Ebola po përhapet me shpejtësi në Republikën Demokratike të Kongos/ Mbi 400 viktima, OBSH nis trajtimet eksperimentale

KONGO ,3 korrik 2026/Albania Express News/-Epidemia e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos vijon të përhapet me ritme shqetësuese, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 438.

Autoritetet shëndetësore konfirmuan gjithashtu një rast të ri në qytetin e madh të Kisanganit, rreth 600 kilometra larg epiqendrës së shpërthimit, duke shtuar frikën për zgjerimin e mëtejshëm të virusit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila e ka shpallur situatën emergjencë shëndetësore me shqetësim ndërkombëtar, njoftoi se ka nisur provat klinike të dy trajtimeve eksperimentale kundër virusit.

Shpërthimi i 17-të i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, i shpallur më 15 maj, është shkaktuar nga varianti Budibugyo i virusit, për të cilin aktualisht nuk ekziston as vaksinë dhe as trajtim i miratuar.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të vendit, deri tani janë regjistruar 1,406 raste dhe 438 viktima, me një normë vdekshmërie prej 31.2%. Epiqendra e epidemisë ndodhet në provincën Ituri, ndërsa rastet janë përhapur edhe në Kivu Veriore dhe Kivu Jugore.
OBSH bëri të ditur se pacienti i parë është përfshirë tashmë në provën klinike të dy trajtimeve eksperimentale. Drejtori i përgjithshëm i organizatës, Tedros Adhanom Ghebreyesus, theksoi se ky është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të luftuar virusin.
Ndërkohë, edhe Uganda ka raportuar 20 raste të Ebolës, përfshirë dy viktima, ndërsa së fundmi është konfirmuar edhe një rast i etheve hemorragjike Marburg, një virus i ngjashëm me Ebolën.
Presidenti i Republikës Demokratike të Kongos, Félix Tshisekedi, bëri thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar, duke deklaruar se “epidemitë nuk njohin kufij” dhe se koordinimi rajonal është thelbësor për frenimin e përhapjes së sëmundjes.
Situata është bërë edhe më alarmante në Kisangani, ku një grua 24-vjeçare rezultoi pozitive me Ebola pasi trupi i saj ishte transportuar fshehurazi nga zona e Nia Nias. Autoritetet paralajmërojnë se transportimi i trupave të viktimave përbën një rrezik të lartë për përhapjen e virusit, pasi Ebola transmetohet lehtësisht gjatë ceremonive mortore.
Në epiqendrën e epidemisë, autoritetet po përballen edhe me rezistencën e popullsisë. Një qendër trajtimi për Ebolën në rajonin Nia Nia u dogj nga protestues që kundërshtonin masat e autoriteteve shëndetësore. Gjatë incidenteve, shtatë pacientë të dyshuar u larguan nga izolimi, ndërsa një efektiv policie humbi jetën dhe dy persona mbetën të plagosur.
Ekspertët paralajmërojnë se këto incidente, së bashku me mungesën e pajisjeve mbrojtëse dhe mbipopullimin e qendrave të trajtimit, po e bëjnë edhe më të vështirë kontrollin e epidemisë, e cila konsiderohet një nga më seriozet që ka përjetuar vendi vitet e fundit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Kthjellime dhe vranësira në orët e pasdites, parashikimi i motit për këtë të premte

TIRANË ,3 korrik 2026/Albania Express News/-Ditën e premte vendi...

Spanja konfirmon veten si pretendent, mund Austrinë me tre gola dhe avancon më tej në Botëror

BOTËRORI 2026, 2 korrik 2026/Albania Express News/-Spanja ka arritur...

Brazili do të përballet me Norvegjinë, por ‘e përndjek’ një statistikë që nuk i buzëqesh

BOTËRORI 2026, 2 korrik 2026/Albania Express News/-Brazili kërkon të...

AF Elbasani, ky është momenti yt! BATE Borisov nuk është më “përbindëshi” i dikurshëm i futbollit europian

Nga Fatos Lamaj ELBASAN ,2 korrik 2026/Albania Express News/-Shorti i...