ELBASAN, 2 tetor 2026 /Albania Express News/- Dy vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në Qarkun e Elbasanit, ndërsa strukturat zjarrfikëse dhe shërbimet mbështetëse janë angazhuar në terren për monitorimin dhe izolimin e tyre.
Sipas informacionit zyrtar të Zyrës së Emergjencave Civile pranë Prefekturës së Qarkut Elbasan, një nga vatrat ndodhet në fshatin Galush, Njësia Administrative Përparim, Bashkia Peqin, ndërsa tjetra në zonën pyjore të Njësisë Administrative Gjinar, Bashkia Elbasan.
Në Galush, ku zjarri ka përfshirë zona me ullishte, shkurre dhe bimësi të ulët, efektivët e MZSH Peqin kanë qëndruar gjatë gjithë natës në terren dhe kanë krijuar një brez sigurie për mbrojtjen e banesave.
Vatrat vijojnë të jenë aktive në pjesë të ndryshme të zonës, por autoritetet raportojnë se aktualisht nuk ka rrezik për banesat dhe objektet e tjera.
Për përballimin e situatës janë angazhuar një mjet zjarrfikës dhe 9 efektivë të MZSH Peqin, ndërsa në mbështetje të tyre kanë shkuar edhe një mjet zjarrfikës dhe 4 efektivë të MZSH Rrogozhinë.
Gjinar, zjarri vijon prej disa ditësh
Situata po monitorohet edhe në zonën e Gjinarit, ku vatra e zjarrit vijon prej disa ditësh. Sipas raportimit zyrtar, ende konstatohet tym brenda zonës së prekur, por aktualisht nuk raportohet rrezik për përhapjen e zjarrit dhe as për zhvillimin e flakëve në kurorën e pyllit.
Në terren janë angazhuar 14 forca zjarrfikëse të MZSH Elbasan dhe një mjet zjarrfikës, së bashku me 9 punonjës të ASHP-së dhe 7 punonjës të Ndërmarrjes Pyjore të Bashkisë Elbasan.
Strukturat e emergjencave vijojnë monitorimin e situatës në të dyja zonat, ndërsa forcat zjarrfikëse janë në gatishmëri për ndërhyrje në rast të aktivizimit apo përhapjes së vatrave.
Autoritetet po ndjekin në mënyrë të vazhdueshme situatën, veçanërisht në zonat me ullishte, shkurre, bimësi të ulët dhe sipërfaqe pyjore, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.


