HIMARË, 05 shtator 2026 / Albania Express News / – Situata e zjarrit në Himarë është përkeqësuar ndjeshëm gjatë orëve të natës, me flakët që po përhapen me shpejtësi drejt zonave të banuara dhe strukturave turistike.
Një banesë raportohet se është shkrumbuar nga flakët, ndërsa më shumë se 40 shtëpi dhe hotele ndodhen nën kërcënimin e zjarrit.
Përballë situatës alarmante, Bashkia e Himarës u ka bërë thirrje banorëve dhe turistëve që ndodhen pranë zonave me rrezik të largohen menjëherë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.
Ndërkohë, në terren vijon puna intensive e forcave zjarrfikëse, të cilat po përpiqen të izolojnë vatrat dhe të frenojnë përparimin e flakëve drejt zonave të banuara.
Në ndihmë të forcave lokale janë nisur mjete zjarrfikëse nga Vlora, Finiqi, Delvina dhe Saranda, ndërsa në operacion janë angazhuar edhe 50 forca ushtarake nga Gjirokastra. Në terren ndodhen gjithashtu tre mjete zjarrfikëse të Himarës.
Për përballimin e situatës shëndetësore, dy ambulanca nga Vlora janë nisur drejt Himarës, ndërsa strukturat shëndetësore janë në gatishmëri për çdo emergjencë.
Për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve, erës së fortë dhe terrenit të vështirë, situata është rënduar ndjeshëm. Ka nisur edhe evakuimi i banorëve dhe turistëve, veçanërisht nga zonat dhe hotelet që ndodhen pranë vatrave të zjarrit.
Banorët e Himarës kanë bërë apel për ndihmë, ndërsa flakët po afrohen me shpejtësi drejt banesave të tjera.
Era dhe terreni i thyer po favorizojnë përhapjen e zjarrit dhe po vështirësojnë ndjeshëm ndërhyrjen e ekipeve në terren.
Autoritetet vijojnë operacionin për mbrojtjen e jetës së banorëve dhe turistëve, evakuimin e zonave të rrezikuara dhe izolimin e zjarrit, ndërsa situata mbetet kritike.

