Burg për kryebashkiakët e opozitës në Turqi/ Dënime të rënda nga 5 deri në 23 vjet burg për pesë kryetarë bashkie

TURQI , 25 gusht 2026/Albania Express News/-Një gjykatë në Stamboll ka dënuar me burgim pesë kryebashkiakë të opozitës, të gjithë anëtarë të Partisë Republikane Popullore (CHP), të cilët u shpallën fajtorë për vepra të lidhura me korrupsionin.

Dënimet variojnë nga pesë deri në më shumë se 23 vjet burg, raportojnë mediat turke.
Pesë kryebashkiakët u arrestuan gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, në kuadër të hetimeve që kanë prekur një numër të madh përfaqësuesish të CHP-së, partia kryesore opozitare, kundërshtare e presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Kryebashkiaku i Besiktasit, Riza Akpolat, u dënua me 23 vjet e tre muaj burg, dënimi më i rëndë. Ai u shpall fajtor për korrupsion, pastrim parash dhe parregullsi në prokurimin publik, ndërsa u lirua nga akuza për anëtarësim në një organizatë kriminale, sipas agjencisë zyrtare turke Anadolu.
Akpolat i ka mohuar akuzat. Para gjykatës ai deklaroi se është i pafajshëm dhe se ndaj tij nuk ka prova të pakundërshtueshme, duke pretenduar se çështja bazohet në deklarata shpifëse.

Ndërkohë, kryebashkiaku i qytetit juglindor të Adiyamanit u shpall i pafajshëm dhe u lirua nga akuzat. Një tjetër kryebashkiak, i zgjedhur në vitin 2024 për të drejtuar një nga zonat periferike më të populluara të Stambollit, u dënua me tetë muaj burg, por me kusht, për “shpërdorim të pushtetit nga pakujdesia”.
Në të njëjtin proces, biznesmeni Aziz Ihsan Aktaş, i cili kishte dhënë dëshmi që implikonin disa politikanë lokalë të opozitës, u lirua nga akuzat. Ai fillimisht ishte akuzuar si drejtues i një organizate të dyshuar kriminale dhe përballej me një dënim deri në 280 vjet burg.
Çështja është pjesë e një vale të gjerë hetimesh dhe arrestimesh ndaj zyrtarëve të CHP-së. Pas fitores së thellë të opozitës në zgjedhjet lokale të vitit 2024, dhjetëra kryebashkiakë të zgjedhur janë arrestuar ose shkarkuar nga detyra në qytete të ndryshme të Turqisë.
Në qendër të përplasjeve politike dhe gjyqësore është edhe kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, një prej figurave më të rëndësishme të opozitës dhe rival potencial i Erdogan. Arrestimi i tij vitin e kaluar nën akuzat për korrupsion, të cilat ai i mohon, shkaktoi protesta të mëdha në Turqi.
Arrestimi i Imamoglut u pasua nga demonstrata masive, ndërsa përplasja mes qeverisë dhe opozitës ka thelluar tensionet politike në vend.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

A është lëvizja “Bashkë” një parti marksiste ?

Nga Thoma Gëllçi TIRANË , 25 gusht 2026/Albania Express News/-Për...

E rëndë në Lushnje, djali me probleme mendore dyshohet se vrau nënën dhe plagosi rëndë babanë me sqepar

LUSHNJE, 24 gusht 2026 /Albania Express News/-  Një ngjarje...

Shkodra vlerësohet me “Green Destinations Bronze Award”

SHKODËR , 24 gusht 2026/Albania Express News/-Shkodra është vlerësuar...