Elvis Kotherja :“E kemi humbur avantazhin e raportit cilësi-çmim, turizmi duhet të maturohet”

ELBASAN,12 maj 2026/Albania Express News/Në një kohë kur Shqipëria po përjeton një rritje të vazhdueshme të turizmit, sfida kryesore për këtë industri nuk lidhet më vetëm me numrin e vizitorëve, por me cilësinë e shërbimit, konkurrencën rajonale dhe aftësinë për të ndërtuar një model të qëndrueshëm zhvillimi. Në këtë intervistë, themeluesi i “Elite Travel Group & Elite Hospitality”, z.Elvis Kotherja, analizon problematikat dhe perspektivat e sektorit, nga humbja e avantazhit të raportit çmim–cilësi, te mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara dhe nevoja për një turizëm më të maturuar e më konkurrues në tregun mesdhetar.

Intervistë me z.Elvis Kotherja, themelues i “Elite Travel Group & Elite Hospitality”

Turizmi shqiptar po hyn në një fazë ku rritja nuk varet më vetëm nga kërkesa, por nga aftësia për ta menaxhuar atë.

Teksa lufta në vendet e Lindjes së Mesme mund t’u japë një shtysë vendeve si Shqipëria për të qenë destinacione me rritje, kjo nuk duhet marrë me eufori.

Elvis Kotherja, themelues i “Elite Travel Group & Elite Hospitality”, thotë se çdo zhvendosje e përkohshme e turistëve shoqërohet me një valë po aq të fortë konkurruese kur tregjet rivendosen.

Ndërkohë, vendi po përballet me rritje të vazhdueshme të çmimeve, presion mbi shërbimin dhe një model turizmi ende i përqendruar në sezonin e verës, të cilat kanë nevojë për vëmendje.

Sipas z. Kotherja, avantazhi historik i kostos së ulët i Shqipërisë pak vite më parë është zbehur, ndërsa diferencimi përmes cilësisë mbetet ende në ndërtim e sipër. Në këto kushte, pyetja për industrinë nuk është më sa turistë vijnë, por çfarë përvoje gjejnë?

Konflikti në Lindjen e Mesme po shihet si një mundësi për turizmin në Shqipëri. A mendoni se do të ketë efekt për ta bërë vendin tonë një destinacion alternativ në kushtet e bllokimit të disa të tjerëve?

Po, patjetër që do të ketë ndikim nëse situata mbetet kjo që është. Megjithatë, nëse vendoset paqja, panorama mund të ndryshojë disi, pasi tregjet e prekura sot, mund të bëhen shumë agresive në oferta.

Praktikisht, do të kemi një konkurrencë të fortë që do të përpiqet të rikuperojë kohën e humbur.

Nga ajo që shohim sot, nuk duhet të biem në eufori me idenë se turistët nuk kanë ku të shkojnë, por duhet të jemi të mprehtë dhe të kemi nuhatje për të reaguar në kohë reale sipas situatës, në mënyrë që të përfitojmë.

 

Vitin e shkuar u vu theksi te ndryshimi i tipologjisë së turistit që na vizitonte, që në numër ishte më i lartë, por në shpenzime më i kursyer. A mendoni që kjo vlen edhe për këtë vit?

Së pari, çdo klient që vjen në Shqipëri i shërben ekonomisë dhe turizmit, pavarësisht buxhetit që ka. Së dyti, ai shpenzon në bazë të asaj që gjen këtu, pra produkteve dhe shërbimeve që ne ofrojmë. Shqipëria mund të tërheqë edhe klientë të nivelit me 5 yje, por duhet të jetë konkurruese në raport me vendet e tjera.

Duhet të ketë një balancë mes shërbimit dhe çmimit dhe të japë një ofertë më të mirë se konkurrentët. Nëse ofrojmë më shtrenjtë se Greqia, klienti natyrisht zgjedh atë. Jemi të pozicionuar në hartën e Mesdheut si destinacion dhe na duhet maturi për t’u rritur gradualisht.

Duhet të ofrojmë çmime 20–30% më konkurruese, të ndërtojmë identitetin tonë si destinacion që ofron cilësi të caktuar, por me çmime më të favorshme.

Kjo është një rritje që vjen gradualisht me kohën. Një destinacion nuk lind luksoz, por bëhet i tillë. Nuk është klienti që zgjedh destinacionin, por raporti çmim–cilësi dhe maturia e tregut.

Në një efekt zinxhir, kur kërkesa rritet, rriten edhe çmimet, ky është rregulli i tregut, ndaj nuk duhet të paragjykojmë klientin. Ai vjen dhe analizon çfarë paguan dhe çfarë merr, dhe nëse vlera është aty, ai shpenzon. Destinacioni duhet të ndërtohet, nuk ndodh rastësisht.

Cilat janë pikat ku duhet të shtohet vëmendja për të siguruar mbarëvajtjen e sektorit?

Ne kemi vite që punojmë në sektor dhe ajo që do të na diferencojë dhe do ta çojë përpara industrinë është kualifikimi i burimeve njerëzore dhe digjitalizimi. Duhet të kemi një ritëm tjetër që i përgjigjet kohës. Sot, rreth 70% e hoteleve nuk kanë personel që di t’u përgjigjet nevojave të këtij sektori.

Turizmi në thelb nuk është asgjë tjetër, përveçse administrim biznesi, ndaj këtu duhet të fokusohemi. Është biznesi ai që vendos standardin dhe shteti e ndjek. Duhet ta vendosim ne strategjinë dhe jo ta lëmë atë në dorë të algoritmeve, duhet të mendojmë në mënyrë racionale për të ardhmen.

Për shumë vite, Shqipëria ka qenë destinacioni që në raportin çmim–cilësi ka qenë oferta më e lirë dhe më konkurruese. A e shihni ende këtë avantazh apo e kemi humbur?

E kemi humbur këtë. Sot po vuajmë pasojat e dy situatave që i kemi ndërtuar vetë. Kemi menduar gjithmonë se turistët do të vijnë pavarësisht rritjes së çmimeve dhe kjo është një ide e gabuar. Së dyti, nuk e kemi zgjatur sezonin, duke u fokusuar vetëm në tre–katër muajt e verës.

Tani rritja është minimale dhe kjo vjen si efekt i euforisë dhe i mentalitetit se turistët “s’kanë ku shkojnë tjetër”.

Çmimet janë rritur në vitet e fundit me 25–35% dhe kemi shkuar afërsisht sa Greqia, gjë që na penalizon. Klientët e dinë si reagon tregu dhe, duke qenë se fokusi i sezonit është në muajt korrik–gusht, ata i shpërndajnë pushimet edhe në pjesën tjetër të vitit.

Sot Shqipëria nuk është më destinacioni që raportin çmim/cilësi e ka si avantazh. Pas vitit 2023, kjo ka humbur dhe na ka dëmtuar jo pak.

Cilat janë grupet kryesore të turistëve që po e vizitojnë Shqipërinë?

Ajo që bie në sy është një rritje e dukshme e turistëve francezë në Shqipëri, pra ka një interes të shtuar nga ky treg. Grupe të tjera janë polakët, çekët, gjermanët, anglezët, spanjollët dhe nordikët.

Çfarë tipologjie janë turistët francezë në kuptimin e konsumit dhe preferencave?

Janë turistë shumë të mirë dhe që duan të provojnë destinacione të reja. Vijnë për pushime dhe zakonisht me paketa të organizuara.

Ku janë të vendosura kryesisht marrëveshjet për turistët e organizuar?

Ne kemi marrëveshje në Durrës, Vlorë dhe Sarandë, por edhe në gjithë Europën Juglindore.

Këtë vit kishte pritshmëri për hapjen e Aeroportit të Vlorës, por gjasat janë që puna të mos fillojë.

Çfarë do të bëhet me kontratat që keni për charter-at në këtë aeroport?

Na është konfirmuar që Aeroporti i Vlorës nuk mund të hapet, pasi ende nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme për të hyrë në operim. Infrastruktura është gati, por ka nevojë për hapa të tjerë që të nisin fluturimet.

Lajmi i keq është që nordikët, të cilët do të vendoseshin në Vlorë me fluturime nga ky aeroport, kanë anuluar për këtë vit, rreth tre charter-a në javë.

Por lajmi i mirë është që autoritetet dhe ne kemi negociuar që Shqipëria të mbetet në listën e destinacioneve për vitin e ardhshëm dhe kemi marrë garancinë që do të jenë pesë charter-a në javë, përkatësisht dy nga Norvegjia, një nga Finlanda, një nga Suedia dhe një nga Danimarka.

Thuajse i gjithë bregdeti në vend është pushtuar nga një seri projektesh me fshatra turistikë. A e shihni këtë si një alternativë të qëndrueshme që i përshtatet turizmit?

Ndoshta zhvillimin e zonave është e pamundur ta ndalosh, por Shqipëria duhet të bëjë diçka që e kanë bërë edhe destinacione të tjera turistike. Në vijën e parë duhet të ndërtohen hotele dhe më pas të vijnë rezidencat, në këtë mënyrë destinacionet marrin frymë.

Problem bëhet kur hotelet vijnë pas vilave, ose kur ndërtimet nuk janë në harmoni me zonën. Duhet të respektohet arkitektura e peizazhit që ka harmoni me natyrën dhe ndërtimet përreth. Nuk mund të ngresh, për shembull, kulla në një zonë ku ka vetëm ndërtime të ulëta dhe natyra nuk e përballon atë densitet.

Cili është destinacioni turistik që ka modelin më të qëndrueshëm nga ajo që kemi afër dhe konkurrentë?

Greqia është shembulli më i mirë i një destinacioni të qëndrueshëm turistik. Kjo lidhet edhe me faktin që bizneset aty janë të konsoliduara, kanë një traditë të gjatë në sektor dhe e njohin shumë mirë industrinë.

Ne kemi hyrë tani në një fazë ku turizmi duhet të trajtohet me një qasje më të maturuar dhe me planifikim, duke shmangur vendimet e momentit të fundit.

A po funksionon modeli i punonjësve të huaj në sektorin e turizmit?

Funksionon për ato biznese që dinë të administrojnë dhe kanë të plotësuara hallkat kyçe me burime të kualifikuara njerëzore. Të huajt nga ana kulturore dhe gjuhësore hasin edhe barriera, por janë produktivë dhe të përgjegjshëm. MONITOR !

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Fshati Levrushk në Pukë, mes gjelbërimit dhe maleve

PUKË, 16maj 2026 /Albanoa Express News/ Mes peizazheve të...

Ansambli “Gurra e Kurbinit” shkëlqen në festivalet mbarëkombëtare, rrëmben çmime dhe zemrat e publikut

Nga Imer Hysa KURBIN,16 maj 2026/Albania Express News/Ansambli “Gurra e...

Zbatimi i paqes fiskale, cilat janë bizneset që nuk përfitojnë

TIRANË ,15 maj 2026/Albania Express News/Drejtoria e Tatimeve ka...