Fluks i jashtëzakonshëm turistësh në Parkun Kombëtar Shebenik, dëbora deri në 80 cm e ka kthyer në magnet për hiking

Parku Kombëtar i Shebenikut po përjeton një nga periudhat më të bukura dhe më të frekuentuara të viteve të fundit. Dhjetëra vizitorë nga e gjithë Shqipëria, të organizuar në grupe, po zgjedhin çdo ditë këtë perlë të turizmit malor për të përjetuar magjinë e dimrit dhe aventurën e hiking-ut mes natyrës së paprekur.

Peizazhi është mbresëlënës ,dëbora ka arritur trashësinë nga 50 deri në 80 centimetra, duke e shndërruar Shebenikun në një destinacion ideal për dashamirësit e natyrës, sporteve malore dhe ecjeve dimërore. Shtigjet e bardha, pyjet e mbuluara nga dëbora dhe ajri i pastër po ofrojnë një eksperiencë unike për vizitorët.

Sipas Lyto Alliu, një prej guidave turistike të zonës, ky fillim viti ka shënuar një rritje të ndjeshme të fluksit të turistëve, ku pjesa më e madhe zgjedhin Parkun Kombëtar të Shebenikut pikërisht për  hiking gjatë stinës së dimrit.

“Shebeniku po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turizmin malor. Këtë dimër interesi ka qenë shumë i madh dhe grupet vijnë çdo ditë për të shijuar natyrën dhe dëborën,” shprehet Alliu.

Ky interes në rritje konfirmon potencialin e madh të Shebenikut si një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit natyror në vend, duke i dhënë një tjetër impuls zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm dhe promovimit të bukurive alpine të Shqipërisë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME