Belshi mikpriti mbledhjen e Bashkëpunimit të Rrjetit Ballkanik të Farërave

Nga Shefqet Hysa

Në prag të fundjavës, në ambientet mikpritëse të Agroturizmit “Paja” në Belsh, u zhvillua mbledhja e Bashkëpunimit të Rrjetit Ballkanik të Farërave, e cila u organizua nga Prof. Dr. Fetah Elezi, drejtues i Shoqatës së Resurseve Gjenetike të Bimëve.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të vendeve anëtare të rrjetit nga Greqia, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Serbia, Bosnja dhe Shqipëria, duke e kthyer Belshin në një qendër të rëndësishme të dialogut shkencor dhe bashkëpunimit rajonal për ruajtjen e biodiversitetit bujqësor.

Fetah Elezi: Dumreja, një pasuri e çmuar natyrore dhe bujqësore

Në fjalën e tij përshëndetëse, Prof. Dr. Fetah Elezi uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve në Shqipëri dhe në Belsh, duke vlerësuar bukuritë e veçanta natyrore të zonës së Dumresë. Ai prezantoi punën që po bëhet në nivel kombëtar për njohjen, ruajtjen dhe përdorimin e varieteteve autoktone e tradicionale, duke theksuar domosdoshmërinë e rritjes së përdorimit të tyre nga fermerët dhe njësitë e agroturizmit në vend.

Vlerësime për bashkëpunimin ballkanik

Drejtuesi i Rrjetit Ballkanik të Farërave, Dr. Kostas Kuotis nga Greqia, përgëzoi arritjet e deritanishme të bashkëpunimit midis vendeve të Ballkanit dhe nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të përdorimit të varieteteve tradicionale në prodhimin e produkteve organike.

Përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse paraqitën përvojat e tyre në këtë fushë, duke trajtuar sfidat dhe mundësitë e reja për bashkëpunim në të ardhmen.

Vizita në Qendrën e Resurseve Gjenetike dhe në “BioBes”

Pas seancës së paradites, pjesëmarrësit zhvilluan një vizitë në Bazën Eksperimentale të Qendrës së Resurseve Gjenetike në fshatin Hardhi. Ata u njohën nga afër me koleksionin e farërave, procesin e përpunimit dhe përgatitjes së tyre, Bankën e Farave dhe fushat eksperimentale.

Në shenjë bashkëpunimi, Qendra i dhuroi çdo pjesëmarrësi një paketë me mostra nga 15 varietete të ndryshme tradicionale shqiptare.

Më pas, delegacionet vizituan Qendrën e Grumbullimit të Bimëve Medicinale dhe Aromatike të kompanisë “BioBes” në Belsh. Përgjegjësi i qendrës, z. Ilir Shtylla, prezantoi punën që po bëhet në prodhimin, përpunimin dhe eksportimin e këtyre produkteve me cilësi të lartë, duke dhuruar gjithashtu pako me produkte natyrale për çdo vizitor.

Asambleja miraton programin për vitin 2026

Në seancën e pasdites, pjesëmarrësit u përshëndetën online nga Sekretarja e Rrjetit Ballkanik, Prof. Gordana Djuric, e cila përgëzoi organizatorët për mbledhjen e suksesshme dhe vuri në dukje rëndësinë e vazhdimësisë së projekteve të përbashkëta.

Asambleja miratoi programin e bashkëpunimit për vitin 2026, ndërsa Dr. Kuotis theksoi nevojën për të zgjeruar bashkëpunimin në aplikimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta pranë institucioneve të Bashkimit Europian, si dhe organizatave ndërkombëtare si FAO, UNDP e të tjera.

Mbrëmje festive me tingujt e Ballkanit

Takimi u mbyll me një darkë zyrtare festive, ku grupet muzikore dhe këngëtarë vendas krijuan një atmosferë të ngrohtë me këngë dhe valle tradicionale shqiptare, por edhe nga vendet pjesëmarrëse.

Të ftuarit shprehën mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë, organizimin shembullor dhe kushtet e shkëlqyera që ofron Belshi, duke premtuar rikthim dhe bashkëpunime të reja në të ardhmen.

Ky aktivitet përforcon rolin e Shqipërisë si një partner i rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë bimore të rajonit ballkanik, duke e lidhur shkencën me zhvillimin rural dhe turizmin e qëndrueshëm.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME