Elbasani – Vllaznia, një ndeshje që kërkon qetësi dhe zgjuarsi

Nga Erion Sqapi

Sot është një nga ato përballje që përcaktojnë sezonin: vendi i parë kundër vendit të dytë. Si një djalë nga Elbasani dhe një nip nga Shkodra, kjo ndeshje ka një domethënie të veçantë për mua.

Nga këndvështrimi i një elbasanlliu, kjo është një sfidë ku emocionet duhet të mbahen nën kontroll. Në dhomat e zhveshjes nuk duhet të mbizotërojnë vetëm fjalët motivuese, por mbi të gjitha qartësia taktike dhe strategjia. Qetësia dhe përqendrimi janë çelësi për të arritur rezultatin që dëshirojmë.

Mendoj se kundërsulmi është arma jonë më e fortë për këtë ndeshje. Një mbrojtje e organizuar, në mes ose më e ulët, e shoqëruar me dalje të shpejta përpara, mund të vendosë në vështirësi treshen mbrojtëse të Vllaznisë. Situatat tre kundër tre do të ishin shumë efikase dhe mund të krijonin mundësi të pastra shënimi.

Por përballë kemi një skuadër me histori dhe karakter si Vllaznia, një ekip që di të menaxhojë ndeshje të mëdha dhe që ka treguar vazhdimësi gjatë sezonit. Forca e tyre në organizim dhe cilësia individuale e bëjnë këtë sfidë edhe më të fortë dhe të paparashikueshme.

Një rol të jashtëzakonshëm në ndeshje të tilla luan edhe tifozeria e zjarrtë. Mbështetja nga shkallët, energjia dhe besimi që përcillet në fushë shpesh bëhen shtysa shtesë që i çojnë skuadrat drejt suksesit. Në përballje të këtij niveli, tifozët janë lojtari i dymbëdhjetë dhe ndikimi i tyre mund të jetë vendimtar.

Ndeshje të tilla shpesh vendosen nga detajet, madje edhe nga një gol i vetëm. Pikërisht për këtë arsye, durimi dhe menaxhimi i momentit janë po aq të rëndësishëm sa edhe cilësia në fushë.

Në fund, nuk mund të mos shpreh vlerësimin për ata njerëz që në heshtje, pa kërkuar vëmendje apo përmendje, kanë dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme për këtë klub. Pa kontributin e tyre të pakufizuar, futbolli në Elbasan nuk do të ishte në këto nivele sot.

Një vlerësim i veçantë shkon edhe për Federata Shqiptare e Futbollit dhe në mënyrë të veçantë për presidentin e nderuar Armando Duka, për kontributin dhe rolin e tyre në zhvillimin dhe mbështetjen e futbollit shqiptar në këto nivele.

Në aspektin sportiv, pres një ndeshje të luftuar dhe shumë të kujdesshme nga të dyja skuadrat. Nëse ekipi arrin të zbatojë disiplinën taktike dhe të shfrytëzojë kundërsulmin, besoj se fitorja është e arritshme. Parashikimi im: një ndeshje e ngushtë, e vendosur nga detajet, me një rezultat minimal në favorin tonë.

Urimet më të sinqerta shkojnë për të gjithë ata që e rindërtuan dhe vazhdojnë ta çojnë përpara klubin me përkushtim dhe vizion.

*Autori është ish shefi i klubit të KF Elbasanit

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Gjyqi i themelit/ “Shqipëria e shqiptarëve”, ish-presidenti Meta shfaqet në kafazin e xhamtë të sallës së gjyqit

TIRANË,27 prill 2026/Albania Express News/Këtë të hënë mbahet seanca...

Thjeshtohen procedurat e check-in për bagazhet në Aeroportin e Tiranës

TIRANË, 27 prill 2026 /Albania Express News/ Në Aeroportin...

Avokati i Popullit: Zhbllokohen pagat e prapambetura për policët e burgjeve

TIRANË, 27 prill 2026/Albania Express News/ Avokati i Popullit...