Policia shqiptare dhe ajo italiane thellojnë bashkëpunimin në arsimimin dhe formimin profesional

Romë, Itali | Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurisë dhe formimit profesional të strukturave policore pritet të marrë një dimension të ri.

ROMË / TIRANË , 12 nëntor 2026 / Albania Express News /-Skënder Hita në Akademinë e Policisë italiane: Arsimimi dhe formimi profesional, baza për një polici moderne dhe shërbim cilësor ndaj qytetarëve

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, gjatë vizitës zyrtare në Itali, ka zhvilluar një takim në Akademinë e Policisë italiane, ku është pritur nga drejtori i këtij institucioni, Mario Viola.

Në këtë vizitë, Hita shoqërohej nga një delegacion i Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të Akademisë së Sigurisë. Në qendër të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit institucional, shkëmbimi i përvojave dhe zgjerimi i mundësive të bashkëpunimit në fushën e edukimit, formimit profesional dhe specializimit të punonjësve të policisë.

Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, vuri theksin te roli që ka arsimi policor në ndërtimin e një institucioni modern, profesional dhe të orientuar drejt shërbimit ndaj qytetarëve.

Ai theksoi se zhvillimi i Akademisë së Sigurisë përbën një nga prioritetet e drejtimit të tij, duke nënvizuar nevojën për të zgjeruar marrëdhëniet me institucionet homologe italiane përmes programeve të përbashkëta akademike, shkëmbimit të pedagogëve dhe ekspertëve, si dhe organizimit të trajnimeve të specializuara.

“Një polici profesionale dhe moderne ndërtohet mbi përgatitjen cilësore, integritetin dhe aftësitë e punonjësve të saj. Për këtë arsye, zhvillimi i Akademisë së Sigurisë është një nga prioritetet e mia. Synimi ynë është të zgjerojmë bashkëpunimin me institucionet tuaja arsimore përmes programeve të përbashkëta akademike, shkëmbimit të pedagogëve dhe ekspertëve, trajnimeve të specializuara”, u shpreh Hita.

Mbështetje italiane për zhvillimin e Akademisë së Sigurisë

Nga ana e tij, drejtori i Akademisë së Policisë italiane, Mario Viola, vlerësoi progresin e bërë nga Akademia e Sigurisë në Shqipëri dhe rikonfirmoi gatishmërinë e institucionit që ai drejton për të vijuar mbështetjen dhe bashkëpunimin.

Viola evidentoi rëndësinë e faktit që Akademia e Sigurisë shqiptare është tashmë e akredituar dhe ka krijuar marrëdhënie bashkëpunimi me institucione të ngjashme në rajon, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai bëri të ditur se mbështetja italiane do të vijojë në disa drejtime, duke përfshirë ofrimin e literaturës profesionale, trajnimet, programet e studimit Master dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.

“Vlerësoj progresin e Akademisë së Sigurisë të Policisë shqiptare, e cila tashmë është e akredituar dhe ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me shumë akademi në rajon, Evropë dhe SHBA. Jemi të lumtur që kontribuojmë në fuqizimin e saj. Akademia e Policisë italiane do të vijojë ta mbështesë përmes literaturës, trajnimeve, programit Master dhe çdo nevoje tjetër”, deklaroi Mario Viola.

Në fokus edhe programi Master për hetimin e krimit

Një kontribut të rëndësishëm në këtë takim dha edhe rektori i Akademisë së Sigurisë, Prof. Ilirjan Mandro, i cili falënderoi drejtuesit dhe autoritetet e Akademisë së Policisë italiane për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin në zhvillimin akademik e profesional të institucionit shqiptar.

Mandro vlerësoi rëndësinë e përafrimit të sistemeve të arsimit policor dhe të thellimit të bashkëpunimit në fusha konkrete, me interes të drejtpërdrejtë për përgatitjen e specialistëve të rinj të sigurisë.

Në mënyrë të veçantë, ai evidentoi vijimin e bashkëpunimit në programin Master “Hetimi i Krimit”, si dhe zgjerimin e mundësive për trajnime të përbashkëta, shkëmbimin e lektorëve, ndarjen e eksperiencave profesionale dhe zhvillimin e praktikave bashkëkohore në fushën e policimit në komunitet.

Investim në profesionalizëm dhe sigurinë e qytetarëve

Vizita në Akademinë e Policisë italiane dhe diskutimet e zhvilluara mes drejtuesve të dy institucioneve konfirmojnë rëndësinë që merr bashkëpunimi ndërkombëtar në modernizimin e strukturave policore dhe përmirësimin e standardeve të formimit profesional.

Shkëmbimi i përvojave, njohurive akademike dhe praktikave më të mira evropiane krijon mundësi konkrete për rritjen e kapaciteteve profesionale të punonjësve të Policisë së Shtetit shqiptar.

Në këtë kontekst, forcimi i Akademisë së Sigurisë nuk përfaqëson vetëm një investim në sistemin arsimor policor, por edhe një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të performancës institucionale, rritjes së besimit të publikut dhe ofrimit të një shërbimi më cilësor për qytetarët.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME