ELBASAN , 6 nëntor 2026 / Albania Express News /-Kreu i Partisë Demokratike në Elbasan, Alis Narazani, ka njoftuar zhvillimin e një mbledhjeje të Kryesisë së degës, ku në fokus kanë qenë diskutimet dhe koordinimi i strukturave për protestën kombëtare të së shtunës në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Narazani bën të ditur se gjatë mbledhjes është diskutuar për angazhimin dhe mobilizimin e anëtarësisë në mbështetje të studentëve që prej ditësh janë pjesë e protestave kundër qeverisë.

“Vendosmëri, angazhim dhe mobilizim maksimal! Asnjë hap pas!”, shkruan Narazani, duke bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e së shtunës, e cila është paralajmëruar të nisë në orën 12:00 në Tiranë.
Kreu i PD-së Elbasan u bën thirrje demokratëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen tubimit, në një moment kur protestat studentore po shoqërohen me përpjekje për zgjerimin e tyre në një lëvizje më të gjerë qytetare dhe politike.
Protesta kombëtare është paralajmëruar për të shtunën, ora 12:00, në Tiranë.


