Dueli ndaj Dinamo City, Sa Pinto kritikon fushën e Elbasan Arenës: “Është mjaft e thatë, nuk është në nivelin e ndeshjes”

Trajneri i Pafos, Rikardo Sa Pinto, ka dalë në konferencën për shtyp në prag të përballjes me Dinamo City, e vlefshme për fazën “play-off” të UEFA Conference League. Sfida do të zhvillohet nesër në mbrëmje në “Elbasan Arena”, në orën 21:00, me skuadrën qipriote që kërkon të marrë një rezultat pozitiv në transfertë.

Tekniku portugez e pranoi se Pafos vjen në këtë përballje me statusin e favoritit, por theksoi se ekipi i tij duhet të jetë maksimalisht i përqendruar përballë një kundërshtari që e konsideron të fortë dhe luftarak.

Një prej shqetësimeve kryesore të Sa Pintos në prag të ndeshjes ishte gjendja e fushës së “Elbasan Arenës”. Trajneri i Pafos u shpreh i pakënaqur me kushtet e terrenit, duke e cilësuar fushën të thatë dhe jo në nivelin që, sipas tij, kërkon një ndeshje të rëndësishme europiane.

“Jemi gati për ndeshjen e nesërme kundër Dinamos. E pranoj që jemi favoritë. Shqetësimi i vetëm në këto momente është fusha, duhet të ishte në kushte më të mira. Nuk besoj se kjo fushë është në nivelin e ndeshjes së rëndësishme që do të luajmë nesër. Është mjaft e thatë. Shpresoj që deri nesër të rregullohet”, deklaroi Sa Pinto.

Trajneri portugez foli me respekt për Dinamo City, duke nënvizuar karakteristikat e skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja. Sipas tij, dinamovitët janë një ekip që kërkon të vrapojë, të luftojë dhe të luajë me intensitet, elementë që mund të ndikohen edhe nga kushtet e fushës.

“Dinamo City është një kundërshtar i fortë. Sigurisht që kjo fushë është mirë për ta, sepse ata pëlqejnë të vrapojnë, të luftojnë dhe mendoj që nesër duhet të jemi të përgatitur për këtë lloj ndeshjeje”, u shpreh ai.

Sa Pinto e konsideron sfidën në Elbasan një përballje që do të kërkojë shumë forcë dhe përqendrim. Objektivi i qipriotëve është i qartë: të largohen nga Shqipëria me një rezultat pozitiv përpara ndeshjes së kthimit.

“Do të jetë luftë për ne. Duam që të marrim një rezultat pozitiv në transfertë. Do të synojmë që të kontrollojmë topin dhe lojën. Duhet të tregohemi të zgjuar. Ndonjëherë duhet të dish t’i luash këto ndeshje. Objektivi ynë kryesor për nesër është që të marrim një rezultat pozitiv”, theksoi trajneri i Pafos.

Në vijim të prononcimit, Sa Pinto foli edhe për ecurinë e skuadrës së tij, duke vlerësuar se Pafos po përmirësohet nga ndeshja në ndeshje. Ai pranoi se dëmtimet kanë krijuar vështirësi, por theksoi se ato nuk mund të përdoren si justifikim.

“Skuadra po përparon dhe kjo duket edhe nga paraqitjet; në çdo ndeshje jemi më të mirë. Sigurisht, kemi qenë të pafat edhe me dëmtimet, por kjo nuk është justifikim. Kur të vijë edhe përforcimi, do të jemi gati ta diskutojmë”, përfundoi Sa Pinto.

Kështu, në prag të sfidës europiane, Pafos duket se e ka të qartë planin: të ruajë kontrollin e topit, të menaxhojë ritmin e lojës dhe të kërkojë një rezultat pozitiv në Elbasan. Nga ana tjetër, Dinamo City pritet të mbështetet te intensiteti, lufta për çdo top dhe avantazhi i mbështetjes së tifozëve për të tentuar një rezultat që i jep shpresë për kualifikimin.

Përballja në “Elbasan Arena” nis nesër në orën 21:00 dhe do të jetë ndeshja e parë mes dy skuadrave në fazën “play-off” të Conference League.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME