Dogana: Biznesi mund të monitorojë në kohë reale deklaratat dhe lëvizjen e mallrave

TIRANË, 29 prill 2026/Albania Express News/Dogana Shqiptare ka mundësuar rritjen e transparencës dhe kontrollit të avancuar për bizneset, duke u ofruar mundësinë atyre të ndjekin në kohë reale statusin e çdo deklarate doganore dhe lëvizje mallrash.

Në kuadër të këtij përmirësimi është zbatuar një set standardesh të unifikuara europiane, që kanë për qëllim harmonizimin e strukturës së të dhënave dhe përdorimin e mesazheve elektronike standarde, si dhe procedura të harmonizuara nga nisja, në mbërritje.

Këto përmirësime kanë si qëllim thjeshtimin dhe standardizimin e procedurave doganore, duke e bërë më të lehtë për bizneset të menaxhojnë aktivitetet e tyre në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian.

Një element kyç i këtij procesi është implementimi i NCTS P5, një platformë digjitale europiane që ka për qëllim menaxhimin e tranzitit të mallrave. Ky sistem zëvendëson përdorimin e dokumenteve fizike dhe bën të mundur që të gjitha procedurat, si deklaratat doganore, komunikimi dhe ndjekja e mallrave, të kryhen online në kohë reale, pa pasur nevojë për ndërhyrje manuale. Kjo teknologji ndihmon bizneset të përpunojnë dokumentacionin më shpejt dhe të reduktojnë gabimet e mundshme që mund të ndodhin gjatë proceseve manuale.

Për më tepër, ky sistem ofron avantazhe të tjera, si ulja e kostos dhe kohës për çdo biznes. Përdorimi i tij siguron që procedurat të jenë më të shpejta, dokumentacioni të jetë më i reduktuar dhe gabimet të minimizohen. Përveç kësaj, ai mundëson uljen e vonesave në kufi dhe përmirëson komunikimin mes autoriteteve doganore dhe operatorëve ekonomikë, duke lehtësuar dhe përshpejtuar proceset e importit dhe eksportit.

NCTS P5 është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të plotë të procedurave doganore me normat e Bashkimit Europian, duke e bërë tregtinë ndërkufitare më të thjeshtë dhe duke rritur konkurrueshmërinë e kompanive shqiptare në tregjet ndërkombëtare. Ky sistem është një mundësi për bizneset që të përfitojnë nga shpejtësia, efikasiteti dhe aksesimi më i lehtë në tregje, duke u ndihmuar që të rrisin operacionet e tyre dhe të përmirësojnë rezultatet financiare.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME