Bardheblutë kaluan në avantazh që në minutën e tretë me Hazrollajn, por Loukili dhe Diabate përmbysën rezultatin, duke i dhënë skuadrës së Rrogozhinës një fitore të rëndësishme në javën e 10-të.
TIRANË, 1 nëntor 2026 /Albania Express News/- Egnatia konfirmon karakterin e kampionëve! Skuadra rrogozhinase ka marrë një fitore me shumë vlera në transfertë, duke mposhtur Tiranën me rezultatin 2-1, në një përballje të vlefshme për javën e 10-të të Abissnet Superiore.
Takimi nisi në mënyrën më të mirë për vendasit, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e tretë. Hazrollaj dërgoi topin në rrjetë, duke ndezur entuziazmin e bardhebluve dhe duke i dhënë Tiranës një nisje premtuese.
Megjithatë, avantazhi i kryeqytetasve nuk zgjati shumë. Egnatia reagoi dhe në minutën e 20-të ishte Loukili ai që riktheu baraspeshën, duke vendosur rezultatin 1-1. Me këtë shifër u mbyll edhe pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë, të dyja skuadrat kërkuan golin e avantazhit. Tirana iu afrua realizimit në minutën e 68-të me Fresnedën, por portieri Tandilashvili u shfaq vendimtar, duke evituar një gol të sigurt dhe duke mbajtur Egnatian në lojë.
Kur sfida po i afrohej fundit dhe barazimi dukej gjithnjë e më i mundshëm, kampionët në fuqi goditën sërish. Në minutën e 77-të, Diabate realizoi golin e përmbysjes, duke vulosur fitoren 2-1 për rrogozhinasit.
Një sukses me peshë për Egnatian, që tregon edhe një herë se mbetet një skuadër me ambicie të larta dhe me aftësinë për të reaguar edhe në momentet më të vështira të ndeshjes.
Nga ana tjetër, zhgënjim për Tiranën, e cila pavarësisht golit të hershëm dhe përpjekjeve për të rikthyer avantazhin, largohet pa pikë nga kjo përballje.
Egnatia fiton në kryeqytet, përmbys Tiranën dhe merr tri pikë të çmuara në garën e Abissnet Superiore!

