BE: Negociatat e Shqipërisë mund të përfundojnë në 2027 nëse ruhet ritmi i reformave

Komisioni Europian ka publikuar raportin më të fundit për vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke ofruar një tablo të qartë të ecurisë së secilit vend në procesin e integrimit. Dokumenti konfirmon pritshmëritë e bëra publike më herët nga Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Várhelyi, dhe vlerëson në mënyrë të diferencuar progresin në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Lindore.

Në raport, Mali i Zi përmendet si shembull pozitiv, pasi ka ruajtur një “progres të qëndrueshëm në reformat kyçe” dhe konsiderohet se “është në rrugën e duhur për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2026.”

Shqipëria merr gjithashtu vlerësime pozitive, me Komisionin që nënvizon se “objektivi për përfundimin e negociatave deri në vitin 2027 varet nga ruajtja e ritmit të reformave dhe forcimi i dialogut politik gjithëpërfshirës.” Nëse ky ritëm reformash vazhdon, thuhet në raport, Shqipëria është në rrugën e duhur për të arritur objektivin e saj ambicioz europian.

Sa i përket Ukrainës, raporti vlerëson përparimin e arritur pavarësisht kushteve të luftës, por paralajmëron për nevojën e “përshpejtimit të reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit,” në mënyrë që vendi të mund të mbyllë përkohësisht negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2028.

Në të njëjtën linjë, Moldavia shihet si një vend me objektiv “ambicioz, por të arritshëm,” për të mbyllur negociatat në vitin 2028, nëse përshpejton ritmin aktual të reformave.

Toni i raportit bëhet dukshëm më kritik për Serbinë, për të cilën Komisioni shpreh “shqetësim të thellë” dhe nënvizon se “reformat janë ngadalësuar ndjeshëm,” duke theksuar pakënaqësinë e qytetarëve për korrupsionin, mungesën e llogaridhënies dhe presionin ndaj shoqërisë civile. Komisioni kërkon nga Serbia të “kapërcejë bllokimin në gjyqësor dhe në të drejtat themelore” dhe të “ndalojë prapakthimin në fushën e lirisë së shprehjes.”

Ndërkohë, Gjeorgjia përballet me kritikat më të ashpra, pasi Komisioni vlerëson se “procesi i anëtarësimit është de facto i pezulluar që nga viti 2024” dhe se “situata është përkeqësuar ndjeshëm, me prapakthim serioz demokratik dhe kufizime të rënda të të drejtave themelore.” Në përfundim, raporti thekson se “Gjeorgjia është aktualisht vend kandidat vetëm në emër,” duke i kërkuar autoriteteve të Tbilisit të tregojnë angazhim të qartë për t’u rikthyer në rrugën e integrimit europian.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME