TIRANË ,12 shtator 2026 /Albania Express News/-Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u kthye në Shqipëri pas vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar udhëtimin si më ripërtëritësin e jetës së tij.
Në një prononcim për mediet pas kthimit, Berisha tha se vizita në SHBA përfshiu pjesëmarrjen në Konventën e Partisë Republikane në Teksas, takime me përfaqësues të Kongresit amerikan dhe administratës së Presidentit Donald Trump, si dhe takime me diasporën shqiptare.
“Po kthehemi nga një udhëtim që me siguri ju kërkoni nga unë ta vlerësoj. Ajo çka mund t’u them unë, se ky është udhëtimi më ripërtëritës i jetës time. Pra, ta quajmë ripërtëritje. Se aty jemi ne”, u shpreh Berisha.
Duke folur për Konventën e Partisë Republikane në Teksas, Berisha tha se delegacioni shqiptar mori pjesë me ftesë të Unionit Demokrat Ndërkombëtar (IDU) dhe Institutit të Lidershipit Amerikan.
Ai e cilësoi aktivitetin si konventën elektorale më madhështore, më të bukur që kishte parë dhe vlerësoi veçanërisht fjalimin e presidentit Donald Trump.
Sipas Berishës, në fjalën e tij Trump përmendi në mënyrë të përsëritur rrezikun komunist dhe narkotrafiqet e drogës si dy nga rreziqet kryesore për SHBA-në.
Berisha i lidhi këto deklarata me situatën politike në Shqipëri, duke theksuar se të dy shtyllat mbajnë pushtetin në Tiranë.
“E kuptoni ju vetë se çfarë mesazhe ka marrë nga Teksasi, direkt nga konventa”, tha Berisha.
Ai theksoi gjithashtu se gjatë vizitës zhvilloi, së bashku me Fatmir Mediun dhe bashkëpunëtorë të tjerë, një seri takimesh me përfaqësues të Kongresit të SHBA-së, Dhomës së Përfaqësuesve, Senatit dhe administratës së presidentit Trump.
Berisha u ndal edhe te takimet me diasporën shqiptare në SHBA, të cilat i cilësoi si më frymëzueset dhe më të jashtëzakonshmet e vizitës.
Ai tha se e gjeti diasporën shqiptare në SHBA shumë më të fuqishme ekonomikisht dhe me një numër të madh profesionistësh të arsimuar në institucionet më të mira dhe të angazhuar në sipërmarrjen amerikane.
Berisha e krahasoi vizitën e tij të fundit me një udhëtim të zhvilluar rreth 35 vite më parë, kur ishte në SHBA për të kërkuar mbështetjen e diasporës dhe administratës amerikane në përmbysjen e komunizmit.
“Kësaj here regjimin që mbahet mbi drogën, por edhe dogmën komuniste në formën e vet”, tha Berisha, duke iu referuar situatës politike në Shqipëri.
Ai vlerësoi rolin e diasporës shqiptare në zhvillimet në Shqipëri dhe në Kosovë, duke theksuar se ajo është sot, 30 herë, më shumë ndoshta, më e fuqishme.
“Pra, ajo që mund t’u them, ishte udhëtim ripërtëritje në kuptimin e vërtetë të fjalës”, përfundoi Berisha.

