Kampionati Kombëtar i Basketbollit për meshkuj ka rinisur pas pauzës së Kombëtares me hapjen e javës së tetë të sezonit të rregullt, ku vëmendja ishte te përballja mes Elbasanit dhe Apolonisë. Ndeshja u zhvillua në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”, ndërsa fierakët regjistruan një fitore bindëse me rezultatin 80-111, duke marrë përkohësisht edhe kryesimin e renditjes.
Takimi nisi më mirë për vendasit, të cilët fituan periodën e parë 26-23. Megjithatë, reagimi i Apolonisë ishte i menjëhershëm, duke dominuar çerekun e dytë 15-31 dhe duke shkuar në pushimin e madh me avantazhin 41-54.
Superioriteti i miqve vijoi edhe në pjesën e dytë, ku ata fituan periodën e tretë 17-24 dhe të katërtën 22-33, duke vulosur një sukses të pastër me 31 pikë diferencë.
Austin Holt u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes (MVP) me 18 pikë dhe 11 kërcime, ndërsa u mbështet fort nga Quincy Ademokoya me 26 pikë, Djorkaeff Campbell me 19 pikë dhe Justin Sylver po me 19 pikë. Për Elbasanin spikatën Vacario Triplett me 27 pikë dhe Alban Çela me 22.

Java e tetë do të vijojë këtë të shtunë me tri përballje interesante: Flamurtari-Pogradeci në orën 13:00, derbi i veriut Vllaznia-Besëlidhja në orën 18:00, si dhe ndeshja Teuta-Fieri në të njëjtën orë.
Dy takimet e fundit të javës do të luhen të dielën: Kamza-Skënderbeu në Bathore në orën 14:00 dhe superderbi Tirana-Partizani në orën 18:00 në sallën “Farie Hoti”. Ky duel vë përballë dy skuadrat më të titulluara të basketbollit shqiptar, Tiranën me 21 tituj kampionë dhe Partizanin me 33 tituj.

