AF Elbasani hyn në fazën vendimtare të sezonit me objektivin e qartë: ruajtjen e vendit të parë, të siguruar javën e kaluar falë një fitoreje të madhe ndaj Vllaznia. Verdheblutë e dinë se çdo hap i gabuar në këto tre javë të fundit mund të kushtojë shtrenjtë në një garë që mbetet e hapur deri në fund.
Sfida e radhës është ajo ndaj Vorës, një përballje që në letër duket e kalueshme, por që në praktikë pritet të jetë një test i fortë për elbasanasit. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri Ivan Gvozdenoviç nuk i fshehu shqetësimet për mungesat e shumta në skuadër, duke theksuar se kjo situatë e vështirë kërkon maksimumin nga çdo lojtar që zbret në fushë.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë, pavarësisht kundërshtarit. Kemi mungesa, por besoj tek grupi dhe tek karakteri i skuadrës. Duhet të marrim maksimumin”, u shpreh tekniku i pankinës verdheblu.
Tre sfidat e fundit të sezonit do ta vendosin gjithçka, ndërsa Elbasani përballet me skuadra që luftojnë për mbijetesë. Një faktor që sipas Gvozdenoviç nuk përbën as avantazh dhe as disavantazh, por një sfidë më vete që kërkon përqendrim maksimal.
Në fund, trajneri ndalet edhe tek objektivi madhor: mbajtja e vendit të parë deri në vërshëllimën finale të kampionatit. Aktualisht, verdheblutë kryesojnë me dy pikë më shumë se ndjekësit e Vllaznia, një diferencë e brishtë që e bën çdo ndeshje një finale të vërtetë.
Elbasani e ka fatin në dorën e vet, por për të kurorëzuar sezonin me sukses, nuk ka më vend për llogari apo gabime ,vetëm fitore.

