TIRANË, 1 nëntor 2026 /Albania Express News/ – Një 26-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një vrasje të ndodhur në Selanik të Greqisë në vitin 2020, është arrestuar provizorisht në shtetin fqinj, në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”.
Policia e Shtetit bën me dije se i riu me inicialet R. T., lindur në Korçë, u lokalizua dhe u arrestua falë bashkëpunimit dhe koordinimit informativ e operacional mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës. Arrestimi u krye me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Sipas hetimeve, 26-vjeçari dyshohet se në vitin 2020, në Selanik, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, ka vrarë shtetasin shqiptar S. D. Fillimisht, viktima është dhunuar dhe më pas është goditur me mjete prerëse.
Për këtë ngjarje, familjarët e viktimës kishin depozituar kallëzim në Korçë, ndërsa hetimet dhe veprimet procedurale ishin koordinuar me autoritetet greke.
Në vitin 2021, Gjykata e Korçës i kishte caktuar R. T. masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët grekë për përfundimin e procedurave ligjore dhe ekstradimin e 26-vjeçarit në Shqipëri.


