Në Tiranë u hap sot konkursi ndërkombëtar për rijetësimin e pallatit të sporteve “Asllan Rusi”, një prej simboleve të historisë së sportit shqiptar dhe të jetës qytetare të kryeqytetit. Gjashtë skuadra finaliste prezantuan për jurinë ndërkombëtare projekt-idetë e tyre arkitekturore për transformimin e godinës ikonë në një arenë moderne dhe multifunksionale me standarde ndërkombëtare.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Kryeministri Edi Rama, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, arkitektë, urbanistë dhe figura të njohura të sportit.
Drejtoresha e Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC), Elira Kokona, u shpreh se ky projekt shënon një kapitull të ri për “Asllan Rusin”, që do të zgjerohet nga 5.000 në 13.500 metra katrorë sipërfaqe ndërtimi, me kapacitet deri në 6.000 vende për spektatorët, 2.500 metra katrorë hapësira të jashtme për aktivitete sportive dhe 12.500 metra katrorë parkim publik.
Kokona theksoi se sporti po kthehet në një motor zhvillimi urban, ekonomik dhe social, ndërsa “Asllan Rusi” do të ofrojë ambiente të përshtatura për një gamë të gjerë sportesh, si basketboll, volejboll, hendboll, gjimnastikë, boks, taekwondo, pingpong, peshëngritje dhe mundje.
Ajo nënvizoi se konkursi, i zhvilluar me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, është konceptuar si një proces transparent e gjithëpërfshirës, ku nga 10 projektet fillestare janë përzgjedhur 6 finaliste që do të vlerësohen nga një juri prestigjioze ndërkombëtare.
“Në thelb të misionit të Korporatës së Investimeve Shqiptare qëndron ideja e transformimit të pasurive shtetërore në motorë zhvillimi shumëdimensional – në qendra që gjenerojnë jetë ekonomike, sociale dhe kulturore,” tha Kokona, duke shtuar se ky proces është në përputhje me vizionin e Kryeministrit Edi Rama për një Shqipëri që modernizohet dhe europianizohet.
Ajo përmbylli fjalën e saj me bindjen se “projekti fitues do të arrijë të ruajë trashëgiminë historike të pallatit dhe ta bashkojë atë me frymën e arkitekturës bashkëkohore, duke e shndërruar ‘Asllan Rusin’ në një pikë referimi për Tiranën dhe rajonin.”