TIRANË, 18 shtator 2026 /Albania Express News/ – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka pësuar një dëmtim në këmbë gjatë një ndeshjeje futbolli në ambientet e ajrimit të paraburgimit të Durrësit, ku ndodhet prej shkurtit të vitit 2025.
Sipas burimeve, incidenti ka ndodhur rreth dy javë më parë. Pas dëmtimit, Veliaj është dërguar në një spital privat në Tiranë, ku ka kryer ekzaminimet radiografike. Këmba e dëmtuar është vendosur në allçi dhe aktualisht ai vijon të marrë trajtimin mjekësor.
Veliaj ndodhet në paraburgim ndërsa ndaj tij vijon gjykimi në themel. SPAK e akuzon për një sërë veprash penale, ndër të tjera korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg. Veliaj i ka mohuar akuzat.
Në planin gjyqësor, më 15 shtator Gjykata e Lartë la në fuqi masën e arrestit në burg ndaj Veliajt. Çështja ishte rikthyer për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese më 25 maj, e cila kishte kërkuar që Gjykata e Lartë të arsyetonte lidhur me proporcionalitetin e masës së sigurimit.
Në vendimin e saj, Gjykata e Lartë pritet të argumentojë edhe arsyet përse, në rastin konkret, nuk është konsideruar e përshtatshme një masë më e lehtë sigurie, duke marrë në konsideratë edhe faktin se Veliaj vijon të mbajë postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Ndërkohë, mbrojtja e kryebashkiakut pritet ta ndjekë çështjen edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

