Antonio Rizvani ,sulmuesi 20 vjeçar shqiptar që po mahnit Greqinë me golat spektakolarë,bir i një çifti emigrantësh nga Librazhdi që synon të bëhet pjesë elitës europiane të futbollit dhe të luajë me Kombëtaren e Shqipërisë

NGA FATMIR POPJA

ATHINË ,26 prill 20/6/Albania Express News/ Në panoramën gjithnjë në zhvillim të futbollit europian, ku konkurrenca është e pamëshirshme dhe vetëm më të fortët mbijetojnë, po shfaqen emra të rinj që premtojnë shumë. Një prej tyre është Antonio Rizvani një sulmues modern me rrënjë shqiptare, i lindur dhe rritur në Athinë, që po ndërton hap pas hapi një karrierë serioze në futbollin grek.

Historia e tij nuk është vetëm histori talenti, por mbi të gjitha histori sakrifice, përkushtimi dhe identiteti. I rritur në një familje emigrantësh nga qyteti i Librazhdit, Antonio Rizvani ka trashëguar prej tyre vlerat e punës, disiplinës dhe respektit. Nga ndeshjet e zjarrta në parkun e lagjes kur ishte fare i vogël , te akademia e Apollon Smyrnis dhe më pas te Kifisia FC, ai ka treguar se nuk është thjesht një premtim, por një realitet në ndërtim.

Në këtë intervistë të zgjeruar për Albania Express News, 20 vjeçari Antonio Rizvani flet pa filtra për jetën, futbollin, sakrificat, idhujt, Kombëtaren e Shqipërisë dhe ëndrrat që e shtyjnë përpara.

INTERVISTA E PLOTË

Antonio, le të nisim nga fillimi. Si e kujton fëmijërinë tënde në Athinë dhe si ndikoi ajo në formimin tënd si njeri dhe si futbollist?

Fëmijëria ime ka qenë shumë intensive dhe e bukur në të njëjtën kohë. Kam kaluar pothuajse çdo ditë në parkun e gjelbër pranë shtëpisë tinë në Athinë duke luajtur futboll me shokët, nga ora 11 e mëngjesit deri në mbrëmje. Ato ndeshje ishin si mini kampionate të vogla, me rivalitet dhe pasion të madh. Pikërisht aty u formova si lojtar, sepse luaja edhe me djem më të rritur, që më detyronin të rritesha më shpejt si futbollist dhe si karakter. Ishte një shkollë e vërtetë jete dhe futbolli.

Sa rol ka pasur familja në këtë rrugëtim?

Familja ime është themeli i gjithçkaje që jam sot. Babai im ka qenë gjithmonë pranë meje, duke më ndjekur në çdo ndeshje dhe stërvitje, që nga momentet e para. Ai ka sakrifikuar shumë për mua dhe kjo më jep një motivim të jashtëzakonshëm për të mos e zhgënjyer. Edhe nëna ime ka qenë një mbështetje e madhe, duke u kujdesur që të mos më mungojë asgjë.

Sa të lidhur ndiheni me origjinën shqiptare?

Shumë i lidhur. Edhe pse jam lindur dhe rritur në Athinë, në shtëpi kemi folur gjithmonë shqip. Kam vizituar shpesh Shqipërinë, sidomos Librazhdin dhe e ndjej atë vend si pjesë të identitetit tim. Jam krenar që jam shqiptar dhe dua ta përfaqësoj një ditë vendin e prindërve të mi në nivelin më të lartë si futbollist profesionist.

Sakrificat e prindërve, sa ndikuan në motivimin tënd?

Kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë. Kur shikon se nga kanë ardhur dhe çfarë kanë kaluar, e kupton që nuk ke asnjë justifikim për të mos punuar fort. Babai im ka punuar në kushte shumë të vështira gjatë vitevevtë para si emigrant këtu në Greqi dhe kjo më ka bërë të jem edhe më i fortë si karakter .

Si lindi pasioni për futbollin dhe pse zgjodhe të jesh sulmues?

Pasioni lindi natyrshëm, që kur isha shumë i vogël. Gjithmonë më pëlqente të shënoja gola, ishte ndjesia më e bukur për mua. Prandaj edhe pa e menduar shumë, u orientova drejt rolit të sulmuesit.

Si ishte eksperienca te akademia e Apollon Smyrnis?

Ishte një hap shumë i rëndësishëm për mua. Dita e parë ishte emocionuese, por edhe sfiduese. Më ndihmuan shumë shokët dhe trajnerët që të përshtatesha shpejt dhe të kuptoja më mirë futbollin në aspekt profesional.

Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha në fillim?

Të përshtatesha me disiplinën dhe nivelin e lartë. Nuk ishte më thjesht lojë, por kërkonte përkushtim maksimal në çdo detaj.

A ke pasur momente të vështira?

Sigurisht që po, por nuk kam menduar kurrë të dorëzohem. Çdo vështirësi e kam parë si mundësi për t’u përmirësuar.

Si e përjetove momentin kur u bëre pjesë e ekipit të parë në moshën 16-vjeçare?

Ishte një ëndërr e bërë realitet. Ishte një hap shumë i madh dhe një përgjegjësi e madhe, por unë isha gati ta përballoja.

Sa e vështirë ishte të përshtateshe me futbollin profesionist?

Shumë e vështirë në fillim, sepse ritmi dhe intensiteti janë shumë më të larta. Por me punë dhe përkushtim, arrita të përshtatem.

Momenti më i paharrueshëm?

Finalja për titullin kampion.E fituan finalen me rezuktatin minimal me golin tim. Ishte një emocion që nuk harrohet kurrë.

Statistikat e tua deri tani?

Në moshën 16-vjeçare shënova 8 gola me ekipin e parë. Më pas me Kifisia FC realizova 13 gola dhe 9 asistime në një sezon, që ishte një arritje shumë e rëndësishme për mua.Tashmë sipas statistikave po flitet për qindra gola në total në ndeshjet zyrtare dhe ato miqësore .Shumica e golava të shënuar nga ana ime kanë qenë spektakolarë dhe janë vlerësuar shumë nga specialistët e futbollit këtu në Greqi.

Si do ta përshkruaje profilin tënd si sulmues?

Jam 185 cm i gjatë dhe jam një sulmues modern, që kombinon forcën fizike me teknikën. Kam gjuajtje të fortë, jam i shpejtë dhe i aftë në driblim. Gjithashtu, përpiqem të ndihmoj ekipin edhe në ndërtimin e lojës dhe asistimet.

Kush janë idhujt e tu?

Armando Broja është një model për mua. Shpresoj ti kalojë përfundimisht dëmtimet dhe të shkëlqejë në të ardhmen .Ndërsa në nivel botëror, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo janë dy figura që kanë ndikuar shumë në formimin tim mendor, shpirtëror dhe profesional.

Si e sheh futbollin modern për një sulmues?

Sot kërkohet gjithçka ,teknikë, forcë, inteligjencë taktike dhe përgatitje psikologjike e mendore për të përballuar jo vetëm lojën por edhe presionin që vjen nga tribunat e spektatorëve. Një sulmues race duhet të jetë i kompletuar në çdo drejtim për të përballuar jo vetëm sfidat por edhe sprovat .

Sa e madhe është ëndrra për Kombëtaren shqiptare?

Është ëndrra ime më e madhe. Do të ishte kulmi i karrierës sime të përfaqësoj Shqipërinë.

Si i përjeton sukseset e Kombëtares?

Me shumë emocion. E kam ndjekur gjithmonë dhe jam ndjerë krenar për çdo arritje.

Figura që të kanë frymëzuar?

Lorik Cana dhe Elseid Hysaj kanë qenë shumë frymëzuesit kryesorë për mua gjatë viteteve të fundit , periudhë kjo që përkon me rritjen dhe pjekurinë time edhe si njeri , por edhe si futbollist pasi jam vetëm 20 vjeç.

Si është rutina jote ditore?

Stërvitem çdo ditë në fushë dhe në palestër. Kujdesem shumë për trupin dhe formën fizike sepse kjo është shunë e rëndësishme për një futbollist që dëshiron të bëjë karrierë sa më gjatë.

Sa rëndësi ka aspekti mendor?

Është shumë i rëndësishëm. Në nivele të larta, diferencën e bën mentaliteti.

Objektivat afatshkurtra dhe afatgjata?

Afatshkurtër ,të vazhdoj të përmirësohem dhe të ngjitem në nivele më të larta.
Afatgjatë ,të luaj në kampionatet më të forta dhe të jem pjesë e Kombëtares.

Ëndrra më e madhe e juaja kush është?

Të luaj për FC Barcelona dhe të shënoj në ndeshje të mëdha.

Çfarë mesazhi ke për të rinjtë shqiptarë?

Mos u dorëzoni kurrë. Me punë, disiplinë dhe besim, gjithçka është e mundur.Kudo që jetoni e punoni mendoni për Shqipërinë dhe punoni për ta bërë krenarë atdheun e prindërve tanë që me sakrifica dhe punë të ndershme ja dolën edhe në kohë të vështira.
Unë personalisht dua të jem një projekt serioz i vetes për të ardhmen e futbollit shqiptar. Me një mentalitet profesionisti dua të jem një histori frymëzuese dhe me objektiva të qarta, i destinuar për të shkuar larg.Dua të vazhdoj me këtë ritëm dhe mendoj se tashmë  nuk është çështje nëse do më shohim në nivele të larta të futbollit profesionist ,por vetëm kur.Besoj fort se me punë ëndrra bëhet realitet.

Talentet shqiptare, një pasuri globale në rritje…

Futbolli shqiptar sot nuk kufizohet më brenda kufijve të Shqipërisë. Ai është shndërruar në një rrjet të gjerë talentesh që shtrihen në të gjithë Europën dhe më gjerë ,nga akademitë në Itali, Gjermani e Zvicër, te kampionatet në Greqi, Angli apo Spanjë. Kjo diasporë sportive përbën një nga asetet më të mëdha që ka futbolli ynë.

Ajo që bie në sy te futbollistët shqiptarë është kombinimi i talentit natyral me një mentalitet të fortë pune dhe sakrifice. Shumë prej tyre, ashtu unë, janë rritur në familje emigrantësh, ku rruga drejt suksesit nuk ka qenë e lehtë. Pikërisht kjo i ka bërë më të uritur për të arritur majat dhe më të përgatitur për sfidat e futbollit modern.

Në vitet e fundit, është vënë re një rritje e ndjeshme e cilësisë.Lojtarë tshqiptarë po aktivizohen në liga elitare, po marrin role protagoniste dhe po tregojnë se mund të jenë konkurrues në çdo nivel. Kjo është një shenjë e qartë se futbolli shqiptar po prodhon më shumë se kurrë më parë ,jo vetëm sasi, por edhe cilësi.

Megjithatë, sfida mbetet te menaxhimi dhe orientimi i këtyre talenteve. Duhet një lidhje më e fortë mes strukturave të futbollit shqiptar dhe lojtarëve në diasporë, në mënyrë që këto vlera të mos humbasin, por të kanalizohen drejt një projekti kombëtar afatgjatë.
Talentet shqiptare sot janë ambasadorë të vërtetë të vendit në arenën ndërkombëtare. Ata nuk përfaqësojnë vetëm veten apo klubet ku luajnë, por edhe një identitet, një kulturë dhe një histori sakrifice.

E ardhmja duket premtuese.Me mbështetjen e duhur, me profesionalizëm dhe me vizion, futbolli shqiptar ka potencialin real për të prodhuar yje të mëdhenj dhe për të qenë gjithnjë e më i pranishëm në elitën europiane.

Një falënderim i veçantë nga ana ime shkon për Median “Albania Express News” ,për profesionalizmin dhe përkushtimin në realizimin e kësaj interviste ekskluzive me mua.

Përmes kësaj hapësire mediatike,kam konstatuar me kënaqësi që sillni gjithmonë  më pranë publikut rrugëtimin e emigrantëve shqiptarë kudo ata ndodhen dhe jepni një mesazh i fortë për të gjithë ,se me punë, sakrificë dhe besim, ëndrrat mund të bëhen realitet.

Media të tilla luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e historive frymëzuese të talenteve në shkencë ,art,sport,arsim,mjekësi , sipërmarrje etj duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e vlerave dhe identitetit tonë kombëtar.

Faleminderit Antonio dhe urojmë që të shkëlqeni në karrierën tuaj si futbollist dhe të na bëni krenarë të gjithëve.

 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Kryetari i bashkisë Besh Arif Tafani : Konventa Arbërore në San Demetrio Coronen ,urë bashkimi mes Shqipërisë dhe Italisë

ITALI ,26 prill 2026/Albania Express News/Një udhëtim që tejkalon...

Pas çdo ndeshjeje, një plan: njerëzit që ndërtojnë fitoren në Elbasan…

Në hijen e suksesit, aty ku dritat rrallë ndalen,...

“Finalja e parakohshme në Elbasan Arena: AF Elbasani sfidon Vllazninë e Shkodrës për fronin!”

ELBASAN,26 prill 2026/Albania Express News/Në një mbrëmje që pritet...