ELBASAN, 1 nëntor 2026 /Albania Express News/-Laçi është larguar nga Elbasani me pretendime të forta për arbitrimin, pas humbjes 2-1 ndaj vendasve, në një ndeshje që u shoqërua me polemika të mëdha në minutat e fundit.
Momenti që shkaktoi zemërimin e kurbinasve ndodhi në fundin e kohës shtesë. Pas një goditjeje dënimi, Traore dërgoi topin në rrjetë, duke realizuar atë që mund të ishte goli i barazimit 2-2.
Por festa e KF Laçit u ndërpre nga vërshëllima e kryesorit Olsion Yzeiraj, i cili kishte sinjalizuar më herët një faull në sulm, përpara se topi të përfundonte në rrjetë.
Një vendim që shkaktoi reagime të forta, pasi sipas pretendimeve të kampit kurbinas, faulli nuk ishte i dukshëm dhe ndërprerja e lojës përpara përfundimit të aksionit bëri që VAR-i të mos kishte mundësi të shqyrtonte episodin dhe vlefshmërinë e golit.
Kështu, KF Laçi humbi mundësinë për të kërkuar ndërhyrjen e videoteknologjisë në një nga momentet më vendimtare të takimit.
Një fund dramatik për sfidën AF Elbasani-KF Laçi, ku krahas përmbysjes së rezultatit nga vendasit, episodi i minutave të fundit pritet të mbetet në qendër të diskutimeve për gjykimin.

