PRRENJAS ,04 shtator 2026 / Albania Express News /-Një situatë zjarri e regjistruar sot në zonën e Qukës-Shkumbinit është menaxhuar me shpejtësi, duke shmangur përshkallëzimin dhe pasojat që mund të sillte për zonën përreth.
Pas sinjalizimit për zjarrin, reagimi i menjëhershëm i kryeplakut, administratorit dhe banorëve të zonës bëri të mundur ndërhyrjen e shpejtë në terren. Në operacion u angazhuan ekipet e shërbimeve zjarrfikëse të Prrenjasit dhe Librazhdit, të cilat ndërhynë për izolimin e flakëve dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.
Në mbështetje të operacionit ishte edhe Policia e Shtetit, ndërsa kontribut të rëndësishëm dhanë të gjithë personat e angazhuar në terren, të cilët punuan pa ndërprerje për të parandaluar përhapjen e flakëve.
Vlerësim i veçantë i është dhënë edhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe Prefektit të Qarkut Elbasan, për gatishmërinë, koordinimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë menaxhimit të situatës.
Falë reagimit të koordinuar, zjarri u vu nën kontroll dhe të gjitha vatrat u shuan, duke shmangur një situatë që mund të kishte marrë përmasa më të mëdha.
Ndërkohë, ekipet përgjegjëse vijojnë punën në terren për identifikimin e shkakut të zjarrit, ndërsa pritet që të ndërmerren edhe masat e nevojshme për parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen.
Ngjarja dëshmon edhe një herë rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit mes strukturave vendore, shërbimeve zjarrfikëse, Policisë së Shtetit dhe komunitetit, veçanërisht në periudha me rrezik të shtuar për zjarre.


