Emocione të forta te Portugalia para sfidës me Kroacinë, “Luzitanët” luajnë ndeshjen e jetës në Botëror në përvjetorin e vdekjes së Diogo Jotës

BOTËRORI 2026 ,2 korrik 2026/Albania Express News/-Ndeshja e Portugalisë ndaj Kroacisë në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës do të ketë një ngarkesë të jashtëzakonshme emocionale, pasi do të luhet në përvjetorin e parë të ndarjes tragjike nga jeta të sulmuesit Diogo Jota.

Edhe pse sfida zhvillohet mbrëmjen e 2 korrikut në Toronto, në Portugali ora do të ketë kaluar mesnatën, duke shënuar 3 korrikun – datën kur një vit më parë Jota humbi jetën në një aksident tragjik automobilistik në Spanjë, së bashku me vëllain e tij, Andre Silva.
Kombëtarja portugeze e ka mbajtur gjallë kujtimin e ish-sulmuesit të Liverpoolit gjatë gjithë rrugëtimit në Botëror. Trajneri Roberto Martinez e ka shpallur Jotën “anëtar nderi” të skuadrës, ndërsa mesfushori Ruben Neves mban fanellën me numrin 21, që i përkiste mikut të tij të ngushtë.

Përpara ndeshjes së parë të Portugalisë në Botëror u mbajt një ceremoni prekëse në nder të Jotës, ku prindërit e tij, Isabel dhe Joaquim Silva, nuk mundën t’i mbanin lotët.
Mbrojtësi Vitinha tha se skuadra ka një motivim shtesë për këtë përballje.
“Kemi shumë arsye për ta fituar këtë ndeshje, por kjo datë e bën gjithçka edhe më të veçantë. Luajmë për familjet tona, për Diogo Jotën, për të gjithë vendin dhe për gjithë Portugalinë,” u shpreh ai.
Humbja e Jotës ka lënë gjurmë edhe jashtë Portugalisë. Kapiteni i Skocisë, Andy Robertson, një nga miqtë më të ngushtë të Jotës te Liverpooli, ka treguar se mendimi i parë pas kualifikimit në Botëror shkoi pikërisht te ish-shoku i skuadrës. Ndërsa bashkëshortja e Jotës, Rute Cardoso, i dërgoi një mesazh prekës Robertsonit në fillim të turneut, duke e falënderuar që vazhdon ta mbajë gjallë kujtimin e tij.
Diogo Jota zhvilloi 49 ndeshje me fanellën e Portugalisë dhe shënoi 14 gola, duke qenë një nga figurat më të rëndësishme të brezit të tij. Shumë besojnë se, po të mos kishte ndodhur tragjedia, ai do të ishte pjesë e ekipit në këtë Botëror.Tch

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME