Kush do ta gjykojë drejtësinë? Një alarm për sistemin gjyqësor në Shqipëri

Nga Lutfi Dervishi

Pyetja që mbetet sot nuk është “kush e vrau gjyqtarin?”

Po e marrim të mirëqenë që politika ka fajin e vet, qeveria përgjegjësitë, media dhe prokurorët e gjykatësit popullorë që kanë kthyer tastierën në kallashnikov kanë pjesën e tyre. POR…

Pyetja më e vështirë është:

Kush do ta gjykojë drejtësinë? Sepse nëse ajo nuk e gjykon veten, do ta gjykojë turma. Dhe turma nuk njeh as ligj, as kanun, as falje.

Nëse autori i krimit (e me të edhe familjarët) kërkuan ndjesë, turma kërkon shpagim! Nuk janë të paktë njerëzit që kanë mllef me drejtësinë: 120 mijë dosje janë kapicë në pritje të gjykimit.

Vetëm në Gjykatën e Apelit, ku gjyqtari u vra në tavolinën e punës, punojnë 31 gjyqtarë. Duhet të ishin 78. Çdo ditë shtohen dosjet, çdo ditë akumulohen vonesat, çdo ditë grumbullohen pakënaqësitë.

45,374 dosje janë në pritje në këtë gjykatë, statistikë e muajit shtator! (33,000 dosje janë transferuar nga gjykatat e mbyllura.)

Çdo vit shtohen rreth 13,000 dosje. Reforma premtoi pastrim, por solli edhe paralizë.

Vetëm 67% e gjyqtarëve dhe 65% e prokurorëve janë në punë. Me më pak se dy të tretat e trupës, sistemi funksionon duke u çapitur e zvarritur.

Drejtësia me këtë ritëm vonohet aq shumë sa heq shpresën dhe çon në dëshpërim.

Ndërsa në gjykata dosjet bëhen stivë, shteti paguan faturat. Vetëm dekadën e fundit, për shkarkime të padrejta, nga buxheti i shtetit kanë dalë 17 miliardë lekë. Mijëra çështje të fituara kundër administratës tregojnë se padrejtësia nuk është rastësi, por model pune.

Vetë qeverisja e gjyqësorit ka kusuret e veta. Krimi nuk lidhet vetëm me sigurinë dhe godinat, por edhe me funksionimin e sistemit. Pas shtatë vitesh nga ngritja e institucioneve të reja të reformës në drejtësi, asnjë gjykatë (përveç Gjykatës së Lartë) nuk ka një kryetar të emëruar. Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGj), që duhet të garantojë funksionimin e sistemit, ende nuk ka miratuar rregulloren për drejtuesit e gjykatave.

Humbja e jetës së gjyqtarit duhet të jetë një moment i vërtetë ndërgjegjësimi, jo një status 24-orësh në Facebook. Institucionet drejtuese duhet të dalin nga heshtja dhe të marrin përgjegjësitë.

Qeverisja e gjyqësorit duhet të kishte dalë prej kohësh me plan emergjent për plotësimin e vendeve bosh në gjykata. Me ritmin e tanishëm duhen 13 vjet që të plotësohen vendet bosh në gjykata dhe prokurori! Thjesht nuk mund të vazhdohet kështu.

Padrejtësia ose ndjesia e padrejtësisë është aq e madhe sa tek viktimat një pjesë nuk shohin gjykatësin, por padrejtësinë. Dhe e konsiderojnë ngjarjen si akt dëmshpërblimi.

Ka njerëz në sistemin e drejtësisë që i shohin qytetarët si miza. U duket vetja mbinjerëzorë. Mendojnë se mund të bëjnë gjithçka ndaj kujtdo!

Nuk mund të normalizohet ideja se është normale që:

  • Një proces civil në një shkallë gjykate zgjasë 7 vjet.
  • Duhet të ndërhyjë ambasada për të zbardhur vendimin gjyqësor për një shtetas të saj.
  • Një gjyqtar mund të gjykojë 10 çështje në ditë.
  • Burgimi pa afat për çështje banale është bërë refren.
  • Shkrirja e gjykatave të Apelit prezantohet si histori suksesi, përkundër realitetit të “hartës së re gjyqësore”.

Esponentët e gjyqësorit flasin gjithmonë për pavarësi, por nuk flasin për problemet e brendshme të drejtësisë dhe mënyrat për t’i zgjidhur. Aq shumë flasin sa krijohet përshtypja se janë aty vetëm për të marrë pavarësinë.

Dhe kthehemi te pika fillestare: Kush do ta gjykojë drejtësinë? Nëse institucionet drejtuese (KLGj, KLP) nuk e zgjidhin paralizën dhe nuk plotësojnë vendet bosh, ata po ftojnë një gjykim tjetër: shpagimin.

Askush nuk duhet të mashtrohet se zemërimi popullor vjen rastësisht. Ai është fryt i vonesave, mbingarkesës dhe arrogancës së perceptuar. Kjo tragjedi duhet të jetë alarm i fundit: ose drejtësia e gjykon veten shpejt dhe me efikasitet, ose e pret një gjyq që nuk respekton asnjë rregull.

Zgjedhja nuk është midis reformës dhe status-quo-së; është midis rendit ligjor dhe shpagimit të turmës.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Kriza e fshehur nis tani

  Nga Klevis Elezi ,Politolog Rritja e çmimeve të naftës nuk...

Mediat: SHBA-ja dhe Irani diskutojnë për armëpushimin 45-ditor, shanse të vogla për marrëveshje brenda 48 orëve

Negociatat prapa skenave për një armëpushim të mundshëm 45-ditor...

Historia si art, një përvojë ndryshe në shkollën artistike “Onufri”

Historia mori jetë në klasat e 10-ta të shkollës...