Rama: Një provë të vetme që dikush të ketë futur qindarkë në xhepin tim në këmbim të një firme, nuk e nxjerrin do

TIRANË, 27 shtator 2026 /Albania Express News/- Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave të përsëritura për korrupsion, përfitime të paligjshme dhe lidhje me oligarkë apo persona të botës së krimit, duke deklaruar se gjatë 28 viteve të tij në shërbimin publik nuk ka përdorur pushtetin për përfitime personale.

Rama tha se nuk e konsideron veten të pagabueshëm dhe pranoi se, sipas tij, mund të ketë bërë gabime gjatë karrierës politike dhe institucionale. Megjithatë, ai mohoi kategorikisht se ka marrë para apo prona në këmbim të firmave apo vendimeve të marra prej tij si kryebashkiak i Tiranës apo si kryeministër.

“Unë me siguri dhe e them sinqerisht duhet të kem fajet e mia, padiskutim. Por ajo që mund të them me sigurinë më të madhe është se kurrë, në asnjë rast e për asnjë arsye, mua nuk më bën dot askush palë, për asgjë që në të 28 vjet e 4 muajt e shërbimit tim publik, mund të ketë prekur paratë e shqiptarëve, pronat e shqiptarëve, interesat e shqiptarëve”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë iu referua edhe akuzave që e lidhin atë me përfitime të supozuara të oligarkëve, me projekte ndërtimi, prona apo përdorim të pushtetit për interesa private.

Sipas Ramës, mund të ngrihen akuza dhe të bëhen pretendime të ndryshme, por ai sfidon që të paraqitet një provë që të dëshmojë se një person i ka dhënë para atij apo familjes së tij në këmbim të një vendimi apo firme.

“Mund të thonë se oligarkët e Shqipërisë i fitojnë lekët me mua, që u shes atyre nën dorë copa Shqipërie dhe jetoj në saraje luksoze, e fluturoj në tërë qiejt e botës me avionë privatë, të paguar dhjetëra miliona euro me taksat e shqiptarëve”, deklaroi ai.

Rama vijoi duke theksuar se, sipas tij, asnjë prej këtyre pretendimeve nuk është shoqëruar me provën që ai e konsideron thelbësore.

“Po ama një provë të vetme, që një bir nëne ta ketë një qindarkë të tijën në xhepin tim apo në të ardhurat e familjes sonë, dhënë në këmbim të një firme të vetme të hedhur nga unë si kryebashkiak apo si kryeministër, nuk e nxjerrin dot kurrë”, tha kryeministri.

Ai shtoi se nuk pretendon të jetë “engjëll” apo i pagabueshëm, por e ndan këtë nga akuzat për shitje të pushtetit në këmbim të parave apo pronave.

“Faji që me siguri absolute nuk kam bërë kurrë, është që të tregtoj për para a për prona, pushtetin që shqiptarëve ua kam kërkuar për të rilindur Tiranën e pastaj edhe Shqipërinë”, u shpreh Rama.

Deklarata e kryeministrit vjen në një kohë kur akuzat politike dhe publike për korrupsion dhe përfitime të lidhura me pushtetin vijojnë të jenë pjesë e debatit politik në Shqipëri. Pretendimet dhe kundërpretendimet për çështje të tilla mbeten objekt i vlerësimit nga institucionet përkatëse dhe, në rastet konkrete, nga organet e drejtësisë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

BRUKSEL – Kos: Shqipëria në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në BE

BRUKSEL ,28 shtator 2026 /Albania Express News/-Shqipëria është në...

E PLOTË/ “Si ka mundësi që nuk e dija?”, mesazhi i Ramës pas akuzave të SPAK për zyrtarët pranë tij: Kam fajet e mia,...

TIRANË ,28 shtator 2026 /Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama...

“Generation Voyage”: Në kërkim të Shqipërisë autentike, nga shijet tradicionale te suveniret e Tiranës

TIRANË ,28 shtator 2026 /Albania Express News/-Nga shijet tradicionale...