Policia e Tiranës ka vendosur 10 masa administrative ndaj protestuesve që penguan qarkullimin e automjeteve gjatë tubimit të zhvilluar një ditë më parë. Sipas uniformave blu, qytetarët nuk iu bindën thirrjeve të përsëritura për lirimin e rrugës.
TIRANË , 7 nëntor 2026 / Albania Express News /-Dhjetë persona janë ndëshkuar me gjobë nga Policia e Tiranës pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pasi akuzohen se kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e automjeteve.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, gjatë tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë zënë hapësirën e qarkullimit të mjeteve, duke mos iu përgjigjur thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë për lirimin e rrugës.
Thirrjet përmes megafonit nuk kanë sjellë reagimin e kërkuar nga personat e konstatuar, ndaj ndaj tyre janë plotësuar procesverbalet përkatëse për kundërvajtje administrative.
Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, për secilin prej 10 personave është vendosur masa administrative gjobë në vlerën 5 000 lekë.
Në total, gjobat e vendosura arrijnë në 50 mijë lekë.
Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Policia nuk ka bërë publik identitetin e personave të ndëshkuar, ndërsa masa administrative lidhet me bllokimin e rrugës dhe pengimin e qarkullimit të automjeteve gjatë tubimit.

