TIRANË, 10 korrik 2026 /Albania Express News/ -Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se kryeministri Edi Rama ka urdhëruar institucionet shtetërore të monitorojnë veprimtarinë digjitale dhe rrjetet sociale të qytetarëve, duke e cilësuar këtë si një sulm ndaj lirisë së shprehjes.
Berisha nënvizoi se qeveria po përdor si pretekst luftën kundër komenteve dhe përshtypjeve të rreme në internet për të vendosur një kontroll masiv mbi aktivitetin online të qytetarëve. Sipas Berishës, kjo nismë vjen në kulmin e protestave rinore dhe qytetare, me synimin për të identifikuar dhe goditur pjesëmarrësit në protesta, si edhe për të kontrolluar komentet kritike ndaj qeverisë.
Berisha theksoi se Partia Demokratike mbështet të drejtën e çdo qytetari për të shprehur lirisht opinionin e tij për shërbimet publike dhe private, si edhe për të komentuar në rrjetet sociale.
“Partia Demokratike konsideron të pacenueshme të drejtën e çdo qytetari për të shprehur përshtypjen e tij për çdo shërbim privat apo publik që merr dhe, në këtë kuadër, për klientin që ka marrë shërbimin nuk mund të ketë asnjë kufizim. Sikurse, PD konsideron të pacenueshme të drejtën e çdo qytetari për të shprehur mendimin dhe opinionin e tij në rrjetet sociale për çdo gjë dhe për cilindo”, tha ai.
“Natyrisht, Partia Demokratike nuk pajtohet kurrë me përshtypje të rreme nga llogari false për shërbime që nuk janë marrë kurrë, të cilat synojnë të dëmtojnë konkurrencën e ndershme. Por, Partia Demokratike shpreh dyshimet e saj më serioze se këto përshtypje false negative janë akte të organizuara nga patronazhistët e qeverisë së tyre në funksion të qëllimeve të zeza represive censuriale të saja”, tha Berisha.
Berisha tha se fushata kundër komenteve të rreme synon protestuesit; po përdoret për të vendosur policim digjital të qytetarëve; synon kontrollin e komenteve kundër qeverisë dhe se mund të çojë në bllokimin e llogarive në rrjetet sociale, duke e krahasuar këtë me vendimin për mbylljen e TikTok-ut.
Ai shtoi se Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar këtë veprimtari, të cilën e konsideron antikushtetuese.
“Prandaj, Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe, si një atentat të rëndë ndaj fjalës së lirë, mendimit dhe shprehjes, vendimin e Edi Ramës për kontrollin dhe policimin e rrjeteve sociale të qytetarëve, si dhe të statuseve e komenteve të tyre në këto rrjete. Partia Demokratike do kërkojë komision hetimor parlamentar të kësaj veprimtarie antikushtetuese të narko-institucioneve të regjimit të Edi Ramës”, tha Berisha.

