe ndërkombëtarisht nuk është se ka një jehonë tepër të madhe. Është një lëvizje që ka nisur diku në vitet shtatëdhjetë, kryesisht prej autorëve italianë. Carlo Ginzburg është një prej figurave ndoshta më të njohura të kësaj rryme, por për mua personalisht është shumë e rëndësishme edhe Natalie Zemon Davis, e cila ka librin “The Return of Martin Guerre”. Mënyra si është shkruar, si jepet rrëfimi për Francën e shekullit XVI, është vërtet mjeshtërore. Për të pasur mikrohistori — këtu ndoshta po hyj në pyetjen konkrete, çfarë është mikrohistoria — ajo ka të bëjë me ndjekjen apo hulumtimin e ndonjë personazhi në të kaluarën, që nuk është prej atyre personazheve heroike që njohim. Nuk është ndonjë mbret, ndonjë papë, ndonjë kalorës shumë i njohur, ndonjë shkrimtar apo mendimtar i madh, por janë njerëz të zakonshëm. Për shembull, në rastin e Carlo Ginzburgut kemi një mullixhi në veri të Italisë. Te Natalie Zemon Davis është një tregtar diku në thellësi të Francës; nuk e di saktësisht profesionin e tij. Janë njerëz që në realitet ndoshta kurrë nuk do ta kishin vëmendjen e publikut të gjerë, por përmes hulumtimeve dhe këndvështrimeve që një historian jep për jetën e tyre, bëhen interesantë për një publik më të gjerë. Ky është një dimension interesant i mikrohistorisë, sepse vjen pas atyre lëvizjeve të historisë sociale ku historia ka nisur të tregohet nga poshtë lart, jo nga lart poshtë. E dimë që, veçanërisht në shekullin XIX, historia ka qenë kryesisht në domenin e fitimtarëve të luftërave, veçanërisht për kombet që në atë periudhë po formësoheshin vazhdimisht. Historia ka qenë në funksion të kombit, të shtetit, të sundimtarëve. Me historinë sociale ajo zbret në një nivel tjetër: në nivelin e lëvizjeve qytetare, të lëvizjeve të punëtorëve e kështu me radhë. Mikrohistoria është një reagim apo një formë e historisë sociale, në të cilën nuk fokusohemi më te fenomenet, por te njerëzit, individët ose komunitetet më të vogla. Për mua ka qenë intriguese, sepse Todhri nuk është rast tipik për një mikrohistori, pasi megjithatë është personalitet i njohur. Pra, më shumë mund të themi se është biografi sesa mikrohistori. Por, nga ana tjetër, nëse shohim listën e punimeve rreth tij, vërejmë se në fakt është një autor që është marrë thellësisht me të: Dhimitër Shuteriqi. Të tjerët kryesisht i referohen Dhimitër Shuteriqit kur flasin për Todhrin. Nëse ka njëfarë jehone në qarqe shkencore, jo shumë në qarqe joshkencore, ajo bazohet në tekstet e Dhimitër Shuteriqit. Kështu që Todhri është personazh historik i rëndësishëm, por edhe nuk është. Prandaj më është dukur një zgjedhje shumë e mirë për këtë mikrohistori, por jo vetëm ai. E rëndësishme ka qenë të shoh botën ku ka vepruar, komunitetin me të cilin ka bashkëvepruar, që të kuptojmë në radhë të parë si ka qenë ky ndërveprim, cilat kanë qenë arsyet që kanë shtyrë aktivitetet dhe veprimet në atë komunitet dhe cilat janë rezultatet e vërteta në fund. Ndoshta do të flasim më gjerësisht në vijim, por më vonë janë ndërtuar edhe plot mite rreth figurës së Todhrit. Kur i shohim të dhënat drejtpërdrejt, nga dora e parë, mund ta bëjmë më lehtë dallimin mes realitetit dhe miteve të mëvonshme. Edhe një detaj të fundit do të thosha për mikrohistorinë: arkivat e pasura me të dhëna na lejojnë ndërtimin e mikrohistorive. Të tilla ka shumë në Itali, në Francë e gjetkë, por për mua ka qenë sfidë të shoh nëse diçka e tillë mund të ndërtohet edhe me arkivat tona në Shqipëri. Mund të them se veçanërisht Arkivi Qendror i Shtetit, por edhe arkivat e tjera, janë mjaft të pasura dhe na lejojnë të ndërtojmë edhe histori të tjera në një format të ngjashëm.

Diçka që më bëri përshtypje lidhet me burimet dhe dokumentet historike. E kam menduar gjithmonë atë periudhë si një lloj periudhe gjysmë të errët në historinë e Shqipërisë, kur nuk ka pasur shumë dokumente të shkruara. Ndoshta vërtet nuk ka pasur shumë, por në libër më bëri përshtypje që ka goxha detaje nga mbledhjet e kishës dhe të esnafeve. Ka një lloj rigoroziteti në mënyrën si ata njerëz janë përpjekur të ruajnë informacion mbi jetën e tyre shoqërore dhe mbi takimet që bënin.

Është e vërtetë. Të paktën në rastin e Elbasanit, këtu prapë po fokusohemi te një komunitet: komuniteti i të krishterëve të Elbasanit. Ata kanë pasur nën kontroll katër esnafe. Ka qenë një komunitet jo shumë i madh; aty e kam përmendur me shifra. Brenda kalasë duket se nuk janë më shumë se tetëqind vetë, kurse jashtë janë edhe një mijë e ca të tjerë. Prej tyre një pjesë janë vllehë. Ata e kanë njohur njëri-tjetrin. Kanë qenë të organizuar në katër esnafe të ndryshme. Secili esnaf ka pasur kodikët e vet, ku ka mbajtur shënimet. Kanë funksionuar tri kisha: Kisha e Shën Mërisë, brenda qendrës së kalasë; Kisha e Shën Kollit, që ka qenë më në jug; dhe Kisha e Shën Atanasit, që ka qenë në veri. Prej tyre, dy kishat, ajo e Shën Mërisë dhe e Shën Kollit, i kanë kodikët. Nuk besoj se i kemi të gjitha shënimet, por të paktën një pjesë e shënimeve të aktiviteteve të tyre janë ruajtur, duke u kthyer deri në shekullin XVII. Pra, ka shënime edhe nga shekulli XVII, jo vetëm nga shekulli XVIII. Kur mblidhen të gjitha këto, përfshirë edhe kodikët familjarë — kemi kodikë të disa familjeve — na ndërtohet një pasqyrë e mirë e jetës së elbasanasve të krishterë në këtë periudhë. Edhe për mua ka qenë befasi që në disa raste mund të hyjmë në detaje mjaft konkrete e të imta. Kështu që pajtohem se edhe për mua ka qenë befasuese kjo pjesë. Ndërkohë, më vjen pak keq që nuk kam pasur mundësi të shqyrtoj edhe dokumentet e shkruara në osmanisht, sepse edhe të tilla ka shumë. Për shembull, çfarë vendimesh ka marrë kadiu? Zakonisht të krishterët i kanë nxjerrë vendimet mes tyre, por pastaj ka qenë edhe niveli më i lartë osman, i cili në disa raste është përfshirë. Për këtë studim nuk kam pasur mundësi ta shqyrtoj atë pjesë të burimeve. Besoj se do ta kishte pasuruar edhe më tej studimin.

Libri fillon me momentin kur po mbahet një mbledhje për hapjen e shkollës së parë në Elbasan, një shkollë në gjuhën greke. Më bën përshtypje sepse është momenti i parë kur prezantohemi pak a shumë me botën e Todhrit. Shohim për herë të parë babanë e tij, Filipin, që merr pjesë si një nga përfaqësuesit e esnafit të argjendarëve dhe bën edhe një donacion. Megjithatë, ajo që më bëri përshtypje është se, edhe në këtë episod, por edhe në disa momente të tjera, ju evidentoni që ai nuk shquhej si filantrop në komunitetin e tij. Si e shihni këtë moment kur dhuron para për hapjen e shkollës? Është një lloj investimi për djalin e tij, që gjithashtu është në moshë për të filluar shkollën, apo është një investim për komunitetin?

Është e vërtetë që disa herë e kam theksuar se nuk ka qenë shumë filantrop. Një prej arsyeve pse e theksoj këtë është për të treguar se shkolla mbase ka qenë arsyeja pse Todhri më vonë është bërë ai që është bërë, pra është marrë me alfabet e me dije. I ati duhet të ketë pasur ndonjë prirje për ta çmuar shkollën. Fakti që nuk jep shumë të holla për gjëra të tjera, por jep për shkollën, është një prej treguesve që Filipi vetë ka qenë më i dhënë pas shkollës sesa mund të duket. Ideja pse e kam theksuar ka qenë pikërisht kjo. Natyrisht, më vonë shohim dy djemtë e tij: Todhri merret kryesisht me shkollën, kurse Jakovi, djali tjetër, është më shumë i dhënë pas afarizmit. Ai më vonë zhvillon afarizmin me familjen Popa, me Jakov Popën dhe Apostol Popën, dhe bëhet i suksesshëm. Në një moment bëhet edhe kujdestar i esnafit të argjendarëve, që është një pozitë shumë e lartë. Ndërkohë, Todhri mbetet kryesisht te çështjet e shkollës dhe të kishës, sepse ai edhe e përkthen liturgjinë në shqip. Por është shumë interesante, për t’iu kthyer pak këtyre të dhënave, që edhe kur Todhri e zhvillon alfabetin më vonë, shkrimet e kishave mbeten gjithmonë në greqisht, me alfabet grek. Kjo nuk ndryshon asnjëherë. Shumë rrallë, vetëm në dy-tri raste, ka ndonjë fjalë me alfabetin e Todhrit në kodikët e kishave. Kurse shkrimet shqipe barten në tekste të ndara që kanë të bëjnë me familjet. Për shembull, familjet i mbajnë me alfabetin e Todhrit shënimet e lindjeve, të vdekjeve, kur kanë ndërtuar një shtëpi, kur kanë rrënuar një shtëpi e kështu me radhë. Edhe për afarizmin ka disa kodikë ku llogaritë — për shembull, ky më ka marrë borxh, atij i kam dhënë kaq kilogramë miell — mbahen me alfabetin e Todhrit. Edhe korrespondenca mes tyre bëhet me alfabetin e Todhrit. Por kisha mbetet me gjuhën greke dhe alfabetin grek. Është shumë interesante kjo ndarje: nuk shohim të jetë provuar futja e alfabetit të Todhrit në kishë.

A ka një shpjegim për këtë zgjedhje, për përdorimin e dy alfabeteve të ndryshme? Ekziston edhe besimi që ka pasur një lloj përplasjeje midis Todhrit dhe Kishës për shkak të alfabetit. Nuk e di sa i vërtetë është, sepse nga libri del se ai është goxha i përfshirë në jetën e Kishës, në jetën fetare, dhe nuk duket sikur ka ndonjë konflikt.

Në asnjë rast, të paktën nga dokumentet që kam mundur të shoh, nuk kam parë ndonjë konflikt mes Kishës dhe Todhrit. Në fakt, konfliktet nisin më vonë, në shekullin vijues. Atëherë, ndoshta të nxitura edhe nga nacionalizmi, nisin rryma të reja që e problematizojnë gjuhën. Por në shekullin XVIII nuk kam mundur të shoh diçka të tillë. Nuk e kemi shumë të qartë pse Todhri e ka krijuar këtë alfabet. Unë jap disa sinjale, disa tregues, por që nuk janë vërtetuar plotësisht. Një prej tyre është se në botën ku ka jetuar Todhri tashmë kanë qarkulluar disa alfabete origjinale për gjuhën shqipe, të nxitura nga fryma më të hershme, që po ashtu nuk kanë qenë fryma të nacionalizmit. Ato kanë pasur një arsye tjetër për shfaqjen e tyre. Unë jap aty edhe një hipotezë të vogël: është Kozma i Durrësit, i cili ka studiuar te Propaganda Fide në Romë. Propaganda Fide ka pasur si pjesë të metodologjisë përdorimin e gjuhëve lokale për përhapjen e fesë. Kozma i Durrësit vjen nga Roma dhe vendoset në Elbasan në fund të shekullit XVII. Është një autor që thotë se ai e ka zhvilluar gjuhën shqipe, edhe me një alfabet për të, në atë kohë. Unë besoj se ka qenë në frymën e kësaj ideje: të shfrytëzohen gjuhët lokale për ta përhapur më mirë fenë dhe për të penguar konvertimet, sepse konvertimet masive kanë ndodhur në atë kohë. Këtë frymë e ka trashëguar pastaj Todhri. Ai ka lindur në një botë ku ideja e krijimit të një alfabeti për shqipen nuk ka qenë e panjohur. Besoj se pikërisht në rininë e tij ka vepruar edhe Grigori i Durrësit, i cili po ashtu ndoshta ka qenë i frymëzuar nga Kozmai. Edhe ai ka krijuar një alfabet të vetin, kështu që Todhri gjithsesi e ka gjetur të gatshme këtë ide. Ajo që ndoshta e dallon Todhrin nga të tjerët është se ka pasur më shumë sukses, sepse alfabeti i tij është pakrahasimisht më i përhapuri prej këtyre alfabeteve origjinale që kanë qarkulluar në atë mjedis, që përfshin, përveç Elbasanit, edhe Beratin e Voskopojën. Ky është një trekëndësh shumë interesant i veprimtarisë që ka të bëjë me alfabetet. Kështu që nuk mund t’i veshim projektit një karakter kombëtar. Unë besoj se lidhet më shumë me idenë që, për ta përhapur fenë, e kemi më të lehtë nëse liturgjinë e përkthejmë në shqip. Por, nga ana tjetër, pse ka mbetur kisha në gjuhën greke? Sepse asnjëherë nuk ka qenë ideja të sfidohet kisha. Ajo është parë si njëfarë bërthame e komunitetit, sepse edhe ka qenë e tillë. Gjuha shqipe është parë si shtesë për komunitetin, për atë pjesë të popullit që ndoshta nuk e ka folur gjuhën greke, sepse ka pasur shumë të tillë, dhe që ka pasur nevojë ta ketë liturgjinë të përkthyer në shqip.

E thamë që libri është i fokusuar te komuniteti ortodoks i Elbasanit. Megjithatë, Elbasani në atë kohë ishte një qytet ku bashkëjetonin të krishterët dhe myslimanët. Jam kurioz: a ka të dhëna, informacion se si mund të ketë qenë kontakti i përditshëm mes tyre? A bënin tregti me njëri-tjetrin, a shkëmbenin vizita apo kishte një ndarje të fortë midis tyre?

Duhet ta them përsëri që, fatkeqësisht, nuk e kam trajtuar mjaftueshëm këtë aspekt të komuniteteve të tjera, veçanërisht të komunitetit mysliman, as bashkëveprimin. Mendoj se kjo do ta kishte pasuruar shumë librin, por nuk kam pasur mundësi, sepse është një vëllim shumë më i madh dokumentesh që duhet shqyrtuar dhe ka qenë e pamundur për këtë studim. Por, nga ato pak informacione që marr prej kodikëve të komunitetit ortodoks, gjithsesi ka pasur bashkëveprim. Madje, në disa raste, edhe nëpër kisha, mes emrave të nënshkruar ka emra myslimanësh. Kjo më është dukur interesante, por nuk mund ta shpjegoj tërësisht pse ndodh. Nga ana tjetër, te afarizmi këto raste janë edhe më të shpeshta. Aty përzihen emrat tërësisht: kush merr borxh, kush blen e kush shet. Vazhdimisht janë emra herë myslimanësh e herë të krishterësh. Nuk ka ndonjë problem shumë të madh në këtë ndërveprim, kështu që besoj se nuk ka pasur ndonjë konflikt të madh mes komuniteteve. Në disa kapituj jam munduar të shpjegoj se të krishterët kanë qenë të organizuar dhe kanë pasur një lloj autonomie. Esnafet kanë funksionuar si ndërmjetës mes Perandorisë dhe qytetarëve të krishterë. Edhe kisha ka qenë njëfarë institucioni që e ka negociuar këtë ndërmjetësim. Në shumicën e rasteve, për shembull për mosmarrëveshjet mes tyre, nuk janë marrë me gjykatësin osman, nuk kanë shkuar te kadiu, por i kanë trajtuar mes tyre. Esnafi ose kisha i kanë zgjidhur këto probleme. Vetëm nëse ka qenë ndonjë problem më i madh, ose nëse problemi ka qenë mes një të krishteri dhe një myslimani, atëherë është përfshirë kadiu dhe e ka zgjidhur. Besoj se mundësia për të vepruar në mënyrë autonome u ka dhënë hapësirë që të mos kenë konflikt me të tjerët dhe të kenë një bashkëjetesë të mirë e të shëndoshë. Më vonë, sidomos në shekullin vijues, shohim se në disa momente trazirat përshkallëzohen deri në ato përmasa sa merren masa ndaj të krishterëve. Për shembull, u ndalohet afarizmi, nuk u lejohet të shesin në treg e kështu me radhë. Por ky është fenomen i shekullit vijues. Në shekullin XVIII unë nuk kam parë diçka të tillë.

Në lidhje me rolin e esnafeve, ju përmendët sa të rëndësishme ishin dhe se shërbenin si ndërmjetës midis komunitetit dhe autoriteteve osmane. Ka një fragment ku flitet edhe për gjyshin e Todhrit, Jançen, dhe një frazë që më mbeti në mendje — po e parafrazoj, nuk po e citoj drejtpërdrejt: “Punonte në punishten e tij, shkonte në kishë kur duhej, paguante taksat dhe çdo gjë tjetër ishte problem i Stambollit”. Më mbeti në mendje sepse, kur po e lexoja, më tingëlloi shumë e afërt me kohën tonë. Të kujton pak marrëdhënien që ne shqiptarët e sotëm kemi me qendrat e pushtetit, qoftë me Tiranën, Prishtinën apo Brukselin.

E vërtetë. Bota e Todhrit ka qenë shumë e ndryshme, por edhe shumë e ngjashme me botën e sotme. Dallimet lidhen, për shembull, me faktin që një pjesë e madhe e popullatës nuk ka ditur shkrim e lexim, pra informacionet janë shkëmbyer kryesisht në mënyrë gojore. Prandaj edhe në vitin 1736 e hapin shkollën, sepse duan ta ndryshojnë këtë situatë. Pastaj, niveli i diturisë shkencore ka qenë krejt tjetër. Shoqëria nuk ka qenë laike: kisha ka qenë e padiskutueshme, xhamia ka qenë e padiskutueshme dhe autoriteti ka qenë i padiskutueshëm. Unë nuk besoj se në Elbasan, në atë periudhë, është diskutuar kundër Perandorisë Osmane. Ajo është parë si autoritet i pandryshueshëm. Nuk ka pasur aty diçka që të kërkonte diskutim të mëtejshëm. Por, brenda këtyre pikave të palëvizshme, banorët e qytetit kanë jetuar me njëfarë begatie, sidomos kur porti i Durrësit ka qenë shumë funksional, në fund të shekullit XVII dhe në fillim të shekullit XVIII. Tregtia ka ndikuar që qyteti të jetë i pasur dhe të krishterët të kenë një jetë të mirë, cilësore. Prandaj besoj se nisin të mendojnë për shkollim, sepse jetën e kanë të mirë. Besoj se e njëjta gjë ka qenë edhe te myslimanët. Elbasani në atë kohë ka qenë një prej qyteteve kryesore, në një moment ndoshta kryesori në gjithë truallin shqiptar. Kështu që jeta e pjesëtarëve të esnafeve, që përbënin një komunitet të mbyllur, ka qenë e mirë. Kanë pasur punët e veta, esnafin e vet, të hollat e veta. Nuk ka pasur ndonjë lëvizje të madhe ideologjike që ta sfidonte mendimin. Sot kemi lëvizje të vazhdueshme ideologjike që na interpelojnë nga të gjitha anët: politike, fetare, nga e majta, nga e djathta, çfarëdo që të ndryshojë. Në atë kohë ka qenë shumë më e qartë. Morali ka qenë i qartë, është ditur çfarë është jeta, çfarë roli ka i moshuari, burri, gruaja. Ka qenë krejt tjetër botë. Prandaj Jançe Hila, gjyshi i Todhrit, nuk ka përjetuar jetë të vështirë në këtë aspekt. Për ta, vështirësi kanë qenë murtajat dhe krizat klimatike që kanë ardhur herë pas here, sepse atyre nuk ka mundur t’u ikë askush. Luftërat nuk kanë depërtuar në kalanë e Elbasanit, por murtajat dhe krizat klimatike po. Këto kanë qenë ndoshta të vetmet që ua kanë shqetësuar jetën elbasanasve në atë kohë, përfshirë Jançen. Kjo ndoshta e dallon pak atë botë nga e sotmja, sepse sot jemi shumë më të ndikuar nga rryma të ndryshme, veçanërisht me rrjetet sociale, dhe kemi një dilemë të vazhdueshme për gjithçka. Kemi shumë mundësi zgjedhjeje për gjithçka. Besoj se në kohën e Todhrit, të gjyshit të Todhrit, dilema ka qenë shumë më e vogël, mundësitë e zgjedhjes më të pakta, prandaj jeta ka qenë më e thjeshtë e ndoshta me më pak halle. Megjithatë, kjo është diçka që e supozoj. Nuk kam mundur të hyj në mendjen e Jançes, por e supozoj.

Murtajat dhe çështjet klimatike ishin ndër problemet me të cilat ata përballeshin. Sidomos murtaja duket sikur shfaqet vazhdimisht: rikthehet, ikën, rikthehet, ikën. Megjithatë, ajo që bie në sy është se sa herë që epidemia përfundon, ata i rikthehen normalitetit dhe festimeve sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Madje citoni edhe një udhëtar italian që habitet se sa shpejt banorët u kthehen festimeve pas një katastrofe. Jam kurioz nëse, nga studimet tuaja dhe nga ato që keni lexuar, mund të na thoni cilat kanë qenë format e argëtimit të kohës. Si mund t’i përfytyrojmë muzikën, ushqimet dhe vallëzimin që shoqëronin këto festa?

Ata kishin teferiçet. Flas pak për to në libër. Janë festa zakonisht treditore, por mund të zgjasin edhe më shumë ose më pak, që mbahen në një fushë diku, varësisht nga organizatori. Secili esnaf kishte festat e veta dhe kishat, shpesh me panaire, kishin festat e tyre. Për shembull, te Manastiri i Shën Gjonit ishte i njohur panairi që mbahej në fushën afër manastirit. Kemi një poezi të Nezim Frakullës që flet për teferiçin e Beratit dhe shpjegon pak si është organizuar, çfarë kanë bërë, si ka qenë muzika e kështu me radhë. Me këto informacione mundemi përsëri vetëm të imagjinojmë, por megjithatë ka detaje të mjaftueshme për të pasur një ide si kanë funksionuar këto teferiçe dhe çfarë muzike kanë pasur. Është shumë interesante. Këtë, më duket, nuk e kam përmendur në libër, por diku rreth vitit 1650, një muzikant, regjistrues i muzikës, që vjen nga Polonia, në mos gaboj, vjen edhe në Elbasan dhe regjistron një këngë. Regjistron tekstin dhe notat. Në mos gaboj, e ka botuar para disa vjetësh Bardhyl Demiraj. Kjo na jep edhe më shumë një ide si ka tingëlluar ajo muzikë, çfarë fjalësh kanë thënë nëpër ato këngë. E dimë që nuk kanë qenë njerëz që u kanë ikur festave, sepse në kodikë përmenden vazhdimisht teferiçet: u mbajt ky teferiç, u mbajt ai teferiç. Për mua ka qenë interesante që, sa herë përmendeshin murtajat në Durrës, në kodikët e Elbasanit mungonin të dhënat. Shumë shpesh, kur kishte murtajë, nuk kishte të dhëna në kodikë, sepse nuk mbaheshin as dasma. Pas këtyre mungesave nisnin teferiçet. Gjithmonë ishin teferiçet që nisnin të parat. Pra, të jep përshtypjen se menjëherë pas problemeve vinin festat. Kjo është mënyra si e kam lexuar unë: pasi kishin pasur disa dekada me jetë shumë të mirë, kur nisën vështirësitë në vitet tridhjetë të shekullit XVIII, populli i Elbasanit ende nuk donte t’i pranonte ndryshimet. Prandaj, sa herë kishte vështirësi, i shihnin si kalimtare dhe nisnin festat. Kjo vazhdon deri në fund të shekullit. Në fund të shekullit më duket se realiteti materializohet plotësisht; festat rrallohen dhe ka më pak shpresë që bota të cilën kanë trashëguar do të vazhdojë të ekzistojë.

Burimet, kodikët dhe regjistrat e kohës na japin informacione për pjesëmarrjen e Todhrit në mbledhje e aktivitete të ndryshme, por kemi pak të dhëna për atë që mendonte dhe për karakterin që mund të ketë pasur. Një nga të paktat gjëra që dalin dhe që ju përmendni është modestia në firmosje. Ndryshe nga të tjerët, ai firmos vetëm me emër, pa tituj apo grada, dhe shpesh vetëm me një formë të shkurtër të emrit të tij. Është një detaj i vogël, por nuk mund t’ia mohojmë rëndësinë nëse mund të thotë shumë për të.

Për vetë faktin që kemi shumë tekste të shkruara nga dora e tij, në kodikë, veçanërisht duke nisur nga vitet gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë e tetëdhjetë, është dominues në shumë prej tyre teksti i shkruar nga Todhri. Përveç shkrimit dhe nënshkrimit në fund, ka shumë pak informacione të tjera. Besoj se, përderisa i ka pasur ata kodikë në dorë, mund të kishte shkruar ndonjëherë edhe diçka tjetër anash, por nuk e ka bërë. Nuk kemi gati asnjë informacion tjetër për të në këta kodikë, përveç atyre që lidhen me aktivitetin për të cilin shkruan ose me nënshkrimin, që zakonisht është i thjeshtë. Thotë: “Edhe unë, Theodhor Haxhifilipi”, ose “Edhe unë, Todhri”, ose nganjëherë përdor vetëm një shkurtim të emrit, sepse nuk e shkruan të plotë, “mora pjesë së bashku me të tjerët”. Dhe është gjithmonë i fundit. Nuk shkon i pari, por i fundit. Nëse shohim të atin, Filipin, ai ishte gjithmonë në krye të listës. Todhri është gjithmonë në fund. Besoj se kjo është një shenjë e modestisë së tij. Nuk besoj se ka qenë i parëndësishëm në komunitet, përderisa vetë i ka mbajtur shënimet, por mendoj se është pjesë e modestisë së tij. Një fakt tjetër që mund ta mbështesë këtë është se asnjëherë nuk e shkruan emrin si mësues apo si klerik, edhe pse nuk ka qenë klerik. Nuk e vendos emrin e vet në ndonjë cilësi. Ka qenë mësues, e dimë, sepse dikush tjetër në një rast shkruan se Joani është i biri i Theodhor mësuesit, Dhaskal Todhrit, por ai vetë asnjëherë nuk e quan veten mësues. Prandaj mendoj se kjo është një prej shenjave që na jep tregues për modestinë e tij. Një gjë tjetër është se edhe në shkrimet, në përkthimet e tij e kështu me radhë, që dimë se vijnë prej tij, nuk ka gati asnjëherë diçka që flet për karakterin e Todhrit, për të si personalitet. Është interesante të imagjinosh një figurë, një person që kontribuon për të tjerët, pa pasur synimin të promovojë veten. Sot jemi në një botë ku secili është influencer, secili krijon diçka me synimin që të dihet se e ka krijuar ai. Ideja që të krijosh për komunitetin pa pasur një synim për veten mendoj se në atë kohë ka qenë shumë më e shpeshtë se sot. Ndoshta pa të drejtë ia vesh edhe Todhrit, që ai ka qenë i tillë.

Sa lidhet kjo me prirjen e tij pak më konservatore, edhe brenda botës ortodokse, brenda botës së krishterë? Ju përmendni se në atë kohë, nën ndikimin edhe të rrymave që vinin nga Perëndimi, kishte filluar një lloj përplasjeje midis atyre që mund t’i quajmë konservatorë dhe liberalë brenda krishterimit. Todhri duket se anon më tepër nga konservatorët.

Po. Më vonë, sidomos në historiografinë tonë dhe në biografitë që kemi nga Dhimitër Shuteriqi, Todhri shihet si një prej iluministëve të parë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e cila më vonë ka kulmuar me Rilindjen e kështu me radhë. Në fakt, nëse shohim të dhënat, shohim se nuk ka qenë shumë i dhënë pas Iluminizmit. Unë dyshoj që ka lexuar diçka prej iluministëve. Ndërsa një klerik tjetër, të cilin besoj se e ka njohur mirë, Teodor Kavalioti, po: ai ka qenë i njohur me frymat iluministe të kohës dhe me autorët, por edhe ai ka qenë kundër tyre në njëfarë mënyre. Edhe Kavaliotin nuk mund ta quajmë iluminist në kuptimin e plotë të fjalës. Todhrin edhe më pak. Shohim se Todhri ka besëtytni. Për shembull, kur ndodh një krizë në vitin 1783, ai mban një shënim në Kodikun e Shën Mërisë ku thotë: “Këto po ndodhin për shkak se ne jemi duke bërë mëkate”. I lidh drejtpërdrejt ndryshimet klimatike me mëkatet e njerëzve. Shohim edhe që është i lidhur fort me Kishën. Nuk ka kurrfarë indicie që ka ndonjë konflikt me të. Madje, në një rast kemi një dokument, prej të rrallëve që vijnë nga Stambolli, ku shihet se në një moment ka qenë përgjegjës për njërin prej patriarkëve që të mbledhë taksat e komunitetit të krishterë në Elbasan. Pra, ka qenë i lidhur ngushtë jo vetëm me Kishën, por në një moment edhe drejtpërdrejt me Stambollin. Nuk ka kurrfarë shenje që ka qenë në kundërshtim me frymat e zakonshme të kohës. Po ashtu, ndër përkthimet që bën është një katekizëm, të cilin e përkthen në shqip. Katekizmi është për përhapjen e fesë te fëmijët, një libër bazë shkollor i fesë. Pastaj është liturgjia e Shën Gjon Gojartit. Asnjë prej materialeve që shohim prej tij nuk na jep përshtypjen e diçkaje që ka të bëjë me Iluminizmin. Edhe përrallat e Ezopit kanë qenë shumë të përhapura në atë rreth. Kështu që nuk kemi mundur të gjejmë diçka që të na japë sinjalin se kemi të bëjmë me dikë që po rebelohet. Janë disa poezi, të cilat nuk e dimë nëse janë shkruar në atë kohë, ku flitet për luftën kundër sundimit osman. Aty përmendet: “T’i heqim qafe agarenët”. Por këto janë poezi të botuara në vitin 1858 dhe ia atribuojnë Todhrit. Besoj se është e mundur t’i ketë shkruar ai. Nëse i ka shkruar, atëherë ndoshta në një moment është bërë pjesë e lëvizjeve politike të kohës. Por edhe këto lëvizje përsëri nuk kanë të bëjnë me ndonjë përndritje; janë reagime të zakonshme të kohës.

Po si qëndron kjo kundërthënie mes të qenët tradicionalist e konservator, por në të njëjtën kohë modernizues? Sepse është dikush që po shpik një alfabet të ri për shqipen, që po përpiqet që shqipja të shprehet me alfabetin e saj. Zakonisht, kur flasim për diçka modernizuese, përdorim fjalë si “liberal”, diçka që përkon me këto ide.

E vërtetë. Ky ka qenë argumenti që është përdorur shumë shpesh për ta lidhur shpikjen e alfabeteve origjinale me idenë e një vetëdijeje kombëtare. Shumë autorë më vonë, kur janë marrë me këto, kanë pasur këtë ide, përfshirë edhe Robert Elsie-n, i cili ka qenë gjithmonë shumë i kujdesshëm kur ka shkruar për nacionalizmin. Por, kur shkruan për alfabetet, e thotë troç se janë prej shkëndijave të para të vetëdijes kombëtare. Për mua nuk është e thënë të ketë qenë ndonjë shkëndijë e vetëdijes kombëtare. Mendoj se ka të bëjë më shumë me fenomenin e rritjes së numrit të njerëzve që dinë shkrim e lexim. Shohim se në fillim të shekullit për të cilin flasim shumë pak njerëz dinë shkrim e lexim: ndonjë tregtar, ndonjë klerik në kishë, por shumica e popullit nuk dinte. Shkollën e hapin me synimin që të rritet numri i njerëzve që dinë shkrim e lexim. Kjo nis para se Todhri të jetë i rritur dhe pastaj besoj se ai e vazhdon këtë projekt. Duke shpikur alfabetin, ai po përhap shkrim-leximin te populli i Elbasanit. Nuk është ndonjë projekt radikal; po përhap shkrim-leximin. E thashë më herët se idenë për alfabetin e ka gjetur të gatshme. Ka pasur Grigorin e Durrësit, Kozmain e Durrësit. Pra, nuk ka qenë diçka që e ka shpikur nga e para. Prandaj nuk besoj se ai është ndier sikur po bënte ndonjë inovacion të madh. Po i mësonte fëmijët të shkruanin dhe të lexonin. Kjo është hipoteza ime, natyrisht. Një detaj i mikrohistorisë që më pëlqen, sidomos te Natalie Zemon Davis, është se ajo flet për spekulimet. Mikrohistoritë na lejojnë të shohim shumë detaje, por ndonjëherë ato nuk të japin gjithë të vërtetën, kështu që duhet të bësh supozimet e tua. Ajo këto supozime i quan spekulime. Një faktor i rëndësishëm është që spekulimet duhet të veçohen nga faktet. Vazhdimisht jam munduar t’i veçoj në libër mendimet e mia: ky është mendimi im, ky është një lloj spekulimi im. Nuk them asnjëherë se kjo është e gjithë e vërteta, por se, sipas fakteve që kam lexuar, mendoj se kjo është mënyra ose arsyeja pse ka ndodhur diçka.

Ekziston një stereotip, një lloj perceptimi popullor në Shqipëri sot. Jam i ndërgjegjshëm që me këtë pyetje po projektoj një stereotip modern në një shoqëri të para tre shekujve dhe po bëj të gjitha gabimet që historianët paralajmërojnë se nuk duhen bërë. Por ekziston një lloj stereotipi në lidhje me Elbasanin, Shqipërinë e Mesme dhe përhapjen e homoseksualitetit. E kam parë gjithmonë si stereotip, por në libër ka një pasazh ku thuhet se marrëdhëniet mes burrave nuk ishin të panjohura në Elbasanin e shekullit XVIII.

Unë pikërisht për këtë arsye e kam përfshirë atë pjesë. Është interesante që mes teksteve me alfabetin e Todhrit që kanë mbijetuar, dhe që duhet të jenë prej më të vjetrave, është edhe një pasazh biblik që flet për homoseksualitetin. Është një lloj kundërshtimi i marrëdhënieve burrë me burrë. Nuk e di përmendësh formulimin, që besoj se vjen nga vetë Todhri, por mua më ka bërë përshtypje pse është përzgjedhur pikërisht ai. Ka shumë fragmente biblike që janë përkthyer dhe kanë mbijetuar. Unë nuk e di, nuk besoj se Todhri e ka përkthyer gjithë Biblën, edhe pse më vonë është thënë se e ka përkthyer të gjithën. Mendoj se ka fragmente që janë përdorur nëpër mesha e ngjarje të ndryshme, të përkthyera për arsye liturgjike. Një prej tyre është edhe ky për homoseksualitetin. Pse do të lexohej një pasazh i tillë nëse nuk ka homoseksualë në shoqëri? Pastaj aty lidhemi edhe me Nezim Frakullën, i cili, në një poezi kur flet për Elbasanin, në fakt flet sa të bukur janë dylberët në qytet. Besoj se është shumë e mundur që perceptimi i atëhershëm për marrëdhëniet mes personave të së njëjtës gjini të ketë qenë ndryshe nga perceptimi që kemi sot. Sot përsëri jemi të ndikuar nga rryma të ndryshme, nga të dyja anët. Kemi përshtypjen se është diçka që nuk bën të diskutohet, nuk bën të bëhet. Nuk mendoj se në atë periudhë ka qenë aq strikte. Ka qenë ndoshta diçka që i ka takuar më shumë sferës private. Kush ka bërë çfarë ka bërë, i ka takuar sferës private. Megjithatë, është e mundur që në një moment të ketë arritur në ato përmasa sa është dashur të lexohet e të përmendet nëpër kisha që nuk duhet, që sipas Kishës nuk lejohet diçka e tillë. Përsëri, këtu po bëj një lloj spekulimi, por nuk besoj se është shumë larg asaj që mund të ketë qenë realiteti.

Edhe pse flasim për Elbasanin dhe Shqipërinë nën Perandorinë Osmane, ku feja myslimane e pengon këtë gjë, feja e krishterë ortodokse gjithashtu. Pra, është një mjedis goxha konservator nga të dy krahët, po ta marrësh kështu.

Sot, po. Por nuk besoj se situata ka qenë njësoj në atë kohë. Kam përshtypjen se nuk është parë në të njëjtën mënyrë. Me siguri nuk ka qenë diçka që është bërë publikisht dhe është folur për të, por nuk besoj se është parë në të njëjtën mënyrë si sot. Sot është çështje politike; atëherë nuk ka qenë çështje politike.

Do të doja të ndaleshim pak edhe te vdekja e Todhrit, ose më saktë te vdekja që në njëfarë mënyre u shpik për të më pas. Historia më e përhapur është se ai u vra në vitin 1805, teksa kthehej në Elbasan me shkronjat e alfabetit të derdhura në plumb. Por nga dokumentet që përmendni në libër rezulton se Todhri ishte ende gjallë të paktën deri në vitin 1818, kur kemi edhe shkrimin e fundit të tij. Deri në atë kohë duhet të ketë qenë, siç thoni ju, rreth të nëntëdhjetave dhe vazhdonte ende të punonte si skrib, si shkrues. Pra, a është historia e vrasjes së tij thjesht një mit që është ndërtuar më vonë?

Kjo është ndoshta një nga shkëputjet më të mëdha që të dhënat nxjerrin mes biografive të mëvonshme të Todhrit dhe realitetit. E them edhe në fillim të librit se shumë prej biografive që janë ndërtuar më vonë për Todhrin, duke kulmuar me atë të Dhimitër Shuteriqit, që është më e detajuara dhe më e studiuara, kanë gjithmonë një lloj interpretimi politik. Kanë një arsye politike pse shkruhen në këtë apo atë formë. Në fillim, kur Konstandin Kristoforidhi flet për Todhrin, ai është në shërbim të vetë Konstandin Kristoforidhit, i cili mundohet të mbledhë e të bëjë një gjuhë të përbashkët për shqiptarët. Ai thotë se Theodhor Haxhifilipi, që ka qenë elbasanas, ka mbledhur fjalë prej të gjitha vendeve të Shqipërisë dhe ka krijuar një shkrim e një gjuhë të pasur, sepse ky ka qenë projekti i vetë Kristoforidhit. Pastaj vijnë Jeronim de Rada dhe Thimi Mitko, të cilët kanë probleme të tjera, edhe me Kishën Ortodokse Greke e kështu me radhë. Për ta dalin disa çështje të tjera. Ata thonë se Todhri ka provuar të marrë një shtypshkronjë dhe, duke dashur t’i sjellë gërmat në Elbasan, është vrarë rrugës. Në fakt, Thimi Mitko dhe Jeronim de Rada nuk përmendin grekë si vrasës në këtë rast. Edhe këtë duhet ta theksoj. Për ta, megjithatë, më i rëndësishëm ka qenë projekti i shtypshkronjës sesa çështja që lidhet me grekët. Në interpretimin e tretë, që e bën Dhimitër Shuteriqi, e së pari Lef Nosi, fillon të përmendet edhe mundësia që grekët, për shkak se nuk e kanë pëlqyer projektin e Todhrit, e kanë vrarë rrugës. Por në fakt, asnjëra prej këtyre nuk ka të bëjë me të vërtetën. Idenë se Todhri ka pasur një shtypshkronjë e ndeshim për herë të parë në vitin 1883. E jep Jeronim de Rada në revistën e tij dhe thotë se e ka dëgjuar nga Thimi Mitko. Para kësaj, për shembull, Konstandin Kristoforidhi nuk flet asnjëherë për këtë projekt. Gjithsesi, në dokumente nuk duket as afërsisht të ketë ndonjë ide apo shkëndijë të idesë për të ndërtuar një shtypshkronjë. Në fakt, të dhënat tregojnë se shkrimi i Todhrit vazhdon deri në vitin 1818. Atëherë ka qenë shumë më i vjetër dhe duket se nuk ka qenë në kushtet më të mira. Nëse në vitet 1770–1780 ka pasur një jetë pak më të mirë, në fund të jetës nuk e ka pasur shumë të mirë. Prandaj duhet të ketë punuar te një pjesëtar i një esnafi dhe e ka ndihmuar me mbajtjen e shënimeve. Kjo është e vetmja gjurmë e tij që mbetet deri në fund. Për vdekjen e tij është shumë interesante, fatkeqësisht: për të tjerët ka shumë shënime. Elbasanasit kanë mbajtur shënime: vdiq ky, vdiq ai. Për Todhrin nuk thuhet kurrë se ka vdekur. Në asnjë kodik nuk përmendet vdekja e tij. Për mua kjo ka qenë interesante: pse nuk e përmendin? A është e mundur që në fund të jetës të mos jetë parë me sy të mirë prej elbasanasve? Ndoshta. Këtu bëj përsëri një lidhje: në një moment qyteti përfshihet nga zjarret dhe ka një murtajë të madhe e kështu me radhë. Ndoshta e lidhin në fund me shkrimin e tij. Është pak një ironi: ai është munduar vazhdimisht t’u ikë mëkateve, ndërsa unë them se në fund ndoshta ka dështuar pikërisht për shkak të mëkateve. Por këto nuk i dimë, nuk ka shënime. Ajo që dimë është se Todhri ka qenë gjallë deri në vitin 1818. Për këtë nuk ka ndonjë dilemë. Dimë gjithashtu se nuk ka qenë më i përfshirë as te Shën Mëria, as në shkollë, as te Shën Kolli, në asnjërin prej funksioneve që kishte pasur deri atëherë në qytet. Ka pasur vetëm një funksion te esnafi i gëzoftarëve, ku ka mbajtur shënime për një person të caktuar. Kështu që duhet ta ketë pasur jetën në izolim në fund dhe besoj se ka vdekur pa ndonjë nderim të madh nga të tjerët, për faktin se askush nuk e ka shënuar vdekjen e tij. Kjo e bën më tragjike vdekjen e tij, por jo aq madhështore sa do të kishim dashur të ishte me atë historinë e shtypshkronjës.

Një pyetje të fundit. Pas gjithë kësaj kohe që keni kaluar me Todhrin, me studimin dhe shkrimin e librit, cila është gjëja më e rëndësishme që do të donit të mësonit për të dhe që ndoshta nuk keni arritur ende ta gjeni?

Ka shumë. Për mua është shumë e rëndësishme, për shembull, pyetja pse humbasin shkrimet e tij. Kemi disa qindra faqe me shkrimin e Todhrit që kanë mbijetuar në arkiva të ndryshme, përfshirë Tiranën, Vjenën, madje edhe Athinën, në Greqi, por nuk kemi asnjë shkrim të vetëm që vjen nga dora e Todhrit. Janë gjithmonë kopjime të mëvonshme të nxënësve të tij ose të të tjerëve. Për mua kjo është një pyetje: pse janë djegur ato dokumente? Sepse thuhet më vonë se janë djegur. Kristoforidhi vetë e thotë. Pse janë djegur? Si ka ndodhur ky proces? Do të doja të kishim ndonjë dokument që flet për këtë proces. Do të doja të kishim ndonjë dokument tjetër nga vetë Todhri, ku flet për projektin e krijimit të alfabetit e kështu me radhë. Për mua do të ishte shumë interesante. Besoj se nuk është e pamundur të ketë diku [togfjalësh i paqartë në transkript] të tij nga koha kur shpikte alfabetin. Do të kishte shumë vlerë. Nga ana tjetër, kemi një pasazh që është ruajtur në një përkthim të katekizmit. Nëse është nga vetë Todhri, është shumë me vlerë, sepse ai thotë, pak a shumë po e parafrazoj: “Unë e bëra këtë përkthim dhe dhashë disa fjalë në gjuhën shqipe, të cilat nuk i kisha më herët”. U desh t’i shpikte, sepse nuk i kishte gjuha shqipe. “Për shkak se keni nevojë ju shqiptarët ta përvetësoni këtë katekizëm dhe t’i ktheheni rrugës së Zotit.” Këtu kemi ndoshta një shfaqje të vogël të idesë që e ka shtyrë Todhrin të merret me alfabetin, me këto shkrime dhe me projektin e arsimimit të elbasanasve. Këtu përsëri kthehemi tek ajo që thamë më herët: pse e ka bërë Todhri këtë? Me gjasë, më shumë sepse ka dashur t’u ikë mëkateve. Për t’u ikur mëkateve duhet të rritet vetëdija e popullit sa i përket fesë, jo diçkaje tjetër, por fesë. Kjo është vetëm një pikë. Do të doja të kisha shumë më tepër të tilla. Atëherë argumenti im ndoshta do të ishte shumë më i fortë në këtë aspekt.

Ju, si historian, merreni me të shkuarën, me dokumentet dhe burimet. Por, nëse mund të bëjmë një ushtrim imagjinate dhe të kalonit një ditë normale me Todhrin, cila do të ishte ajo që do të zgjidhnit?

Ndoshta do të ishte kur është kthyer në Elbasan. Në vitin 1769, më duket, ai përfundimisht nis të shfaqet në kodikët e Elbasanit dhe prej atij momenti bëhet shumë aktiv në jetën e qytetit. Mendoj se është një moment shumë i rëndësishëm për vetë shqiptarët, për gjithë komunitetin, për gjithë Shqipërinë, sepse pikërisht në vitin 1769 ndodhin shumë ndryshime. Patrikana e Ohrit shuhet pak a shumë në ato vite, rrënohet Voskopoja, porti i Durrësit humbet rëndësinë, Pashallëku i Shkodrës nis të forcohet shumë. Pra, është një ndryshim i madh dhe pikërisht në atë moment Todhri del si figurë në skenë. Do të doja të kaloja ndonjë ditë me të në atë periudhë. Ka qenë ende relativisht i ri, kështu që do të ishte shumë interesante ta njihja jetën e tij. Por, nëse mund të them diçka në fund, me këtë projekt më ka rastisur të qëndroj në Elbasan. Kam banuar në njërën prej shtëpive aty, në shtëpinë e familjes Papajani, shumë afër Kishës së Shën Mërisë. Mendoj se Elbasani si qytet është i mrekullueshëm. Kalaja është e jashtëzakonshme dhe është një prej pikave që, fatmirësisht, turizmi ende nuk e ka kapur plotësisht. Nga ana tjetër, është një prej qendrave që ka nevojë për investime nga institucionet qendrore, sepse është një lloj margaritari i pazbuluar i Shqipërisë. Nuk duhet lënë as në harresë, as në mëshirën e kohës. Ato ndërtesa të vjetra janë të rëndësishme, sepse në muret e tyre ruhet kjo histori. Duhet të rinovohen, të ruhen, të muzealizohen, ndoshta të funksionalizohen e kështu me radhë. Ka shumë nevojë për ndihmën e komunitetit dhe të institucioneve në këtë drejtim. Njerëzit janë krejt të magjepsur nga Berati, Korça, Gjirokastra, por Elbasani ka po aq histori, në mos më shumë.

Shumë faleminderit! Ishte kënaqësi.

Faleminderit shumë, Bjorn. Kënaqësia ishte e imja. Shpresoj që mundëm të diskutonim siç duhet dhe t’i shprehnim të gjitha mendimet siç duhet. Në çdo rast, për mua ishte shumë kënaqësi të bisedoja.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME