TIRANË ,31 korrik 2026/Albania Express News/-Deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Ermal Elezi, ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura nga banorë të Belshit dhe Cërrikut lidhur me propozimin për Hartën e Re Territoriale.
Përmes një komunikimi publik, Elezi është shprehur se ka marrë gjatë ditëve të fundit mesazhe dhe pyetje nga qytetarë të këtyre zonave, duke theksuar se i ka dëgjuar me vëmendje shqetësimet e tyre dhe se procesi i reformës territoriale do të jetë i hapur për diskutim.
Sipas deputetit socialist, propozimi i bërë publik është vetëm faza e parë e një procesi më të gjerë, i cili do të vijojë me konsultime të tjera në nivel vendor dhe me përfshirjen e qytetarëve.
“Dje është formalizuar një propozim, pas një procesi dëgjesash të zhvilluara në të gjithë Shqipërinë dhe studimeve të thelluara me ekspertë të fushave të ndryshme. Megjithatë, ky është vetëm një hap i parë në një proces që parashikon edhe etapa të tjera konsultimi, më të gjera dhe më praktike”, është shprehur Elezi.
Ai ka bërë të ditur se pjesë e procedurës ligjore do të jenë dëgjesat publike, shqyrtimi në këshillat bashkiakë dhe konsultimet direkte me qytetarët, duke nënvizuar se këto takime do të zhvillohen edhe në Belsh dhe Cërrik.
Deputeti i PS ka synuar të qartësojë se ndryshimet e propozuara nuk do të sjellin zhdukje apo humbje të identitetit lokal të këtyre zonave.
“Ky propozim nuk nënkupton as fshirje dhe as shkrirje të identitetit të zonave tona. Përkundrazi, synimi është që Belshi dhe Cërriku të fitojnë status qyteti, duke ruajtur të paprekur përfaqësimin, identitetin dhe veçoritë e tyre”, ka deklaruar ai.
Elezi ka theksuar gjithashtu se sipas tij do të garantohet përfaqësimi i zonave në këshillin bashkiak, në mënyrë që qytetarët të kenë zërin e tyre në vendimmarrje.
Ai ka sqaruar se njësitë administrative do të vijojnë të ekzistojnë dhe synimi është fuqizimi i tyre me më shumë funksione konkrete, ndërsa shërbimet vendore nuk do të transferohen në Elbasan.
“Shërbimet që sot ofrohen nga njësitë vendore ekzistuese do të vijojnë të ofrohen dhe madje do të përmirësohen. Qëllimi i kësaj reforme është të bashkojmë forcat, në mënyrë që të ofrojmë më mirë shërbimet që mungojnë ose që sot ofrohen në mënyrë të pamjaftueshme”, ka deklaruar deputeti.
Në fund të reagimit të tij, Ermal Elezi ka nënvizuar se çdo shqetësim i qytetarëve do të merret në konsideratë gjatë procesit të konsultimit.
Ai ka bërë të ditur se në muajt e ardhshëm do të zhvillohen takime dhe dëgjesa të tjera me banorët e Belshit dhe Cërrikut, ku do të diskutohen detajet e reformës dhe propozimet e komunitetit.
Propozimi për Hartën e Re Territoriale ka hapur debat në disa zona të vendit, ndërsa qeveria ka deklaruar se synimi i ndryshimeve është rritja e eficiencës së administrimit vendor dhe përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve.

