Sot është një ditë zhgënjimi për presidentin amerikan Donald Trump, ndërsa një lajm historik vjen nga Oslo: María Corina Machado nga Venezuela është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Paqen për vitin 2025.
Komiteti Nobel e vlerësoi Machado-n si “një nga shembujt më të jashtëzakonshëm të guximit në Amerikën Latine” dhe si “një grua që e mban flakën e demokracisë ndezur mes një errësire në rritje”.
Në një postim zyrtar në platformën X, komiteti theksoi se çmimi iu dha për punën e saj të palodhur në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për përpjekjet e saj për të arritur një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci.
María Corina Machado, një nga figurat më të forta të opozitës venezueliane, ka qenë për vite me radhë në qendër të luftës kundër regjimit autoritar të Nicolás Maduro-s. Me qëndrimet e saj të palëkundura dhe fjalën e lirë si armë, ajo është bërë simbol i shpresës për miliona venezuelianë që ëndërrojnë një vend të lirë dhe demokratik.
Vlerësimi i saj me Nobel për Paqen shihet si një mesazh i fuqishëm mbështetjeje për opozitën demokratike në Amerikën Latine dhe një thirrje ndërkombëtare për respektimin e lirive themelore në rajon.

