Egnatia nuk di të ndalet, mposht Skënderbeun dhe merr fitoren e tretë radhazi

RROGOZHINË, 05 shtator 2026 / Albania Express News / – Egnatia vijon marshimin në kampionat. Kampionët në fuqi mposhtën 2-1 Skënderbeun në Rrogozhinë, duke regjistruar fitoren e tretë radhazi dhe duke ruajtur kreun e renditjes.

Rrogozhinasit e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke zhbllokuar rezultatin në minutën e 14-të. Ishte Albanese ai që dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin Egnatias.

Skënderbeu reagoi dhe arriti të barazojë në minutën e 34-t. Pas ndërhyrjes së VAR-it, korçarët fituan një penallti, me Nasr që u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke vendosur shifrat në 1-1.

Pjesa e dytë ishte e luftuar, me të dyja skuadrat që kërkuan golin e avantazhit. Egnatia provoi disa herë të fitonte një tjetër 11-metërsh, ndërsa Skënderbeu rrezikoi portën e Dajsinanit.

Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit, Egnatia gjeti golin e fitores në minutën e 84-t. Albanese shërbeu për Loukili, i cili me kokë dërgoi topin në rrjetë, duke rikthyer vendasit në avantazh. Goli u verifikua nga VAR për një pozicion të mundshëm jashtë loje, por pas kontrollit u konfirmua.

Në minutat e mbetura, Skënderbeu nuk arriti të reagojë dhe Egnatia administroi avantazhin deri në vërshëllimën finale, duke marrë tri pikë të tjera me shumë vlerë.

Me këtë sukses, skuadra e Nevil Dedes regjistron fitoren e tretë radhazi në kampionat dhe konsolidon pozitat në krye të renditjes, duke dhënë një sinjal të fortë që kampionët synojnë të mbrojnë titullin.

Kategoria Superiore – Java 3

Egnatia – Skënderbeu 2-1

⚽ Albanese 14’, Loukili 85’ / Nasr 34’

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME