Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit nderoi këtë mesjavë tetë personalitete të shquara të tij . Rektorja ,Prod.Dr Elvira Fetahu vlerësoi trashëgiminë akademike të Elbasanit , mes tyre edhe të ndjerin Musa Vyshka , pedagogun themelues të këtij institucioni prestigjoz arsimor në Shqipëri.

ELBASAN , 26 nëntor 2026/Albania Express News/-Tetë figura me kontribut në historinë dhe zhvillimin e arsimit të lartë u vlerësuan me Çertifikata Mirënjohjeje nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Mes momenteve më emocionuese ishte nderimi pas vdekjes i pedagogut themelues Mysa Vyshka, çertifikatën e të cilit e mori djali i tij, gazetari i mirënjohur sportiv dhe ish-studenti i këtij universiteti, Gjergj Vyshka.
Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan organizoi më 26 nëntor 2026 një ceremoni të veçantë për nderimin e tetë personaliteteve, të cilët kanë dhënë kontribut në historinë, zhvillimin dhe konsolidimin e këtij institucioni prestigjioz të arsimit të lartë.

Në këtë ceremoni u vlerësuan me Çertifikata Mirënjohjeje: Mustafa Karapinjalli, Emine Sadiku, Liman Varoshi, Riza Hasa, Bardhyl Graceni, Musa Vyshka, Tomorr Domi dhe Albert Riska.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të vlerësimit të trashëgimisë akademike dhe të figurave që kanë kontribuar në rrugëtimin e universitetit, duke sjellë në vëmendje rëndësinë e ruajtjes së kujtesës institucionale dhe respektit për brezat që kanë ndërtuar traditën universitare të Elbasanit.

Në qendër të ceremonisë ishte fjala përshëndetëse e Rektores, Prof. Dr. Elvira Fetahu, e cila vlerësoi trashëgiminë akademike të Elbasanit dhe rolin e personaliteteve që kanë lënë gjurmë në historinë e universitetit.
Rektorja Fetahu theksoi rëndësinë e ruajtjes së vlerave akademike, respektimit të figurave që kanë kontribuar në zhvillimin e arsimit dhe përcjelljes së kësaj trashëgimie te brezat e rinj. Universiteti, sipas këtij vizioni, nuk përfaqësohet vetëm nga programet e studimit dhe infrastruktura, por mbi të gjitha nga njerëzit, pedagogët, studiuesit dhe personalitetet që kanë ndërtuar identitetin e tij ndër vite.
Ceremonia e ndarjes së Çertifikatave të Mirënjohjes përbënte një shprehje konkrete të vlerësimit institucional për kontributin e këtyre tetë personaliteteve.

Gazetari Gjergj Vyshka merr çertifikatën akorduar babait të tij të ndjerë , Mysa Vyshka ,pedagogut themelues të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”
Një nga momentet më domethënëse dhe emocionuese të ceremonisë ishte nderimi i pedagogut themelues Mysa Vyshka, kontributi i të cilit në historinë e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” u vlerësua përmes akordimit të Certifikatës së Mirënjohjes.
Çertifikatën në emër të të atit e mori gazetari Gjergj Vyshka, njëkohësisht ish-student i këtij universiteti. Një moment me simbolikë të veçantë, pasi në këtë ceremoni u bashkuan historia profesionale e një pedagogu themelues me përvojën akademike të djalit të tij, i cili dikur ishte pjesë e auditorëve të këtij institucioni.
Në fjalën e tij, Gjergj Vyshka falënderoi në emër të familjes Vyshka , Rektoren Prof. Dr. Elvira Fetahu, autoritetet drejtuese të universitetit dhe ish-pedagogët e tij për vlerësimin dhe respektin e treguar ndaj figurës së babait të tij.

Ai shprehu emocionin e veçantë për faktin se ky nderim vinte pikërisht nga universiteti ku Mysa Vyshka kishte kontribuar si pedagog themelues dhe ku vetë ai ishte formuar akademikisht.
Gjergj Vyshka vlerësoi se ky nderim përfaqëson më shumë se një certifikatë, pasi është një shprehje respekti për punën, përkushtimin dhe kontributin e një brezi pedagogësh që hodhën themelet e këtij institucioni dhe ndihmuan në formimin e shumë brezave studentësh.
Një homazh për historinë dhe traditën akademike të Elbasanit
Ceremonia e organizuar nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” ishte një moment reflektimi mbi rrugëtimin e këtij institucioni dhe rëndësinë e personaliteteve që kanë kontribuar në zhvillimin e arsimit të lartë.

Përmes vlerësimit të Mustafa Karapinjallit, Emine Sadikut, Liman Varoshit, Riza Hasës, Bardhyl Gracenit, Musa Vyshkës, Tomorr Domit dhe Albert Riskës, universiteti nderoi kontributin e tetë figurave që lidhen me historinë dhe trashëgiminë e tij akademike , një pjesë e të cilëve janë ndarë nga jeta .
Ndarja e çertifikatave përfaqëson një mesazh respekti për të kaluarën, vlerësimi për kontributin e dhënë dhe përgjegjësie për të ardhmen e arsimit dhe kërkimit shkencor.
Elbasani, qyteti me traditë të hershme arsimore, vijon të ruajë përmes Universitetit “Aleksandër Xhuvani” një trashëgimi të rëndësishme akademike dhe kombëtare, ku brezat e pedagogëve dhe studentëve mbeten pjesë e një historie të përbashkët.

