Dinamo City kërkon fitoren e katërt radhazi ndaj Laçit, Ilir Daja: Kujdes me tranzicionin

TIRANË, 18 shtator 2026 /Albania Express News/ – Dinamo City synon të vijojë serinë e rezultateve pozitive në Abissnet Superiore, teksa këtë javë do të përballet me Laçin në “Elbasan Arena”, në kuadër të javës së pestë të kampionatit.

Blutë vijnë në këtë përballje pas tri fitoreve radhazi, ndërsa objektivi i skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja është të mbyllë këtë periudhë përpara pauzës së kampionatit me një tjetër rezultat pozitiv.

Përballë do të jetë Laçi, i cili gjithashtu po kalon një moment të mirë dhe ka grumbulluar 7 pikë.

Në prag të sfidës, trajneri Ilir Daja e ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, duke paralajmëruar një ndeshje të luftuar dhe të ekuilibruar.

“Përpara kemi një ndeshje që do të jetë e bukur dhe shumë e luftuar nga të dyja skuadrat, të cilat vijnë nga një moment pozitiv. Ne kërkojmë vazhdimësinë e rezultateve pozitive, duke qenë se vijmë pas tri fitoreve radhazi, ashtu si edhe Laçi, që nuk është mbrapa, duke parë se ka grumbulluar shtatë pikë”, u shpreh Daja.

Trajneri dinamovit theksoi se skuadra e tij duhet të ruajë ekuilibrat në prapavijë dhe të jetë veçanërisht e kujdesshme ndaj mënyrës se si Laçi kalon në tranzicion.

“Ne do të kërkojmë të imponojmë lojën tonë, por duhet të kemi gjithashtu kujdes me ekuilibrat në prapavijë, sepse Laçi është një skuadër që del mirë në tranzicion”, deklaroi ai.

Daja foli edhe për gjendjen fizike të skuadrës, duke bërë me dije se gjatë javës së përgatitjeve nuk ka pasur në dispozicion të gjithë grupin për shkak të disa dëmtimeve dhe shqetësimeve muskulore.

Megjithatë, zgjerimi i kontingjentit i jep stafit teknik më shumë alternativa për menaxhimin e ngarkesës dhe rotacionin e lojtarëve.

“Një grup më i zgjeruar na jep mundësinë që t’i rikuperojmë siç duhet lojtarët që nuk do të jenë të pranishëm, ashtu siç na krijon mundësinë të bëjmë edhe rotacion për ndonjë lojtar që nuk ka qenë në gjendjen më të mirë fizike.”

Sipas Dajës, skuadra ka pasur kohën e nevojshme për përgatitjen e sfidës dhe synon maksimalisht tri pikët.

Në fund, trajneri i Dinamo City i ka bërë thirrje tifozëve që të jenë të pranishëm në “Elbasan Arena” për të mbështetur skuadrën.

“Prania e tifozëve i jep tjetër bukuri ndeshjes dhe ne kemi gjithmonë nevojë për ta. Futbolli luhet për tifozët dhe mbështetësit, ndaj ne do të bëjmë më të mirën tonë për t’i kënaqur”, përfundoi Daja.

Sfida ndaj Laçit do të jetë ndeshja e fundit e Dinamo City përpara pauzës trejavore të kampionatit, e cila vjen për shkak të angazhimeve të ekipeve kombëtare. Blutë synojnë ta mbyllin këtë fazë me një tjetër rezultat pozitiv dhe të ruajnë ecurinë e mirë të javëve të para.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME