ELBASAN , 20 nëntor 2026/Albania Express News/-AF Elbasani ka marrë një fitore me shumë peshë në Abissnet Superiore, duke mposhtur 1-0 Dinamo City në një përballje që u vendos vetëm në minutat e fundit.
Heroi i verdhebluve ishte Y. Epitaux, i cili gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 85-të, duke vulosur tri pikët për skuadrën e tij.
Përtej golit vendimtar dhe rëndësisë së rezultatit, kjo përballje kishte edhe një histori të veçantë në pankina. Glen Daja u përball me Dinamo City-n, skuadrën ku kishte punuar si ndihmëstrajner përkrah babait të tij, Ilir Daja, gjatë dy fazave të para të kampionatit. Këtë herë, megjithatë, përballë ishte në rolin e kundërshtarit, duke dalë fitues nga dueli me ish-ekipin e tij.
Me këtë sukses, AF Elbasani ngjitet në kuotën e 17 pikëve pas 12 javësh kampionat, po aq sa Dinamo. Verdheblutë mbajnë vendin e katërt falë golavarazhit më të mirë, ndërsa dinamovitët renditen një pozicion më poshtë. Një fitore e vonë, por me vlerë të trefishtë për AF Elbasanin, që jo vetëm mposht një rival direkt, por edhe e lë pas në renditje.

