DURRËS ,28 korrik 2026/Albania Express News/-Ekipi i avokatëve të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka mbërritur këtë të martë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Durrës, ku pritet të zhvillojë një takim me të për të diskutuar strategjinë e mbrojtjes dhe hapat e ardhshëm ligjorë.
Sipas informacioneve, në ekip bëjnë pjesë avokatë shqiptarë dhe të huaj, të cilët do të shqyrtojnë ecurinë e procesit penal dhe do të koordinojnë veprimet që do të ndërmerren në vijim në funksion të mbrojtjes së Veliajt.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej muajit shkurt 2025, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Veliaj akuzohet nga SPAK për disa vepra penale, ndërsa ai dhe mbrojtja e tij kanë mohuar vazhdimisht akuzat, duke i cilësuar ato të pabazuara dhe duke deklaruar se do t’i kundërshtojnë në të gjitha shkallët e drejtësisë.
Takimi i sotëm pritet të jetë vendimtar për përcaktimin e strategjisë ligjore që do të ndiqet në fazat e ardhshme të procesit gjyqësor, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ekipi mbrojtës do të depozitojë kërkesa të reja pranë gjykatës lidhur me masën e sigurisë apo me zhvillimin e mëtejshëm të çështjes.

