Elbasani miraton paketën e re të investimeve, fokus te infrastruktura, arsimi dhe rinia

ELBASAN  , 3 nëntor 2026 / Albania Express News /- Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar një paketë të re investimesh që përfshin infrastrukturën rrugore, institucionet arsimore dhe përmirësimin e shërbimeve publike, si dhe Planin Vendor për Rininë 2026–2030.

Vendimet e marra parashikojnë ndërhyrje në disa zona të qytetit dhe njësive administrative, me synimin për përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të mira për komunitetin.

Kryqëzimi i Cërrikut, një nga investimet kryesore

Një prej projekteve të rëndësishme të miratuara është ndërhyrja në kryqëzimin e Cërrikut, e cila synon të lehtësojë qarkullimin e automjeteve, të reduktojë problematikat e trafikut dhe të rrisë sigurinë rrugore në këtë pikë të rëndësishme të lëvizjes.

Përveç këtij projekti, paketa e investimeve në infrastrukturë përfshin edhe:

  • Sistemimin e aksit rrugor nga rrethrrotullimi i Bradasheshit deri te Rrethrrotullimi i Luleve.
  • Rikonstruksionin e rrugës së Teqes, me synim përmirësimin e lidhjes me lagjen “5 Maji” dhe pjesën e sipërme të qytetit.
  • Sistemimin e rrugëve të brendshme të varrezave të reja.
  • Rehabilitimin e rrugëve dhe shesheve në lagje të ndryshme.

Investime të reja në arsim dhe shërbime publike

Në fokus të vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak janë edhe projektet që lidhen me arsimin parashkollor dhe shërbimet për qytetarët.

Konkretisht, është parashikuar ndërtimi i një kopshti të ri në lagjen “Skënderbej”, vijimi i punimeve për çerdhen nr. 6 pranë Balashes, si dhe ndërtimi i tregut të fruta-perimeve në Tregan.

Këto ndërhyrje synojnë zgjerimin dhe përmirësimin e shërbimeve publike, duke iu përgjigjur nevojave të banorëve në qytet dhe njësitë administrative.

22.6 milionë lekë për Planin Vendor të Rinisë 2026–2030

Një tjetër vendim i rëndësishëm është miratimi i Planit Vendor për Rininë 2026–2030, me një kosto të parashikuar prej rreth 22.6 milionë lekësh.

Plani synon të krijojë më shumë mundësi për të rinjtë në disa fusha prioritare, si punësimi, sipërmarrja, arsimi, kultura dhe sporti. Një rëndësi e veçantë i kushtohet gjithashtu përfshirjes së të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe në jetën publike të komunitetit.

Përmes kësaj pakete, Bashkia Elbasan synon të vijojë ndërhyrjet në infrastrukturë dhe shërbime, duke përfshirë njëkohësisht edhe politikat për fuqizimin e brezit të ri.

Projektet e miratuara pritet të shërbejnë si pjesë e investimeve për zhvillimin urban dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në Elbasan dhe njësitë e tij administrative.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Shqipëria prezanton potencialin turistik në panairin ndërkombëtar të Londrës

TIRANË , 3 nëntor 2026 / Albania Express News...

E rëndë në Bulqizë, 53-vjeçari sulmohet nga ariu dhe ndërron jetë

BULQIZË, 3 nëntor 2026 / Albania Express News /-Një...

Zgjerimi i BE-së, zbardhen detajet e udhërrëfyesit për Shqipërinë, Marta Kos prezanton nesër planin drejt anëtarësimit

Brukseli parashikon përfundimin e negociatave shqiptare në fund të...