FAKTORI CHURCHILL

NGA NERTIL JOLE

TIRANË, 1 nëntor 2026 /Albania Express News/-Në librin “Faktori Churchill”, Boris Johnson, ish-kryeministër i Britanisë së Madhe dhe ish-kryebashkiak i Londrës, sjell portretin e Winston Churchill-it, kryeministrit që udhëhoqi Mbretërinë e Bashkuar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që la gjurmë të pashlyeshme në historinë politike europiane dhe botërore.

Churchill-i është një nga personazhet e mi të preferuar të historisë politike për karizmën, forcën e karakterit dhe gjenialitetin e mendimit. Por jo vetëm për këto.

Ai përfaqëson rastin e veçantë të një politikani që ruajti të palëkundura bindjet e tij dhe aftësinë për të vepruar sipas asaj që e konsideronte interesin e vendit. Churchill-i e ushtroi veprimtarinë e tij politike mes vështirësish që i dhanë kosto edhe në karrierë.

Lëvizjet e tij të forta në skenën politike britanike, por edhe më gjerë, nuk mund të shpjegohen gjithmonë përmes pozicioneve ideologjike, por duhen parë edhe në kontekstin e zhvillimeve të kohës.

Në fund të fundit, për Churchill-in, çështja themelore ishte Britania dhe pozicioni i saj në përcaktimin e ngjarjeve në Europë e botë.

Portretin e tij e mbaj në këndin e librave në shtëpi. Përveçse si kujtim të një figure emblematike nga vendi ku kam studiuar, edhe si simbol të një bindjeje se angazhimi në politikë duhet të jetë një mision që shkon përtej vetvetes.
Ai duhet të jetë një përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar besim, për të krijuar mundësi ndryshimi dhe për të qenë në një marrëdhënie të vërtetë me qytetarët.

Churchill-it i atribuohet ideja se karakteri i njeriut kuptohet më mirë kur i jepet pushtet. Historia, në shumë raste, na ka treguar se pushteti nuk e ndryshon domosdoshmërisht njeriun. Shpesh, thjesht zbulon atë që ai është.

Fytyra e vërtetë e një politikani nuk është ajo që ai përpiqet t’i paraqesë publikut, por ajo që zbulohet përmes veprimeve, sjelljes shoqërore dhe politikave që e udhëheqin, si dhe përmes efekteve që qytetarët përjetojnë në jetën e tyre të përditshme si pasojë e kësaj qasjeje.

Një politikan mund të kontrollojë në një farë mase imazhin që ndërton për veten, por jo të vërtetën që lë pas.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME