Elbasan–Qafë Thanë, drejt përfundimit faza e parë e një prej investimeve më të mëdha rrugore në Shqipëri. Drejtori Ami Kozeli: Së shpejti hapen 7.8 kilometrat e para

ELBASAN ,30 korrik 2026/Albania Express News/-Punimet në aksin kombëtar Elbasan–Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII, po avancojnë me ritme intensive, ndërsa një nga projektet më strategjike të infrastrukturës shqiptare po hyn në një fazë vendimtare. Pjesa e parë e këtij segmenti ndodhet tashmë në fazën përfundimtare dhe shumë shpejt do të hapet për qarkullimin e automjeteve, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në modernizimin e lidhjes rrugore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Gjatë një inspektimi në terren, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, i shoqëruar nga inxhinierët e ARRSH-së, ndoqi nga afër ecurinë e punimeve, ku aktualisht janë aktive shtatë faza pune në disa kantiere përgjatë segmentit.

“Jemi në terren për të ndjekur nga afër ecurinë e punimeve në segmentin Elbasan–Qafë Thanë, një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore të Korridorit VIII. Pjesa e parë e këtij segmenti është në fazën e fundit dhe shumë shpejt do të mundësohet hapja për qarkullimin e mjeteve në rreth 7.8 kilometra”, u shpreh Kozeli.

Sipas tij, monitorimi i vazhdueshëm në terren ka si qëllim identifikimin dhe zgjidhjen në kohë të çdo problematike teknike, në mënyrë që punimet të vijojnë sipas grafikut të përcaktuar dhe me standardet më të larta të cilësisë.

“Po ndjekim nga afër çdo detaj të punimeve në të gjitha kantieret, për të zgjidhur problematikat e hasura dhe për të siguruar përfundimin me cilësi të kësaj vepre strategjike për infrastrukturën rrugore të vendit”, deklaroi kreu i ARRSH-së.

Ky investim konsiderohet si një nga projektet më të rëndësishme të dekadës për transportin rrugor shqiptar. Përveç rritjes së sigurisë rrugore, aksi i ri do të shkurtojë kohën e udhëtimit mes Elbasanit dhe Qafë Thanës, do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin e mallrave dhe udhëtarëve, si edhe do të forcojë rolin e Shqipërisë në rrjetin europian të transportit.

Nga pikëpamja financiare, projekti është ndarë në disa lote, me një investim shumë të konsiderueshëm nga buxheti i shtetit. Vetëm për fazat V, VI, VII dhe VIII është parashikuar një financim prej rreth 2.4 miliardë lekësh për secilin lot, ose afro 9.6 miliardë lekë në total, duke e bërë këtë një nga ndërhyrjet më të mëdha infrastrukturore të viteve të fundit. Në vijim të zbatimit të projektit janë planifikuar gjithashtu fonde shtesë për supervizionin e punimeve dhe përballimin e kostove të shpronësimeve në zonat ku kalon aksi. 

Ndërtimi i segmentit Elbasan–Qafë Thanë është pjesë integrale e Korridorit VIII, korridorit paneuropian që lidh brigjet e Adriatikut me Detin e Zi. Për Shqipërinë, kjo vepër pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, rritjen e tregtisë, nxitjen e turizmit dhe forcimin e lidhjeve me vendet e rajonit dhe Bashkimin Europian.

Hapja e 7.8 kilometrave të parë do të përfaqësojë një moment të rëndësishëm në realizimin e këtij projekti madhor, ndërsa puna vijon paralelisht në lotet e tjera me synimin për të përfunduar të gjithë aksin sipas afateve të përcaktuara.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME