Mbi 1 milion leje qëndrimi për shqiptarët në BE në 18 vjet, Gjermania kalon Greqinë dhe bëhet destinacioni i dytë në 2025

TIRANË ,14 shtator 2026 /Albania Express News/-Të dhënat e Eurostat tregojnë përmasat e emigracionit shqiptar drejt vendeve të Bashkimit Europian gjatë 18 viteve të fundit. Nga viti 2008 deri në vitin 2025, shtetasve shqiptarë u janë dhënë gjithsej 1,082,224 leje qëndrimi për herë të parë, ose rreth 1.1 milionë leje.

Në periudhën 2008–2016 u dhanë rreth 509.5 mijë leje, ndërsa vitet me shifrat më të larta ishin 2008–2010, kur numri i lejeve arrinte në rreth 70–100 mijë në vit. Kjo lidhet kryesisht me formalizimin e qëndrimit të emigrantëve shqiptarë që ishin larguar më herët, veçanërisht në Itali dhe Greqi.

Në këtë periudhë, Italia dhe Greqia përbënin rreth 90% të të gjitha lejeve, përkatësisht 53% Italia dhe 37% Greqia.

Pas vitit 2012, numri i lejeve ra ndjeshëm, duke krijuar përshtypjen e një ngadalësimi të emigracionit. Megjithatë, pas vitit 2016, largimet drejt vendeve europiane nisën sërish të rriten.

Vetëm gjatë periudhës 2017–2025 u dhanë rreth 573 mijë leje të reja, më shumë se në nëntë vitet e mëparshme.

Gjermania ngjitet në vendin e dytë

Një nga ndryshimet më të rëndësishme në hartën e emigracionit shqiptar është rritja e peshës së Gjermanisë.

Në periudhën 2017–2025, Italia dhe Greqia dhanë së bashku rreth 62% të lejeve, me Italinë në 41% dhe Greqinë në 21%. Ndërkohë, Gjermania përbën rreth 20%, duke u shndërruar në një destinacion gjithnjë e më të rëndësishëm, veçanërisht për shqiptarët që synojnë punësimin dhe profesionet e kualifikuara.

Në total, që nga viti 2008, Gjermania ka dhënë rreth 124 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë. Në këtë renditje, ajo mbetet pas Italisë, me rreth 500 mijë leje, dhe Greqisë, me rreth 311 mijë.

Franca ka dhënë rreth 28 mijë leje, Belgjika rreth 14.3 mijë dhe Suedia rreth 13 mijë, ndërsa vendet e tjera kanë dhënë më pak se 10 mijë leje secili.

68,653 leje në vitin 2025

Vetëm gjatë vitit 2025, vendet e BE-së dhanë 68,653 leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë, rreth 4% më shumë se një vit më parë. Në vitin 2024, numri i lejeve kishte shënuar një rënie prej 14%.

Për herë të parë, Gjermania u rendit në vendin e dytë, duke kaluar Greqinë. Në vitin 2025:

  • Italia: rreth 31.7 mijë leje;
  • Gjermania: rreth 17 mijë;
  • Greqia: rreth 10 mijë;
  • Franca: rreth 2.4 mijë;
  • Belgjika: rreth 1.3 mijë.

Vendet e tjera dhanë më pak se 1 mijë leje secili.

Sipas të dhënave të Eurostat, 46.3% e lejeve të vitit 2025 u dhanë për arsye familjare, 29.4% për punësim dhe 0.8% për arsye edukimi.

Ndërkohë, për Mbretërinë e Bashkuar, të dhënat e disponueshme tregojnë rreth 20 mijë leje qëndrimi për periudhën 2008–2018, ndërsa pas kësaj periudhe të dhënat nuk raportohen në të njëjtën mënyrë. Britania ka qenë gjithashtu një prej destinacioneve të preferuara të shqiptarëve gjatë viteve të fundit, veçanërisht pas rritjes së ndjeshme të kërkesave për azil në vitin 2022.

Shifrat e 18 viteve të fundit tregojnë se emigracioni vijon të ketë një ndikim të rëndësishëm në demografinë shqiptare, madhësinë e popullsisë dhe tregun e punës, ndërsa ndryshimi i destinacioneve tregon një orientim gjithnjë e më të madh drejt vendeve të Europës Qendrore dhe Veriore.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME