ELBASAN ,23 nëntor 2026/Albania Express News/-Partia Socialiste ka planifikuar një seri aktivitetesh politike dhe organizative në Elbasan, të cilat do të zhvillohen gjatë dy ditëve të ardhshme, më 23 dhe 24 nëntor 2026. Në fokus do të jenë bashkëpunimi me këshilltarët bashkiakë, mbledhja e strukturave drejtuese dhe organizimi politik pas ndryshimeve të reja territoriale.
Aktivitetet nisin këtë të hënë, më 23 nëntor, me takimin e programuar në orën 16:00, me temë “Këshilltari i Bashkisë Time”, ku do të marrin pjesë përfaqësues politikë nga qarqet Elbasan, Berat dhe Korçë.
Takimi do të zhvillohet në Qendrën Kulturore për Fëmijë (ish-Riemar), në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosi, drejtuesve politikë, deputetëve dhe kryetarëve të bashkive të tre qarqeve.
Por zhvillimet politike nuk do të ndalen me kaq. Në orën 18:00, në të njëjtin ambient, është planifikuar mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste të Qarkut Elbasan. Sipas njoftimit të shpërndarë, në këtë mbledhje mund të jetë i pranishëm edhe kryetari i Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama, pjesëmarrja e të cilit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Të martën, radha e Asamblesë së zgjeruar të bashkisë së re
Axhenda politike do të vijojë edhe të martën, më 24 nëntor, në orën 18:00, me zhvillimin e Asamblesë së Zgjeruar të Bashkisë së Re, që përfshin Elbasanin, Cërrikun dhe Belshin.
Takimi do të organizohet në ambientet e Fish City Rozafa dhe pritet të mbledhë përfaqësues të strukturave të Partisë Socialiste nga rajonet përkatëse.
Sipas udhëzimit organizativ, pjesëmarrja do të përfshijë kryetarët dhe bashkëkryetarët e Komiteteve Socialiste (KS), kryetarët dhe bashkëkryetarët e Organizatave Socialiste (OS), të deleguarit e rajoneve, koordinatoren e Forumit të Gruas, koordinatorin e Rinisë, si dhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare.
Dy ditë me një axhendë të ngjeshur politike, me takime në nivele të ndryshme drejtuese dhe me përfshirjen e strukturave vendore e qendrore të Partisë Socialiste. Elbasani bëhet kështu një nga pikat kryesore të aktivitetit organizativ të socialistëve në këto data.

