CËRRIK ,04 gusht 2026/Albania Express News/-Një operacion i Komisariatit të Policisë Cërrik ka goditur një rast të rëndë të krimeve kundër mjedisit, ku gërryerja e paligjshme e shtratit të lumit Devoll dyshohet se ka shkaktuar devijimin e rrjedhës së lumit, duke rrezikuar përmbytjen e tokave bujqësore në fshatin Gostimë.
Si rezultat i hetimeve dhe kontrolleve të zhvilluara pas shqetësimeve të ngritura nga qytetarët, policia arrestoi në flagrancë tre persona dhe shpalli në kërkim administratorin e subjektit që dyshohet se kryente aktivitetin e kundërligjshëm.
Në pranga ranë shtetasit L. X., 35 vjeç, banues në Cërrik, L. B., 42 vjeç, shtetas indian me banim në Cërrik, të dy punonjës të subjektit, si dhe B. T., 46 vjeç, banues në fshatin Shalës. Ndërkohë, u shpall në kërkim administratori i subjektit, K. H., 22 vjeç, për kapjen e të cilit vijojnë kërkimet.
Sipas Policisë, gjatë veprimeve hetimore u provua se për llogari të subjektit të administruar nga 22-vjeçari, me mjete të rënda po kryhej gërryerja e shtratit të lumit Devoll. Si pasojë e kësaj veprimtarie, ishte devijuar rrjedha natyrore e lumit, duke krijuar rrezik serioz për përmbytjen e tokave bujqësore në zonën e Gostimës.
Hetimet zbuluan gjithashtu se subjekti e ushtronte këtë aktivitet jashtë koordinatave të përcaktuara në lejen që dispononte, duke shkelur kushtet ligjore të përcaktuara për shfrytëzimin e inerteve.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi një ekskavator dhe një kamion teknologjik, të cilët dyshohet se përdoreshin për gërryerjen e paligjshme të lumit.
Përveç procedimit penal ndaj personave përgjegjës, subjekti “Vëllezërit Hysa” është ndëshkuar edhe me masa administrative nga strukturat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Cërrik, për shkeljet e konstatuara.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se i arrestuari B. T., 46 vjeç, kishte ndërtuar pa leje një objekt në afërsi të zonës ku ushtronte aktivitetin subjekti i administruar nga i afërmi i tij, K. H., duke u proceduar edhe për këtë shkelje.
Policia bën me dije se puna vijon për lokalizimin dhe arrestimin e administratorit 22-vjeçar, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.
Ky operacion vjen në kuadër të kontrolleve të shtuara për mbrojtjen e mjedisit dhe parandalimin e veprimtarive që cenojnë ekosistemet natyrore, rrjedhat ujore dhe sigurinë e tokave bujqësore në qarkun e Elbasanit.


